Ferizaj

Valmire Ramadani shpallet Sportistja e Vitit 2018


Publikuar më:


Mbrëmjen e sontme, i pari i Ferizajt, Agim Aliu, bashkë me drejtorë të drejtorive komunale, Kryesuesen e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi dhe personalitete të tjera ikona të sportit ferizajas, morën pjesë në ngjarjen tashmë tradicionale në sportin lokal, atë të shpalljes së Sportistit të Vitit 2018. 
I rrethuar nga sportistë të shumë kategorive e disiplinave, i pari i Ferizajt, Agim Aliu mbajti një fjalë rasti në këtë ngjarje përmbyllëse të aktiviteteve sportive në nivel lokal, ku u ndanë mirënjohje për shumë sportistë dhe kontributdhënës në zhvillimin e sportit lokal gjatë 2018-tës.

I pari i Ferizajt, Agim Aliu, i emocionuar, kërkoi nga të pranishmit që të ngritën në këmbë dhe të duartrokasin meritën e veçantë për sportistët legjendarë e ikona të Ferizajt, që tashmë nuk janë në mesin tonë, siç janë profesor Sheqer Shllaku, Mehdi Jashari, Jusuf Bytyqi dhe Gani Maloku.

Pjesëmarrësit në këtë ngjarje, të ngritur në këmbë, nderuan me duartrokitje të gjatë meritën e doajenëve të sportit ferizajas që vunë themelet e sportit në nivel lokal.

Tutje, Kryetari i Komunës së Ferizajt, tha se edhe qeverisja e tij ka marr të gjitha masat e nevojshme për të fuqizuar këtë segment të rëndësishëm të shoqërisë, me theks të veçantë riorganizimin e klubeve, mbështetjen financiare si dhe projektin e veçantë të krijimit të ligave shkollore të sportit që është edhe pjesë e rëndësishme e platformës qeverisëse.

“Jam i bindur që Ferizaj ka shënuar suksese dhe do të shënoj suksese, por në radhë të parë, thashë edhe njëherë po e them është rezultat dhe kontribut i djersës suaj, i punëtorëve, pedagogëve të sportit. Ne kemi vetëm detyrën t’iu mbështesim dhe do t’iu mbështesim vazhdueshëm. Sigurisht se kur bëhet me dashuri ashtu siç e kemi ne si qeverisje komunale, është më e lehtë për ju dhe ne do të mundohemi që më të lehta t’i bëjmë rrugëtimet tuaja jetësore në aspektin sportiv. Nuk mund dhe nuk dua të krenohemi shumë se kemi bërë, aq për ju, sepse mendoj që duhet bërë gjithmonë më shumë për ju por në rrethanat, kontekstin dhe gjendjen në të cilën kemi qenë jemi munduar që t’iu përgjigjemi kërkesave tuaja. Ne po mundohemi që të bëjmë shumë për infrastrukturën, e kemi tashmë të dhënën se jemi shteti, respektivisht qytetarët e Republikës së Kosovës me pjesëmarrjen më të vogël në krahasim me shtetet tjera dhe kjo gjendje duhet të ndryshoj. Këtë gjendje duhet ta ndryshojmë të gjithë së bashku. Unë e di që ju të gjithë jeni në atë drejtim, por duhet të ftojmë edhe më shumë që kjo gjendje të ndryshoj dhe sigurisht se ne kemi bërë dhe do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje dhe cilat janë përpjekjet tona. Ne tashmë, ju e dini që edhe është pjesë e platformës sime, formimi i ligave shkollore dhe ne do t’i financojmë, mbështesim ato. Ne do t’i mbështesim pedagogët dhe punëtorët sportiv që praktikisht të funksionalizojmë ligat shkollore në sporte të caktuara. Ne do të bëjmë më shumë për infrastrukturën sportive. Ju e dini që kemi filluar dy salla sportive, njëra në Greme dhe tjetra në Balaj, por edhe kemi paraparë edhe infrastrukturë tjetër të cilën nuk do të shërbej vetëm për këto lokalitete, do të bëjmë zhvendosjen, pikërisht të klubeve që sa më shumë të ketë profesionalizëm, sa më shumë të ketë kohë, që ata të kenë sallat dhe terrenet në dispozicion të tyre. Tashmë ju e dini, edhe sot që është miratuar Buxheti i Republikës së Kosovës, do të kemi edhe amendamentime shtesë dhe buxhet shtesë edhe për projektet e tjera. Ju e dini që ne në Ferizaj do të kemi një Qendër Multifunksionale apo Pallatin e Kulturës, do të jemi edhe më shumë sesa që jemi sot këtu, sepse do të ndërtojmë një qendër në Ferizaj, që tashmë është pjesë e Buxhetit të Republikës së Kosovës. Pishina gjysmë-olimpike do të jetë pjesë e Buxhetit të Republikës së Kosovës, terrenet e tenisit dhe shumëçka nga këto do të jetë pra pjesë e Buxhetit të Republikës së Kosovës, kodeve buxhetore dhe financimeve dhe ju do të shihni që në vitin 2019 do të kemi edhe fillimin e këtyre punëve, respektivisht ndërtimit të këtyre objekteve sportive dhe kulturore. Ne nuk do të ndalemi me kaq, do të vazhdojmë angazhimin dhe punën tonë, gjithmonë së pari si një detyrim që kemi ndaj jush, si një respekt që kemi ndaj jush por mbi të gjitha ajo që është tipike për qeverinë që unë drejtoj, që është dashuria dhe respekti për ju. Unë uroj gjithë fituesit e kësaj nate, por për mua ju të gjithë jeni fitues, ju jeni të gjithë të mirë dhe sigurisht se sonte do të zgjidhen më të mirët e më të mirëve” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu. 
Kjo ngjarje vijoi me ndarjen e mirënjohjeve, medaljeve dhe kupave për sportistët më të mirë dhe kontribut dhënësit në sportin ferizajas gjatë vitit 2018.

Me mirënjohje post-mortum u nderuan ikona e hendbollit ferizajas, profesor Sheqer Shllaku, trajneri i volejbollit, Jusuf Bytyqi, prof. Mehdi Jashari si dhe kontributdhënësin e jashtëzakonshëm në sportin e pingpongut, Gani Maloku.

Mirënjohje u ndanë edhe për klubet sportive të personave me nevoja të veçanta siç janë: Shoqata e të verbërve, Shoqata “Handikos”, Shoqata e të shurdhërve, Shoqata “Hendifer”, Shoqata “Handicap Kosova” dhe Shoqata Down Syndrome.

1. Gazetari Sportiv i Vitit 2018 u zgjodh gazetari Refik Sadriu, ndërsa për televizionet lokale TV Liria dhe TV TEMA u ndanë mirënjohje;
2. Tifozi sportive i vitit 2018 u zgjodh Tifozeria “Ujqit” 
3. Mjeku sportiv i vitit 2018 u zgjodh Fatlum Ademi;
4. Punëtori sportiv i vitit 2018 u zgjodh Shpend Rushiti;
5. Sportisti në diasporë për vitin 2018 u zgjodh Arbër Qerimi;
6. Shoqata e vitit 2018 u zgjodh Shoqata e bjeshkatarëve “Lybeteni”;
7. Referi i vitit 2018 në rrafshin ndërkombëtar në pingpong u zgjodh Jeton Beqiri kurse referi i hendbollit në rrafshin kombëtar u zgjodh Fisnik Jashari;
8. Trajner i Vitit 2018 u zgjodh Verim Zherka nga Klubi i Hendbollit “Kastrioti” M dhe Shemsi Shaqiri trajner i klubit të karatesë “Sharri”;
9. Ekipi i Vitit 2018 u zgjodh Klubi i Hendbollit “Kastrioti” – meshkujt;
10. Sportist pioner 2018 u zgjodh Denisa Shabani, kurse u ndanë mirënjohje edhe për Yllka Jashari – volejbolliste e Klubit të Volejbollit “Kastrioti”, Elda Hoxha – hendbolliste e Klubit të Hendbollit të “Kastrioti”, Anita Grainca – basketbolliste e Klubit të BAsketbollit “Kastrioti”, Erind Braha-notuese e Klubit të Notit “Kastrioti”, Jon Halili – xhudist I Klubit të xhudos “Kastrioti”, Artiol Shaqiri – karatesit i Klubit të Karatesë – “Sharri”, Taulant Ramadani – gjimnast i Klubit të gjimnastikës “Ferizaj, Alma Loku – karateiste e Klubit të Karatesë – “Kastrioti”, Shega Hashani – pingpongiste e Klubit të Pingpongut “Ahmet Hoxha” dhe Fatjon Bajrami – karateist i Klubit të Karatesë “Sharri”
11. Sportist junior 2018 u zgjodh Behije Mustafa nga KK “Fituesi” kurse me mirënjohje në këtë kategori u shpërblyen edhe Erblina Pajaziti – karateiste e Klubit të Karatesë “Fituesi”, Rona Emërllahu – karateiste e Klubit të Karatesë “Sharri”, Jerina Rexhepi – pingpongiste e Klubit të Ping Pongut “Ahmet Hoxha” , Shpend Kiki – boksier I Klubit të Boksit “Kastrioti”, Yll Halili- notues I Klubit të Notit “Kastrioti”, Blerton Nuha – çiklist i Klubit të Çiklizmit “Kastrioti”, Agnesa Rrahmani – basketbolliste e Klubit të Basketbollit “Kastrioti”, Blerton Hyseni – volejbollist i Klubit të Volejbollit “Luboteni”, Agon Selmani – hendbollist i Klubit të Hendbollit “Kastrioti”;
12. 10 sportistët senior më të mirë të vitit 2018 u zgjodhën Butrint Bytyqi KV “Ferizaj, Besiana Emini – Alpiniste, Altin Maloku – Klubi i Karatesë “Sharri”, Besfort Bunjaku – Autoklub “Ferizaj, atleti Aldon Sadiku, Egzon Misini Klubi i Çiklizmit “Kastrioti”, hendbollistja Ardiana Salihu, Arif Elezi -KV “Lebeteni”, Rron Ramadani KH “Kastrioti” kurse SPORTISTJA E VITIT 2018 u shpall VALMIRE RAMADANI, volejbolliste e Klubit të Volejbollit “Kastrioti”, kupën, pllakatin dhe mirënjohjen së cilën ia ndau i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Me mirënjohje u nderuan edhe dhjetëra biznese që dhanë kontribut në zhvillimin e sportit ferizajas në vitin 2018.

Kjo ngjarje e rëndësishme në kalendarin e aktiviteteve të fundvitit e organizuar nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Sektorit të Sportit, nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, përmbyll aktivitetin sportiv për vitin 2018 në Ferizaj, duke shpërblyer sportistët më meritor në të gjitha kategoritë.

To Top