Lajme

Thaçi shkarkon Alma Lamën për t’i bërë vend ish-ambasadores Bukurije Gjonbalaj


Publikuar më:


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekretuar shkarkimin e Ambasadores së Kosovës në Itali, Alma Lama.

Vendimi është marrë më 23 të këtij muaji.

“Urdhërohet tërheqja nga Misioni Diplomatik i znj. Alma Lama, Ambasadore/Shefe e Misionit Diplomatik të Republikës së Kosovës në Republikën e Italisë. Ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Dekreti. Dekreti hyn në fuqi në datën e nënshkrimit”, shkruan në Dekretin e nënshkruar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, raporton Koha.net.

Ky dekret është marrë në mbështetje të nenit 84 pikat (4, 10 dhe 25) të Kushtetutës së Kosovës, nenit 6 të Ligjit nr. 03/L-094 për Presidentin e Republikës së Kosovës, nenit 23 (I.I) të Ligjit nr 03/L – 122 për Shërbimin e Jashtëm të Republikës së Kosovës, nenit 3 (4) të Rregullores (P) nr. 02.2016 për Strukturën Organizative të Presidencës (08.09.2016), si dhe duke marrë parasysh shkresat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të pranuara nga Zyra e Presidentit më 25.07.2018 dhe 08.08.2018.

Lama ishte ngarkuar me punë në postin e Ambasadores së Kosovës në Itali më 2016, pas koalicionit qeverisës të arritur mes LDK-së dhe PDK-së, me ç’rast, deputetja e atëhershme, Alma Lama, e kishte dhënë votën për ta bërë president Hashim Thaçin.

Koha.net, nga burime brenda institucioneve qeveritare, ka mësuar se postin e Lamës do ta pasojë ish-Ambasadorja e Kosovës në Itali, Bukurije Gjonbalaj.

To Top