19,04,2024

U mbajt ora përkujtimore kushtuar 20-vjetorit të masakrës së Reçakut

Must Read

Shtime më, 15 janar 2019 – Nën patronatin e Presidentit të Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, sot në Shtime është mbajtur Orë Përkujtimore kushtuar 20-Vjetorit të Masakrës së Reçakut. Të pranishëm në këtë ngjarje ishin përfaqësues të Institucioneve qëndrore dhe ato lokale. Ky aktivitet ka filluar me intonimin e himnit shtetëror dhe kombëtar dhe një dokumentari të përgatitur nga Komuna e Shtimes, i cili paraqiti pamje të para 20 viteve.

Të pranishmëve në sallë me një fjalë rasti në emër të qytetarëve të komunës së Shtimes, kryetari i Komunës, Naim Ismajli, i cili ngjarjen e Reçakut e vlerësoi ndër ngjarjet më të dhimbshme: ”Sikurse më 15 Janar 1999, sot pas 20 vitesh të kaluara, mbajmë të njëjtën dhimbje dhe ruajmë në kujtesë ditën kur forcat serbe, në mënyrë tinzare hynë në fshatin Reçak dhe në mënyrë monstruoze vranë dhe masakruan 45 banorë të fshatit, të gjithë civilë të pa armatosur. 20 vjet kujtime të rënda për humbjen e më të dashurve tanë. Kjo dhembje e madhe për të gjithë ne që na percolli për këto 20 vjet do të na percjellë ndër vite, gjatë gjithë jetës sonë sepse ështe obligim për secilin prej nesh që, jo vetëm t’i kujtojmë, por edhe t’i nderojmë dhe t’i çmojmë vlerat dhe idealin për të cilin u flijuan. Vetëm kështu, 15 Janari i vitit 1999, do të mbetet ditë e pavdekësisë historike për te gjithë ata që sot i kujtojmë.
Ajo që ka ndodhur nuk mund të ndryshohet, ajo mund të mbahet mend dhe do të mbahet mend. Mbi të gjitha do të mbahet mend qëndresa dhe sakrifica e fshatit Reçak, qëndresa e burrave, grave, të rinjve dhe të rejave, deri në flijim, përballë një krimi dhe gjenocidi të regjimit kriminal serb.
Ne jemi dëshmitarë se më 15 janar 1999, kriminelët u hakmorën pikërisht ndaj këtij qëndrimi dinjitoz të popullatës civile, e cila ishte rreshtuar përkrah ushtarëve të UÇK-së. Krimi i kryer në Reçak ndaj njerëzve të paarmatosur, burrave, grave, e madje, edhe ndaj fëmijëve nuk frikësoi banoret e fshatit ne perkrahjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila u përball me forcat armike duke i dalë përballë makinerisë vrastare serbe për t’i bërë me dije se lufta për liri nuk i tremb dhe nuk i zmraps, pavarësisht asaj çfarë po ndodhte. Atë ditë, dhe në ditët në vijim, në mbrojtje të fshatit ranë edhe Dëshmorët ne krye me komandantin Ahmet Kaqiku, të cilët i kutojmë me krenari. Zoti Wiliam Woker – ish shef i Misionit Vëzhgues të OSBE-së, me të parë këtë ngjarje i tregoi botës të vërtetën që po ndodhte në Kosovë dhe krimin e bërë nga militarët dhe paramilitarët e shtetit serb ndaj njerëzve të paarmatosur, në fshatin Reçak, e quajti “krim kundër njerëzimit”.

Ne i jemi shumë mirënjohës për këte sepse ky njeri i qëndroi besnik Raçakut dhe tani e 20 vite nuk u luhat në qendrimin e tij duke qenë gjithherë bashk me ne, në dhembje dhe mbrojtje të vlerave për të cilat u sakrifikua ky popull.
Lavdi Dëshmorëve dhe Martirëve të Reçakut! Lavdi gjithë të rënëve për lirinë e Kosovës! Lavdi luftës së lavdishme të UÇK-së! Respekt për familjet dhe familjarët e tyre”.

Me një fjalë rasti para të pranishmëve ju drejtua kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili tha: “Me 15 janar Kosova i kthehet të kaluarës së saj, kujton dhembjen, historinë, krenarinë, kujton Reçakun. Reçaku është sinonim i çmimit të lirisë, pavarsisë dhe shtetit tonë. Sot po bëhen 20 vite nga masakra e Reçakut, vitet kalojnë por dhimbja për të dashurit tanë qëndron e fortë në zemrat tona. Sot jemi të përkushtuar të jetojmë të sotmen duke punuar për të ardhmën e sigurt të kombit tonë, sot është bërë realitet ëndrra e burrave tanë që dhanë jetën për liri që të jemi të lirë në shtetin tonë. Obligimin për të ndërtuar një shtet të fortë siç e deshën heronjët e Reçakut ne e kemi sot. Ju banorë të fshatit Reçak ndihuni krenar për familjarët e juaj që sot ju mungojnë juve dhe gjithë Kosovës, ata rënë që të ngritet Kosova dhe Kosova u ngrit për të qëndruar gjithmonë shtet i lirë dhe sovran. Lavdi Martirëve të Reçakut dhe dëshmorëve të Kombit, lavdi Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në fjalimin e tij tha: “Shumë të vërteta që desha t’i them tani më i shikuam në këtë dokumentar, shikuam se me çka jemi përballë në ato ditë të dhimbshme dhe të vështira, pra me 15 janar 1999, ku dhe kryetari Veseli i tha ato pikëpamje që kisha për t’i thënë. Në duhet të kemi një çertifikatë që të dim se si kanë vdekur këta njerëz, në duhet të kemi një spjegim, duhet të ngrihet një gjykatë e posaqme për këto raste. Ne nuk i kemi borgj askujt, ne nuk jemi nën marre, ne jemi në tokën tonë, të drejtën tonë shqiptare askush nuk mundet të na lëkund. Lavdi e përjetshme të rënëve të Reçakut e të gjithë të rënëve për liri”.

Për të kujtuar ngjarjen e 15 janarit të vitit 1999, para të pranishmëve ka folur edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, i cili tha: “20 vite kanë kaluar nga masakra e Reçakut por Reçaku kurrë nuk do të harrohet, do të kujtohet për sakrificën, për gjakun e derdhur për fillimim dhe fundin e pushtuesit serb. Reçaku vuri në lëvizje mekanizmin e madh ndërkombëtar për të gjetur një zgjidhje për Kosovën, solli Konferencën e Rambujes, solli intervenimin e NATO-së, ishte faktori kyç që solli fundin e luftës për lirinë e Kosovës. Respekt, nderime dhe lavdi atyre që rënë për Kosovën, nderime për UÇK-në”.

Ndërsa në fund para të pranishmëve u ekzekutua një pikë korale – artistike e përgatitur nga Antonio Gashi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img