Lajme

Vuçiq: Amerika po e mbështet fshehurazi Kosovën për taksë


Publikuar më:


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka thënë sot se ekziston një mbështetje e fshehtë për taksën e vendosur nga Qeveria e Kosovës për produktet serbe nga një vend evropian, por edhe nga qarqe të caktuara në Shtetet e Bashkuara nga administrata e vjetër.

Sipas mediave serbe, Vuçiq ka thënë se ky nuk është rasti me administratën aktuale të Shteteve të Bashkuara, e cila është absolutisht kundër taksës.

 “Edhe letra e nënshkruar nga (Mattheë) Palmer dhe çfarë është thënë nga (Donald) Trump dhe (John) Bolton në mënyrë të qartë kuptohet se ata janë kundër taksës”, ka thënë Vuçiq.

Ndryshe taksa 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina ishte vendosur nga Qeveria e Kosovës më 21 nëntor 2018.

Po sipas mediave në Serbi, Vuçiq ka folur edhe rreth zgjedhjeve të mundshme në Serbi, për të cilat ka thënë se ato janë të mundshme nëse situata lidhur me Kosovën mbetet e pandryshuar, domethënë nëse Prishtina nuk heq taksën.

“Nëse nuk ka heqje të taksës, nuk ka bisedime, është e qartë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Ndërsa kur i është kërkuar të komentojë deklaratën e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili ka thënë se çështje e bisedimeve me Kosovën të jetë edhe demarkacioni i kufirit, Vuçiq ka thënë se për këtë gjë ai ka folur para një viti.

Megjithatë, siç thuhet tutje, presidenti serb ka thënë se interesi i Serbisë është që të ketë stabilitet dhe paqe dhe që Serbia mund të zhvillohet ekonomikisht. /telegrafi.com


To Top