26,04,2024

Trajneri i ri ferizajas synon të sjellë futbollin modern në Kosovë

Must Read

Kosova ka talente dhe mund të shndërrohet në fuqi futbolli. Kështu deklaron Arben Asllani, ndihmëstrajner te kampioni i Shqipërisë, Skënderbeu, që synon të bëhet edhe anëtar i stafit të përfaqësueses së Kosovës.

Asllani, që ka lindur në Ferizaj e është rritur në Londër, ka licencën B të UEFA-s për trajner dhe thotë se shumë shpejt do të vazhdojë edhe me dy licencat kryesore për t’u bërë një ndër trajnerët më të rinj me këtë të arritur.

Ndihmëstrajneri i Skënderbeut pret një kontakt nga Federata e Futbollit të Kosovës, për të cilën thotë se është i gatshëm të ofrojë mësimet e tij të deritanishme për aspektin fizik dhe psikik.

“Kam magjistruar në temën “Forca edhe Kondicioni i një Atleti” dhe kam Bachelor të shkencave të sportit në Angli. Psikikisht, taktikisht dhe fizikisht jam i përgatitur si trajner që për mua është futbolli total, futbolli modern. Unë nuk besoj në talent të lindur, por në talent të punës. Secili aspekt i futbollit, kur e ke topin ti, i ke dhjetë opsione, por një ka më së shumti domethënie – duhet të jesh i mençur për të gjetur opsionin më të mirë në atë situatë. Ky është futbolli total”, shpjegon Asllani për portalin Koha.net.

27-vjeçari dëshiron që të ndikojë në aspektin fizik të lojtarëve shqiptarë, t’i afrojë ata në nivelin më të lartë të futbollit, pasi beson që ka shumë talente dhe se shqiptarët janë të flaktë për këtë sport.

“Është koha të tregojmë që kemi talent. Po e shoh te Skënderbeu. Jemi të flaktë për futboll, mund të arrijmë çkado. Kam shumë shpresa se në Kosovë ka supertalente, veç duhet një grup profesionistësh që duan ta ndihmojnë vendin dhe të mos bëjnë gjithçka për para. Duhet të punojmë shumë më shumë fizikisht dhe psikikisht sepse e kam vënë re që po kënaqemi me pak. Mentaliteti është shumë me rëndësi në futboll. Besimi është fillimi i arritjes. Edhe nëse luan me Barcelonën, nuk duhet menduar para lojës se ke me humbë. Është një vijë shumë e hollë mes fitimit dhe humbjes. Kjo është koncentrimi total deri në sekondën e fundit. Futbolli është ekip. Pep Guardiola e Diego Simeone luajnë si ekip. Janë të përsosur”, konstaton ai.

Ai ka shtatë muaj që është pjesë e kampionit të Shqipërisë, me ftesë të klubit të njohur. Thotë se mezi ka pritur që t’i bashkohet futbollit shqiptar dhe të mësojë për të e t’i japë ato që ai ka mësuar.

“Nuk kam menduar kurrë se do të vij në Kosovë apo Shqipëri, por kur më erdhi oferta, thash me vete: pse jo. Desha të mësoj më shumë për futbollin shqiptar. Shumë mirë më kanë pritur, jemi përshtatë menjëherë. Me Mirelin (Josa), trajnerin kryesor, kam shumë marrëdhënie të mira. Dua të punoj më shumë”, thotë Asllani.

Ndërkaq, thotë se pas pranimit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, dëshiron të jap kontribut për të arritur më shumë.

“Për mua reklama më e mirë për një shtet është futbolli”, shprehet ai.

Asllani shprehet se ka ofruar planin e tij për klub në forma të ndryshme dhe pret që ai të zbatohet nga edicioni i ardhshëm, kur korçarët synojnë të mbrojnë titullin e kampionit për herë të shtatë rresht.

Ai ka cak që të bëhet një nga trajnerët më të rinj në botë me klube të mëdha. Suksesi i tij ndër më të mëdhenjtë është titulli i trajnerit më të mirë ‘hetues’ në një garë të trajnerëve të rinj.

“Kam qenë në Itali për dy javë me Diego Simeonen e trajnerë të tjerë të njohur, si Antonio Gomes, trajner personal i Ronaldos brazilian, dhe kam fituar titullin “Young Investigator” ku ishin 17 shtete, 43 studentë”, tregon Asllani për Koha.net.

Asllani tregon më tej se ka punuar pak me moshat e reja të Arsenalit. Ai për partner kishte Roy Pack, një prej themeluesve të futbollit në Australi. “Ky ka ndihmuar në një mënyrë për të gjetur futbollin përmes lojës ‘squash’ që ishte e njohur në Australi”.

Teknika dhe shkathtësia në shpejtësi. Këtë e vlerëson si futbollin më të mirë që ekziston tani. Sipas Asllanit, kjo e bën futbollin më inteligjent dhe më të mirin që ka ekzistuar deri tani.

“Futbolli modern është futbolli special. Për të qenë special duhet pasur shumë gjëra. Duhet roli i psikikës, taktikës, teknikës e fizikës, kështu që për të qenë trajner, duhet të jetë futboll total. Duhet të dihet çfarë po ndodh në çdo metër të fushës”, shpjegon ferizajasi.

Atij i pëlqen Barcelona për lojën që zhvillon, ndërsa për lojtar dallon Zinedine Zidanen, për të cilin thotë se ka qenë futbollist që nuk i ka munguar asgjë.

“Nëse Kosova do që të arrijë sukses, duhet ta bëjë një ekip profesionist, me analiza që bëjnë, me hulumtime, me gjithçka. Pranimi është motiv i madh. Futbolli tani është bërë biznes. Tash do të motivohen të gjithë në futboll”, shton ai.

Asllani është në përgatitje të një libri. Ai thotë se me të planifikon që të realizojë një lloj strukture se si duhet rritur një lojtar prej moshës së re derisa të hyjë në punë, nëse nuk hyn në futboll.

“Kosovës i duhet një program që një futbollist gjithmonë të ketë një opsion B nëse dështon në futboll, si opsionin A”, shprehet ai.

Asllani thotë se futbollistëve iu duhet një nivel i kondicionit olimpik, jo profesionist. Ai thotë se niveli olimpik është niveli kur futbollisti nis lojën më ngadalë sesa në momentet e fundit të ndeshjes. Sipas tij, ky është problem edhe i Shqipërisë, që disa herë ka pësuar në minutat e fundit të ndeshjes. Asllani mendon se ky aspekt ka qenë edhe suksesi i Leicesterit në Premier Ligë të Anglisë që befasoi duke u bërë kampion i sivjetmë.

Plani i tij është që brenda dhjetë vjetësh të nxjerrë vazhdimisht futbollistë që do të luajnë në nivelin më të lartë të futbollit në botë.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img