Ferizaj

UShAF dhe Kompania “FLEXOGRAF” lidhin Marrëveshje Bashkëpunimi


Publikuar më:


 

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari dhe drejtori i Kompanisë “Flexograf”, në Gjilan, z. Berat Mustafa nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi për punë praktike për studentë.

Rektori Bajraktari falënderoi drejtorin e Kompanisë për mundësinë e dhënë për studentët e UShAF, të cilët do të kenë rastin sipas tij që të kryen punën praktike në këtë Kompani, si dhe u shpreh i kënaqur që po fillon një bashkëpunim reciprok në mes Universitetit dhe Kompanisë.

“Zhvillimin e Universitetit do ta bëjmë së bashku dhe duke qenë afër jush, besojmë se studentët tanë do të pajisen me njohuri të reja të lëmisë të cilën e zhvillon Kompania juaj, si dhe do aftësohen në profesionin e tyre, i cili do të jetë jetik në të ardhmën e tyre. Ne jemi Universitet unik, i cili përmes Bordit Industrial, në të cilin tani më bëni pjesë edhe ju, do të jemi shërbim i juaji duke marrë mendimet e juaja për përgatitjen e plan programeve mësimore, sepse më së miri ju e dini se çfarë kërkon tregu kosovar. Suksesi ynë dhe i juaji, është i përbashkët, andaj do të punojmë fortë që ta forcojmë këtë bashkëpunim, për qëllim të rritjes së cilësisë dhe punës praktike të studentëve”, tha Rektori.

Ndërsa, drejtori Mustafa e përgëzoi Rektorin për iniciativën dhe ndërmarrjen e këtij veprimi sepse sipas tij studentët për t’u kompletuar në profesion kanë nevojë që të pajisen me njohuri të pjesës praktike, për të cilët tregu kosovar ka shumë nevojë.

Po ashtu, z. Mustafa shtoi se është privilegj për Kompaninë dhe motivim i mëtejmë në punë, sepse sipas tij po koordinojmë bashkëpunimin e shkencës me biznesin dhe duke i bashkuar këto dy komponente do të ja dalim të përfitojmë kuadro të cilat mund të gjejnë punësim kudo.

Kompania “Flexograf” merret me fleksoprintim, e cila produktet e veta përveç në vend, i plason edhe jashtë tregut kosovar si: Holand, Angli, Bullgari, Shqipëri, Serbi, Maltë, Slloveni, Sierra Leone të Afrikës, e në të ardhmën e afërt presin rritje dhe zgjerim të eksporteve edhe në shumë vende të tjera me prodhimet e veta mjaftë cilësore.

To Top