Lajme

Universiteti i Oxfordit rendit Kosovën të parën për masat që mori, por nuk ndikoi në uljen e të infektuarve


Publikuar më:


Universiteti i Oxfordit ka renditur Kosovën të parën sa i përket masave të marra në menaxhimin e pandemisë Covid-19, raporton Gazeta Express.

Studiuesi shkencor, Kujtim Thaqi, ka bërë të ditur se Kosova është radhitur e para nga të gjitha shtetet e Evropës sa i përket menaxhimit të pandemisë.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë, ekspertët dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik kanë marrë vendimet e duhura për ta parandaluar pandeminë.

Thaqi ka thënë se edhe pse numri i vdekjeve është ende shumë më i vogël se në shumë shtete tjera të rajonit, duhet të shikohet në detaje nga IKSHPK-ja dhe të tjerët se pse ky numër është ende i madh në krahasim me masat e marra të cilat kanë qenë efikase.

“Kemi shumë faktorë tjerë që do të mund të ndikonin në vdekshmërinë si p.sh: numri i rezultateve false negative të testeve molekulare RT-PCR apo edhe të atyre serologjike, si shkak mbingarkesa e madhe e punës dhe si pasojë e kësaj mund të vie deri te diagnostikimi i vonshëm i rasteve me Covid-19, pastaj personat me rezultate false negativ në analizat serologjike do të qëndronin më të relaksuar në shoqëri ndërsa do të infektonin shumë të tjerë në të njëjtën kohë, e shumë faktorë të tjerë”, ka thënë ai.

Thaqi është shprehur se nga punimi shkencor është parë që asnjë masë rigoroze e vendosur nga qeveritë e shumë shteteve të botës nuk kanë qenë plotësisht efikase në parandalimin e përhapjes së pandemisë.

Prandaj sipas tij, duhet të kemi shumë kujdes nëse vendosim të aplikojmë masa të reja parandaluese të cilat do të mund ta përkeqësonin më tej gjendjen ekonomike, sociale dhe psikologjike të qytetarëve.

“Tani mendoj që më shumë duhet të tentojmë në rikonfigurimin e tërësishëm të këtyre masave të vëna më herët dhe aplikimin e tyre edhe më fuqishëm javëve dhe muajve në vazhdim, duke qenë se me uljen e temperaturave do të mund të kemi rritje të numrit të të infektuarve dhe si pasojë e imponimit të qëndrimit në ambiente të mbyllura shkak koha e ftohur, atëherë do të rritet kontakti i të rinjve te infektuar me moshat me te vjetra”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo mund të rriste shkallën e vdekshmërisë te këta persona të cilët mund të kenë edhe sëmundje shoqëruese.

Thaqi ka thënë tutje se çdo tentim për të shfaqur mosbesim në institucionet tona shëndetësore, apo edhe çdo jo-stabilitet i mundshëm politik apo ekonomik gjatë këtyre muajve vendimtarë, do të mund të ketë pasoja të mëdha, dhe sipas tij, do të mund të ballafaqohemi me rritje të madhe të kurbës së infeksionit dhe vdekshmërisë.

To Top