25,04,2024

Theresa May te Merkeli

Must Read

Është udhëtimi i saj i parë në botën e jashtme: një javë pas emërimit si kryeministre e Britanisë së Madhe, Theresa May vjen për një vizitë prezantuese në Zyrën Kancelarore. Berlini politik është i gëzuar.

Kur të mërkurën në Zyrën Kancelarore kamerat, aparatet fotografike dhe celularët do t’i drejtohen Theresa May-t, shumë me siguri do t’i drejtojnë kamerat edhe tek këpucët e saj. Në mediet gjermane është folur që prej marrjes së postit nga May shumë për modën ekstravagante të këpucëve të saj. Këpucët me të cilat do të vijë May në Berlin do t’u interesojnë shumë vetëve, konkretisht dhe në kuptim figurativ.

Paqartësi për datën e ndarjes

Por pavarësisht nga këpucët, si Theresa May ashtu edhe Angela Merkel ndodhen të dyja fort në tabanin e rrethanave realpolitike. “Brexit është Brexit”, tha May pas referendumit në May. Në përputhje me këtë, ajo mori në kabinetin e saj njërin nga mbështetësit më të fuqishëm të Brexit, Boris Johnson-in dhe emëroi si koordinator për Brexit një kritik të BE. Me referendumin May nuk ka ndërmend të merret më. Pyetja që shtrohet është vetëm se kur do të kërkohet ndarja. Së fundi në Londër u tha se kjo mund të zgjasë deri në vitin 2017. Britanikët duan të fitojnë kohë, në fillim të bien dakord për një strategji negociimi dhe pastaj të fokusohen te dalja.

Merkeli nga ana e saj e bëri të qartë në një deklaratë qeveritare në Bundestag se në negociatat për dalje nga BE Britania e Madhe nuk do të ketë mundësi të zgjedhë menynë që i shijon më mirë. Merkel tha se negociatat për dalje nga BE mund të fillojnë vetëm pas aktivizimit të Nenit 50, paragrafit të ndarjes të BE. Me këtë deklaratë Merkeli e uli pak ritmin e procesit, megjithë disa deklarata në kundërshtim me këtë nga BE. Njëkohësisht ajo shenjoi pretendimin për pushtet në negociata.

Bashkëpunim pas Brexit

Kryeministrja britanike do të pritet në orën 17:30 me nderime ushtarake. Pastaj do të pasojë një bisedë dhe një darkë pune me Merkelin. Pastaj është planifikuar një konferencë e përbashkët shtypi. Të hënën zëdhënësi i qeverisë, Stefan Seibert tha se Merkeli dhe May deri tani e kanë njohur vetëm në telefon njëra-tjetrën. Tani është një shans që “të flasin pak më hollësisht me njëra-tjetrën”. Merkeli do të paraqesë në bisedë pozicionin gjerman. Njëkohësisht, thotë Seibert, në bisedë nuk do të zhvillohen negociata paraprake. Kancelarja pret me interes se “çfarë do të sjellë May me vete nga Londra”.

Informacione shtesë u bënë të ditura në mediet britanike. Zëdhënësi i Mayt tha se në rend të ditës janë tema bilaterale, bashkëpunimi në sfidat globale dhe fakti se si mund të bashkëpunojnë të dyja vendet në përgatitjen e Brexit-it.

E njohur si mbështetëse e vijës së fortë

Fushë potenciale konflikti midis May dhe Merkelit mund të jetë çështja e lëvizjes së lirë të punonjësve. May konsiderohet si mbështetëse e vijës së fortë në politikën e migrimit. Ajo do ta pakësojë migrimin nga shtetet e BE, gjë që ajo e ka treguar qartë në gjashtë vitet e fundit si ministre e Brendshme. Kurse Merkeli në këtë pikë, e cila është një nga kolonat mbajtëse të BE, është më tepër e pakompromistë. Edhe Zvicrës dhe Norvegjisë, shtete jo anëtare të BE, iu desh të bëjnë lëshime në çështjen e lëvizjes së lirë, për të fituar akses në tregun e brendshëm të BE.

Në një fushë tjetër May ka shpallur se do të orientohet tek Gjermania. Në Britaninë e Madhe ajo do që në të ardhmen, në këshillat mbikqyrëse të sipërmarrjeve të ketë edhe përfaqësues të punonjësve. Në mediet gjermane dhe në Berlin politik spekulojnë se May dhe Merkel teorikisht mund të kuptohen shumë mirë. Të dyja janë rreth të 60-ave dhe të dyja i kanë pasur priftërinj baballarët. Të dyja kanë mbaruar universitete që kanë të bëjnë me shkencat e natyrës dhe konsiderohen si politikane pragmatike. Nëse kontakti personal do të arrijë të vendoset – një përshtypje për këtë ndoshta do të japë edhe konferenca e përbashkët e shtypit./dw

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img