16,04,2024

Të drejtat e njeriut, të gjitha në një libër

Must Read

Ferizaj – Shtator 2020

Shkruan: Gëzim Arifi

Gëzim Arifi

Libri “Të drejtat e njeriut” i autorëve Dr. sc Sedat Ismajli dhe Dr. sc Skumbin Leka, është botuar nga Shtëpia Botuese “OM”.

Duke qenë tema më aktuale e gjithë njerëzimit, e cila preokupon institucionet më të larta të organizatave botërore dhe të vendeve veç e veç, duke ditur nevojën shumë të madhe të vendit tonë, Kosovës dhe të popullit tonë për t’u informuar dhe njohur me të drejtat e tyre, Dr. Sedat Ismajli dhe Dr. Shkumbin Leka, i kanë bashkuar forcat për realizimin e projektit të tyre shumë domethënës që ka të bëjë me të drejtat e njeriut. Dy studiuesit, kanë arritur që para pak ditësh ta botojnë librin e tyre studimor të titulluar “Të drejtat e njeriut”.

Synimi drejt mbrojtjes së dinjitetit njerëzor ndaj të gjitha qenieve njerëzore gjendet në mjedisin e konceptit të të drejtave të njeriut. Këtë koncept e vendos njeriu në qendër të vëmendjes. Koncepti përbëhet ndaj sistemit të përbashkët universal nga vlerat kushtuar jetës së shenjtë dhe siguron kornizë për ndërtimin e sistemit të të drejtave të njeriut, i mbrojtur me normat dhe standardet e pranuara ndërkombëtare. Këto vlera kombëtare dhe ndërkombëtare na janë sjellë, elaboruar dhe dokumentuar në librin “Të drejtat e njeriut”, i cili plotëson një vakum në ndërthurjen e të gjitha konventave, ligjeve dhe traktateve që kanë të bëjnë me njohjen, por sidomos me mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Autorët, Ismajli dhe Leka, e kanë theksuar se qëllimi i tyre për realizimin e librit me titull “Të drejtat e njeriut”, është që të paraqesin një instrument të rëndësishëm, i cili do t’u japë kahe në identifikimin e elementeve qenësore dhe të karakteristikave të të drejtave të njeriut në kuadër të sistemit juridik ndërkombëtar dhe nacional, si dhe të infrastrukturës institucionale për mbrojtjen e tyre në nivelin ndërkombëtar.

Në këtë libër jepet një pasqyrë e sigurimit të aftësive dhe njohurive të praktikuesve të ardhshëm juridikë për më shumë të drejta dhe parime, sikur që është e drejta e jetës, ndalesa e mundimit, veprimi jonjerëzor ose nënçmues, ose ndëshkimi, e drejta e barazisë është parimi i mos diskriminimit, e drejta e lirisë dhe sigurisë, e drejta e gjykimit të drejtë, e drejta e jetës private dhe familjare, strehimit dhe korrespondimit, lirinë e të menduarit, ndjenjës dhe besimit (fesë), lirinë e shprehjes, të drejtën e votës dhe të drejtën në zgjedhje të drejta dhe të lira, lirinë e tubimeve dhe të shoqërimit, lirinë e qarkullimit, si dhe të sistemit të përhershëm në mbrojtjen e të drejtave të njeriut në nivelin universal dhe rajonal.

Materiali në këtë libër është sistematizuar në atë mënyrë, e cila lexuesve do t’u mundësojë që ta kuptojnë rëndësinë e të drejtave të njeriut dhe të mbrojtjes së tyre.

Ky libër, autorët e tij, i kanë dhënë rëndësi të posaçme çështjeve qenësore dhe aktuale, të cilat kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut duke filluar nga korniza ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, përpunimi i të drejtave të njeriut ndërkombëtarisht të pranuara, instrumenteve dhe mekanizmave përmes të cilave mbrohen të drejtat e njeriut, si dhe përpikëria dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës.

Andaj, duhet të shtoj se për çfarëdo informacioni që ju mund të keni nevojë ta dini rreth të drejtave të njeriut, për të gjitha konventat e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe mekanizmave të saj, të rregulloreve dhe konventave Evropiane, si dhe të gjitha strukturat dhe organizimin e institucioneve evropiane; pastaj vlefshmërinë dhe ligjshmërinë e mekanizmave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e shumë e shumë informacione të tjera; si dhe ajo që është më e rëndësishmja, një studim krahasimor dhe me shumë rekomandime se si t’i njohim, përvetësojmë dhe t’i zbatojmë të gjitha këto mekanizma juridike, do t’i gjeni në librin “Të drejtat e njeriut” të autorëve Dr. sc Sedat Ismajli, dhe Dr. sc Shkumbin Leka.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Një muaj paraburgim ndaj V.A., i dyshuar për vrasjen e ish-gruas në Ferizaj

Ferizaj, 13 prill 2024 – Gjykata Themelore në Ferizaj – Departamenti i Krimeve të Rënda  ka aprovuar kërkesën e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img