29,03,2024

Vdiq Elie Wiesel – dokumentues i tmerreve të Holokaustit

Must Read

Fituesi i Çmimit Nobel për Paqe dhe i mbijetuari i Holokaustit, Elie Wiesel, ka vdekur në moshën 87-vjeçare, ka njoftuar të shtunën mbrëma memoriali izraelit i Holokaustit, Yad Vashem.

“Yad Vashem mban zi për vdekjen e Elie Wiesel – i mbijetuar i Holokaustit, laureat i Nobelit dhe shkrimtar i njohur”, ka shkruar ky muze në rrjetin Twitter.

Ai ka vdekur në shtëpinë e tij në qytetin e Nju Jorkut, ndërsa shkaqet e vdekjes nuk janë bërë të ditura.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në deklaratën e tij tha se “Elie Wiesel kishte shërbyer si rreze drite dhe ishte një shembull, që besonte në mirësinë e njeriut”.

Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, vlerësoi se i ndjeri Wiesel ishte “hero i popullit hebre”.

Presidenti amerikan, Barack Obama, tha se Elie Wiesel ishte “ndërgjegje e botës”.

“Ai e ngriti zërin jo vetëm kundër anti-semitizmit, por kundër urrejtjes, fanatizmit dhe jotolerancës, në të gjitha format”, tha ai.

Obama shtoi se “Wiesel na këshilloi të gjithë neve, si kombe dhe qenie njerëzore, të veprojnë njëjtë, ta shohim vetveten në vendin e tjetrit dhe ta bëjmë real përkushtim “kurrë më”.

Ministri i Drejtësisë i Gjermanisë, Heiko Maas, në rrjetin Twitter, shkruan se Wiesel ishte “dëshmitar i Holokaustit dhe kronist i asaj që ishte e papërshkrueshme”.

Presidenti i Francës, Francois Hollande, konsideron se Wiesel ishte “humanist i madh dhe mbrojtës i palodhshëm i paqes”.

I lindur në vitin 1928, në qytetin rumun, Sighet, Elie Wiesel ka shkruar në mënyrë intensive për përvojat e tij në kampet naziste të përqendrimit dhe e ka promovuar njohurinë për Holokaustin.

Libri i tij “Night”, konsiderohet se është ndër veprat më të rëndësishme, ku dokumentohen tmerret e Holokaustit. Libri është i bazuar në kohën kur Wiesel ishte i burgosur në kampet naziste të përqendrimit, Aushvic, Buna dhe Buhenvald.

Babai, nëna dhe një motër e tij janë vrarë në Holokaust, ndërsa një tjetër motër ka shpëtuar.

I ndjeri Wiesel është nderuar me çmimin Nobel për Paqe në vitin 1996, ndërsa Komiteti Norvegjez i Nobelit, në arsyetim kishte shkruar se ai “ishte njëri nga liderët më të rëndësishëm shpirtëror dhe udhëzues në periudhën kur dhuna, represioni dhe racizmi, vazhdojnë ta karakterizojnë botën”.

Gjatë fjalimit të tij me rastin e marrjes së këtij çmimi, Elie Wiesel pati thënë se “kurdo qoftë dhe kudo që ndodh, që qeniet njerëzore përjetojnë vuajtje dhe keqtrajtim, merre një anë”, meqë “neutraliteti i ndihmon shtypësit, e asnjëherë viktimës, ndërsa heshtja e inkurajon torturuesin, e kurrë të torturuarin”.

Elie Wiesel pas vetes ka lënë gruan, Marion, dhe djalin, Elisha./rel

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img