Ferizaj

Spitali i Ferizajt me më shumë pacientë në vitin 2019


Publikuar më:


Rritja e shërbimeve mjekësore, rritja e besueshmërisë së pacientëve, rritja e investimeve ishin disa nga të arriturat e vitit 2019 në sektorin e shëndetësisë në Ferizaj, përderisa hapësirat e vogla mbeten ende sfidë për Spitalin e Ferizajt.

Spitali i Përgjithshëm i Ferizajt sot ka shpalosur punën dhe të arriturat e vitit 2019, sipas Drejtorit të këtij Spitali Doktor Jeton Zeqirit gjatë këtij viti janë kryer mbi 200 mijë shërbime të ndryshme shëndetësore, kurse hapësirat e ngushta mbeten ende sfidë për këtë spital.

Drejtori Zeqiri në një intervistë të dhënë për Televizionin Liria theksoi se besueshmëria e pacientëve është rritur gjatë vitit, për vet faktin që Spitali i Ferizajt  ka pasur numër të shtuar të pacientëve.

“Për vet faktin që Spitalin e kanë vizituar kaq shumë pacientë kjo do të thotë që është rritur besueshmëria, kjo na bënë neve të lumtur që jemi në rrugë të drejtë, jemi duke e bërë një punë të madhe, viti 2019 ka qenë vit i investimeve, rritjes së shërbimeve, por sfidë e jona në këtë spital është hapësira e vogël” tha Zeqiri

Për punën e mirë me mirënjohje u shpërblyen edhe mjekët dhe infermierët, gjinekologia Minire Alilaj ishte njëra ndër mjeket e shpërblyera, e cila vlerëson lartë punën e repartit ku ajo punon.

Sipas Alilajt edhe pse reparti i gjinekologjisë ka vetëm dy dhoma ku qëndrojnë gratë dhe një dhomë të pranimit, në këtë repart prej fillimit të vitit 2019 e deri më tani janë kryer 1 mijë e 600 lindje.

3 milion e 400 mijë euro ka qenë buxheti i shëndetësisë në vitin 2019 në Ferizaj, përderisa pritet rritje të këtij buxheti në vitin 2020.

Prezantimi për punën dhe sukseset e arritura gjatë vitit 2019
# Hospitalizime 3,950
# Ditët spitalore 13,990
# Operacionet 2,489
# Lindjet 1,644
# Vizita ambulantore 106,900
# Vizita emergjente 38,983
# Dializime 10,850
# Laboratori 101,900 analiza
# Egz.Usg 5,295
# Egz. Rö 7,262
Totali:215,062

To Top