Kultura-Arti

Veli Sahitit ishte i pari që i këndoi Nënë Terezës


Publikuar më:


Vetëm një vit pas vdekjes së humanistes shqiptare, Nënës Terezë, muzikanti kosovar, Veli Sahiti, nga rok-grupi i mirënjohur TRIX, do t’i kushtonte asaj një këngë.

E titulluar “Përmendore e shpirtit tonë”, me tekst të Bardh Frangut dhe muzikë të Veli Sahitit, kjo këngë u promovua në vitin 1998.
Në atë periudhë të vështirë për shoqërinë kosovare, kësaj këngë iu realizua edhe një videoklip tejet i veçantë. Siç tregon për Gazetën Zëri, Veli Sahiti, me ndihmën e Don Lush Gergjit, i cili siguroi disa filmime nga arkiva të ndryshme dhe me disa xhirime në Ferizaj, përfundoi edhe ky projekt, i cili njëkohësisht jo vetëm që bën këngën e parë për Nënë Terezën, por në një mënyrë përbën edhe filmin e parë për të.

Në videoklip Veli Sahiti ka përfshirë foto nga rinia e saj me anëtarët e familjes, inserte filmash nga aktiviteti i saj dhe nga pjesëmarrja e saj nëpër ngjarje të mëdha botërore. Në të është përfshirë edhe akti solemn i ndarjes së çmimit Nobel për Paqe si dhe takimi në Vatikan me Atin e Shenjtë Papa Gjon Palin.“Situata atë kohë ishte e vështirë dhe nuk ishin aspak kushtet për të xhiruar videoklipe, por ne me ndihmën e Don Lush Gjergjit morëm disa pamje nga arkiva dhe xhiruam në kishën ‘Engjëlli i rojës’, në Ferizaj, një videoklip që zgjatë rreth 5 minuta”, thotë Sahiti.

Ai pastaj rrëfen se si kjo këngë është punuar me përkushtim dhe adhurim ndaj figurës së Nënës Terezë. Tregon pastaj si është promovuar në kushte te jashtëzakonshme, siç përshkruan ai, nën tytat e armëve. “Momenti i promovimit të kësaj kënge dhe këtij videoklipi është ndër më të veçantit në jetën time. Më kujtohet kur ne organizuam promovimin në kafiterinë ‘Casa Blanca’, në Ferizaj dhe ftuam edhe përfaqësuesit më të lartë të Ipeshkvisë. Unë isha në skenën e improvizuar dhe kisha kënduar vetëm vargjet e para të këngës, kur me rrëmbim në lokal hyri policia serbe e armatosur deri në dhëmbë; e veshur me pancira dhe helmeta në kokë.

“Na idrejtuan tytat e armëve dhe ndaluan promovimin. Ata dyshonin se ishte ndonjë tubim tjetër i shqiptarëve, se po organizonim diçka kundër serbëve apo diçka të ngjashme dhe me vështirësi iu shpjeguam se aty thjesht po promovonim një këngë për Nënën Terezën, për nder të së cilës kishim hapur edhe një ekspozitë po në atë lokal”, tregon pa i fshehur emocionet, autori i këngës për Nënë Terezën, Veli Sahiti.

Ndonëse nuk ka shumë këngë që i janë kushtuar Nënës Terezë, Sahiti thotë se nuk është i kënaqur me promovimin që i është bërë kësaj këngë nga televizionet vendore. Ai konsideron se kjo këngë u transmetua në fillim, por më pas u la në harresë.

Ajo tashmë mund të dëgjohet edhe online në kanalin e tij zyrtarë në Youtube. Vitin e kaluar kënga e tij për Nënën Terezë u transmetua në një organizim që u mbajt në Kaçanik nën patronatin e kryeparlamentarit, Kadri Veseli, dhe sipas Sahitit u prit mjaft mirë nga publiku.

Kjo këngë do të prezantohet sërish sivjet, në një koncert që planifikohet të mbahet pas shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan, ku për herë të parë do të interpretohet me orkestrën reviale të qytetit të Ferizajt./Zëri

Comments
To Top