Ferizaj

Shtëpi për familjen Asllani nga Ranca e Shtimes


Publikuar më:


Familja 6 anëtarëshe Asllani nga Ranca e Shtimes ka lënë prapa krahëve jetën e vështirë që bënte në një shtëpi gjysmë të rrënuar. Një grup i grave nga Kanadaja dhe Shoqata Humanitare “Feniks” kanë bashkuar mjetet për të zgjidhur problemin e kësaj familjeje që jetonte në kushte të varfërisë ekstreme.
Kryefamiljari Naim Asllani nuk mund të fshehte emocionet në këtë ditë, kur po merret çelësat e shtëpisë së re, të ngritur falë njerëzve të vullnetit të mirë.
“Kam jetuar në kushte të rënda dhe në pamundësi për të ndërtuar një shtëpi. Nuk ka më keq se kur sheh fëmijët pa një kulm mbi kokë dhe nuk mund të bësh zgjidhje. Nuk punoj askund dhe jetoj në kushte rënda. Falënderoj gratë nga Kanada dhe kryetarin e shoqatës, për këtë ndihmë”, ka thënë Naimi.
Milaim Jashari, kryetar i SHHB “Feniks” nga Ferizaj ka shpjeguar se Forumi i grave të Kanadasë ka tubuar mjetet për shtëpinë e Naimit, ndërsa një pjesë të tyre e ka siguruar shoqata.
“Kjo shtëpi ka kushtuar 16 mijë euro, 12 mijë janë mjete të këtyre bamirëseve, ndërsa 4 mijë të shoqatës. E veçantë tjetër është se këto bamirëse kanë ndarë edhe 2900 euro për renovimin e shtëpisë së vëllait të Naimit, po në këtë vend”, ka thënë Jashari, ndërsa ka shtuar se njerëzit gjithnjë e më shumë po përkrahin shoqatën, pasi kjo po menaxhon dhe investon si duhet në projekte kësodore humanitare.
“Ne nuk do të ndalemi, por do të punojmë më shumë me këtë popull që po na përkrah pa rezervë”, ka thënë Jashari.
Ndërsa Zejnepe Aliu ka folur rreth organizimit të grave në Kanada për të bërë një projekt të shtëpisë për nevojtarët në Kosovë. Ka pasur, sipas saj, disa opsione po shorti e ka përcaktuar familjen Asllani.
“Ne për çdo 8 mars tubohemi dhe mjetet e grumbulluara, tash e sa vite i kemi ndarë për familje në nevojë, deri në 3 mijë euro. Këtë 8 mars, menduam të financojmë ndërtimin e një shtëpie. Jemi frikësuar në fillim, por ia kemi dalë të gëzojmë këtë familje”, ka thënë zonja Aliu.
Drejtues të shoqatës kanë përmendur me këtë rast edhe donatorin ferizajas, marketin ‘Eli-Ab” që ka finansuar ndërtimin e disa shtëpive në Ferizaj, duke shprehur falënderimet për kontributin dhënë në aspektin e ndërtimit të shtëpive për nevojtarë./Tv Liria

Comments
To Top