25,06,2024

#ForHeroines zbret në Ferizaj për t’u solidarizuar me viktimat e dhunës seksuale të luftës së fundit

Must Read

Rreth 20,000 gra viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë plagë e thellë e shoqërisë sonë. Me këtë motiv, për të përkujtuar sakrificat dhe vuajtjet e heroinave, sot në Ferizaj pati një takim me gratë asambleiste, aktiviste të shoqërisë civile, punonjëse të administratës komunale dhe të tjera në krye të së cilës ishte Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, të cilat ishin mbledhur për të pritur mbërritjen në Ferizaj të njërës nga shkronjat e skulpturës së emërtuar “ForHeroines” e cila do të qëndroj deri më datën 29 prill në sheshin “Adem Jashari” të Ferizajt, ku qytetarët mund të vendosin simbolikisht vathë si shenjë solidariteti me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës.

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi me këtë rast tha se dhuna seksuale u përdor si instrument terrori dhe shkatërrimi të familjes, gjë e cila është e shenjtë për shoqërinë shqiptare dhe si e tillë duhet bërë më shumë që viktimat seksuale të kenë mbështetje institucionale e jetë të dinjitetshme.

“Gjatë luftës së fundit jo vetëm që humbën jetën shumë qytetarë të pafajshëm, por edhe më keq u dhunuan shumë gra, duke lënë pas një luftë të papërfunduar me vite. Gjatë luftës në Kosovë, dhuna seksuale është përdorur si një “instrument terrori”, siç e ka deklaruar edhe vetë Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, një instrument terrori i përdorur gjatë spastrimit etnik. Përdhunimi ishte përdorur me qëllim të shkatërrimit të familjeve, turpërimit të grave dhe përuljes së burrave, duke e ditur se tek ne shqiptarët familja është e shenjtë. Por, kjo nuk i bëri ato gra të dorëzohen asnjëhere, ne bashkërisht dëshmuam se jemi të fortë, dëshmuam se mbështesim njeri-tjetrin dhe kemi një qëllim të përbashkët, të ecim përpara, për hir të amanetit të të parëve tanë, për hir të dëshmorëve që ranë në altarin e lirisë, duke vënë gur në themelet e lirisë që ne sot po e gëzojmë.Tani edhe pse jemi të lirë, në rrugë të mirë në realizimin e shumë proceseve si shtet i pavarur, ne asnjëherë nuk i harrojmë viktimat, përkulemi para tyre, edhe pse ende duhet bërë shumë që ato gra të kenë një jetë më të dinjitetshme” tha Kristina Gashi Bytyçi, Kryesuese e Kuvendit të Komunës së Ferizajt.

Artiola Kajtazi nga organizata “Nisja zhvillohu”, shpjegoi iniciativën e pjesëtarit të Batalionit të Atlantikut, Mark Gjonaj për projektin “ForHeroines” që përkujton dhe solidarizohet me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit.

“Lufta e fundit, vitet e ‘90ta për ne përmban dhimbje dhe kemi përjetuar plot vuajtje. Mbi shumë vrasje, abuzime e keqtrajtime ishin edhe mbi 20,000 gra viktima të dhunës seksuale të luftës së fundit. Dy dekada më vonë, akoma nuk është vënë drejtësia për këto viktima të luftës, akoma shumica e këtyre viktima kërkojnë drejtësi për fatin e tyre, madje plot nga to ka zgjedhur të hesht për shkak se kanë humbur shpresën për drejtësi dhe nuk kanë përkrahje të mjaftueshme. Jemi mbledhur këtu sot me iniciativën e zotit Mark Gjonaj nga Batalioni i Atlantikut, gjithashtu edhe asambleist i qytetit të Nju Jorkut për të treguar se Kosova nuk i ka harruar dhe nuk do t’i harroj kurrë viktimat e dhunës seksuale të shkaktuara në luftën e fundit. Herët a vonë ne besojmë dhe përpiqemi që vihet në vend drejtësia. Ne do t’i qëndrojmë pas atyre sot dhe përgjithmonë. Zëri i tyre është zëri ynë dhe zëri ynë është zëri i tyre” tha Artiola Kajtazi nga organizata “Nisja zhvillohu”.

Shkronja E nga titulli “#ForHeroines” do të qëndroj në Ferizaj deri më 29 prill ku qytetarët munden që përmes vendosjes/dhurimit të vathëve të solidarizohen me viktimat e dhunës seksuale në Kosovë gjatë luftës së fundit.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Miratohet Korniza Afatmesme Buxhetore për vitin 2025-2027

Këtë të enjte është mbajtur mbledhja e Kuvendit të Komunës e kryesuar nga Kryesuesi i Kuvendit të Komunës, Xhavit...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img