26,04,2024

Vrasja e Artur Kurtit, kunati i 50-vjeçarit pranon krimin!

Must Read

largea_vetvrasje1362351502

Jurgen Kurti dhe daja e tij, Leonard Ristani u arrestuan dje pasi akuzohen se janë autorë të vrasjes së Artur Kurtit (babai i Jurgenit). Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në rrugën “Zef Jubani”, në afërsi të shkollës “Dëshmorët e Lirisë”.
Burime zyrtare nga policia e Tiranës saktësuan se lidhur me krimin e rëndë që ndodhi në familje, në pranga u vunë 23-vjeçari Jurgen Kurti, si dhe 43-vjeçari Leonard Ristani, të dy banues në kryeqytet. Ngjarja në fjalë u shënua, pas konflikteve që viktima kishte me bashkëshorten e tij Shpresën, pasi kjo e fundit kishte bërë kërkesën për divorc.

Nga dëshmitë e para që oficerët e komisariatit numër 2 në Tiranë u kanë marrë të arrestuarve, mësohet se autori kryesor i vrasjes ka qenë 43-vjeçari, i cili fillimisht u plagos nga kunati i tij (viktima) gjatë përleshjes me thikë. Ndërsa djali i viktimës akuzohet se është bashkautor në krimin e ndodhur, pasi në momentin e ngjarjes ai ndodhej në banesë. Ndërkohë, policia pritet të marrë në pyetje edhe Shpresa Kurtin, e cila ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe mbahet nën efektin e qetësuesve.

Pas ngjarjes së rëndë, banesa e kësaj të fundit ruhet nga dy efektivë të komisariatit nr 2. Në lidhje me këtë fakt, burime pranë policisë sqaruan për “GSH” se dy policë rrinë jashtë derës së shtëpisë derisa policia të marrë dëshminë e saj, si dhe për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ndodhë me familjarët e Artur Kurtit. Ky i fundit u qëllua me një thikë në mushkëri, çka rezultoi fatale për të. Ndërsa e gjithë skena e krimit u shënua në korridorin e pallatit, në sy të gruas dhe djalit të saj, i cili tentoi të hiqte thikën nga duart e të atit.

Dëshmitë
Gjatë dëshmive të para që dy personat e arrestuar kanë dhënë për oficerët e policisë, kanë pohuar se nuk kanë dashur që ta vrasin të afërmin e tyre. Sipas tyre, krimi është kryer në kushtet e vetëmbrojtjes, pasi Artur Kurti kishte shkuar në banesën ku jetonte Shpresa dhe djali i saj, Jurgeni me një thikë që e mbante në dorë. Leonard Ristani, i cili mbrëmjen e së hënës kishte shkuar për vizitë tek e motra, nga ambientet e spitalit i ka treguar policisë se rreth orës 21:00 ka dëgjuar jashtë derës së apartamentit disa të bërtitura dhe trokitje të forta në derë.

Gjithashtu, 43-vjeçari ka rrëfyer se ka qenë personi që ka hapur derën, ndërsa Arturi është përleshur me të teksa kishte tentuar të hynte në banesë për të biseduar me të shoqen. Kjo gjë nuk është lejuar nga vëllai i kësaj të fundit, ndërsa është plagosur me thikë në shpatull nga 50-vjeçari Kurti. I ndodhur jashtë rrezikut për jetën, Ristani ka pohuar se është personi që kreu vrasjen, ndërsa ka sqaruar më tej se kjo gjë ka ndodhur në kushtet e vetëmbrojtjes.

Ndërkohë, policia ka marrë edhe dëshminë e 23-vjeçarit Jurgen Kurtit, i cili nuk ka mohuar të ketë qenë protagonist i ngjarjes. Gjatë dëshmisë që i riu ka dhënë para oficerëve, ka qenë tepër konfuz dhe nuk ka përmendur asnjë emër se kush ka qëlluar mbi të atin, ai vetë apo daja i tij. Sipas policisë, kjo gjë pritet të saktësohet nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Policia Shkencore, përsa u përket shenjave të gishtave që kanë mbetur në thikë.

artur_kurti_23045

Në banesën e Shpresa Kurtit
Vetëm një ditë pas ngjarjes së ndodhur në katin e gjashtë të pallatit ku banonte Shpresa Kurti dhe djali i saj Jurgeni, kishte pllakosur qetësia. Dera e kësaj familjeje qëndronte e mbyllur, ndërsa jashtë saj rrinin dy efektivë policie. Këta të fundit e kishin të ndaluar të lejonin hyrjen e personave të tjerë brenda në banesë. Për një moment në shkallët e pallatit shfaqet një i afërm i Shpresës. “Nuk është mirë”, thotë, “edhe ne nuk ka mundur të na japë shpjegim për atë që ndodhi. Nuk dëshiron të kujtojë asgjë”, përfundon ai. Ndërkohë, pikërisht në këto momente në derën e ashensorit shfaqen dy burra të gjatë, të cilët u prezantuan para policisë si të afërm të gruas. Efektivët blu, pasi morën konfirmimin e personave të tjerë që ndodheshin në banesë, lejuan hyrjen e tyre.

/GazetaShqiptare

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img