26,04,2024

Ushtria deri në fund të vitit – afati i vendosur nga Presidenti po shpenzohet

Must Read

Me një iniciativë befasuese Presidenti Hashim Thaçi në fillim të këtij viti, e nxori si kryetemë të politikës së Kosovës themelimin e ushtrisë. Presidenca u ngut për ta dërguar projektligjin në Qeverinë e atëhershme dhe në Kuvend.

Edhe pak javë bëhen një vit që nga inicimi i transformimit të Forcave të Sigurisë në Forca të Armatosura. Projektligji ka mbetur në Kuvend, pa dalë akoma në votim.

Presidenti Thaçi përsëriti edhe para dy muajve se në fund të vitit do të krijohej ushtria.

“Defintivisht ushtria pres të përfundojë deri në fund të këtij viti. Kemi mundësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe e mbështesë fuqishëm që të ndodhë. Dhe, askush se ka të drejtën e vetos mbi  ushtrinë”, kishte thënë i pari i vendit në një intervistë të realizuar në shtator.

Gazeta Express i ka dërguar pyetje Presidencës për t’i pyetur se pse nuk u ndodhi siç kishte paralajmëruar Presidenti disa herë, por ata nuk patën përgjigjje për të kthyer.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përmes ambasadës së tyre, kanë këshilluar Kosovën të mos tentojë të krijojë ushtri pa ndryshime kushtetuese dhe pa votën e përfaqësuesve serbë, kur Presidenti Thaçi dhe ekspertët e sigurisë thoshin se ushtria e Kosovës mund të bëhet me një ligj të veçantë.

Madje  Delawie duke iu përgjigjur nismës së Thaçit në fillim të vitit kishte shprehur befasinë dhe zhgënjimin me veprimin e Presidentit. Ai kishte thënë se kjo iniciativë kishte ardhur si nga qielli.

“Ne punojmë shumë ngushtë në partneritet lidhur me këto çështje. Kjo është arsyeja pse disi u befasuam dhe u zhgënjyem kur ky projektligj u paraqit javën e kaluar sikur të kishte rënë nga qielli”.

Të njëjtën gjë e kishin thënë përfaqësues të shtetit amerikan e ndërkombëtarë të tjerë sa herë që vizituan Kosovën. Ata përkrahin idenë e krijimit të ushtrisë, por duke u dakorduar edhe minoritetet, përkatësisht serbët, që përfaqësohen me Listen Srpska në Kuvend.

Kjo është bllokada më e madhe e transformimit të FSK’së në FAK. Lista Srpska mohon në çdo formë krijimin e ushtrisë së Kosovës, edhe pse minoriteteve u garantohet përfshirja në këtë proces.

Ndërkohë në një hulumtim që u prezantua në muajin nëntor e ku mori pjesë edhe Presidenti Thaçi, u tha se serbët në Veri e konsiderojnë të panevojshme.

Kryeministri Haradinaj ndërkaq nuk e ka marrë me siklet të madh çështjen e ushtrisë. Përgjegjësit për media në zyrën e tij thonë se ky proces do të ketë sukses nëse bëhet me përfshirje sa më të madhe të komuniteteve.

“Procesi do të jetë një sukses i garantuar dhe i sigurt, me përfshirje maksimale të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thonë nga Zyra e Kryeministrit.

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk dihet nëse ka biseduar me Listen Srpska sepse zyra e tij nuk i ka kthyer Expressit përgjigje direkte.

Zyra e Kryeministrit në përgjigjet e saj lë të kuptojë rëndësinë që Qeveria po i jep minoriteteve në përfshirjen e tyre në procesin e krijimit të ushtrisë, edhe pse serbëve nuk po u intereson kjo çështje.

Sa për kohën, tanimë nuk dihet asgjë. “Në periudhën në vijim, do të intensifikojmë përpjekjet gjithëpërfshirëse për të arritur transformimin në Forca të Armatosura”, thonë në Zyra e Kryeministrit.

Nuk dihet as se ku përfundon ‘periudha në vijim’ që përmendet te zyra e shefit të ekzekutivit, por nga kjo kuptohet se ata do të bëjnë përpjekje që realizimi i transformomit të FSK’së të bëhet me pajtimin e serbëve.

Eksperti i çështjeve ushtarake, Naim Maloku, shprehet i nervozuar me çështjen e ushtrisë. Ai nuk ka shpresë që institucionet do të bëjnë diçka në lidhje me këtë çështje.

Maloku thotë se kjo histori ka filluar që gjashtë vjet dhe nuk është as afër jetësimit, e as që do të bëhet diçka në këtë drejtim.

“Është vetëm manipulim politik i liderëve për këto vite. Nuk është bërë asnjë hap në këtë drejtim”, ka thënë Maloku për Gazetën Express.

E, derisa Maloku përmend periudhën 6 vjeçare, afatet duket të jenë lojë e rrezikshme për ata që i përmendin.

Delaëie në një nga debatet për këtë çështje, ku kishte kërkuar dialog me serbët lokalë, kishte paralajmëruar për këtë.

“Nëse vendosni afat kohor që në fillim, ju e dënoni veten për të dështuar në fund” kishte thënë Delawie. /GazetaExpress/

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img