19,04,2024

Shtimja bëhet me palestër sportive, Veseli thotë se kanë obligime për vendin

Must Read

Vendi që kujtohet për historinë e një ndër masakrave më të tmerrshme të njerëzimit, atë të Reçakut, në 11-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, u bë me palestër sportive, raporton Ekonomia Online.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit së bashku me Komunën e Shtimes, ndërtuan palestrën sportive në këtë qytet, një investim ky i cili ka kapur shifrën e 2 milion e gjysmë eurosh.

Ministri i MKRS-së, Kujtim Gashi, më përurimin e kësaj palestre tha se ky projekt ka qenë shumë i stërzgjatur, por ai paralajmëroi edhe ndërtimin e Qendrës Rinore në këtë komunë.

“Jam i lumtur që për një periudhë të shkurtë kemi arrit ta përmbyllim njërin nga projektet më të rëndësishme të sportit, projekt ky që ka kushtuar rreth 2 milion e gjysmë. Ky investim është nga ministria e kulturës rinisë dhe sportit bashkë me komunën e cila ka investua në këtë objekt. Jemi zotu që brenda një periudhe rë shkurtë ta përmbyllim këtë projekt të stërzgjatur. Ne tashmë kemi përmbyllë edhe projektin e stadiumit. Po ashtu jemi dakorduar që Shtimes të ia ndërtojmë edhe Qendrën Rinore”, tha Gashi.

Shtimja priti edhe njërin ndër miqtë më të mëdhenj të Kosovës, ish ambasadorin e OSBE-së në Kosovë, William Walker.

Ky i fundit ishte i ftuar me kërkesën e kryeparamentarit Kadri Veseli. Ai tha se ai sa herë vjen në këtë qytet atë e përcjellin kujtime të zymta pasi që atij këtu gjithmonë i kujtohet masakra e Reçakut.

“Jam këtë pasdite nga një befasi dhe shumë papritur që të vij këtë dhe ta shoh këtë sallë shumë të bukur. Çdo herë që e vizitoj Shtimen unë vij për një rast të zymtë që ka ndodhë para 20 vitesh si masakra e Reçakut”, tha Walker, raporton Ekonomia Online.

Ish ambasadori Walker tha se Kosova nuk duhet të veçohet vetëm për lajme të këqija por edhe të mira.

“I ndjeka lajmet për Kosovën që paraqiten në lajmet ndërkombëtare dhe zakonisht ka disa lajme të këqija. Medaljet e arta në xhudo, futbollistët kosovarë që luajnë në ekipe të famshme ndërkombëtare janë lajme të mira që vijnë shpesh nga Kosova edhe në sport e kulturë që ju e keni dëshmuar. Jam shumë i gëzuar që jam këtu në këtë moment me ju. Do doja të dëgjoj edhe emra të rinj nga qyteti i Shtimes që marrin medalje anembanë botës”, tha ai.

Aty i pari i Kuvendit, Kadri Veseli, tha se Shtimja ka qenë kampion i lirisë dhe se shpreson që një epitet të tillë do ta marrë edhe në fushën e sportit.

“Jam shumë i sigurt që Shtimja ka qenë kampion i lirisë e shumë shpejt do jetë kampion edhe në sport. Edhe për mua ka qenë befasi ardhja e ambasadorit Walker. Zakonisht ambasadori Walker vjen në Shtimë në momente që janë të ndjeshme por edhe krenare të kaluarës sonë ku gjithë ata njerëz tanë, gra dhe burra u masakruan nga forcat ushtarake serbe. z.Walker, ne e dimë qa ju e keni përkrahë Kosovën dhe të drejtën populli i Shtimes nuk ju harron kurrë”, tha Veseli, raporton EO.

Në mesin e lavdeve për ambasadorin Walker, Veseli tha se ata kanë shumë obligime ndaj Shtimes.

“Shtimja e meriton këtë vepër të bukur. Do vazhdojmë me investime tjera në Shtime së bashku me kryetarin Ismajli. Ne kemi shumë obligime ndaj Shtimes dhe Kosovës. Do vazhdojmë investime edhe në fushën e ndërmarrësisë pasi që ajo është fuqizimi i shtetit tonë ekonomikisht dhe politikisht. Krenohuni me të kaluarën e juaj dhe me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, shtoi Veseli.

Ndërsa, kryetari i Shtimes Naim Ismajli, tha se ky projekt u mundëson sportistëve të Shtimes që talentin e tyre në sport ta zgjerojnë edhe përtej këtij qyteti e madje edhe Kosovës.

“Një projekt i tillë do krijojë mundësinë tek sportistët tanë që talentin e tyre ta zgjerojnë dhe të bëjnë që sporti në Komunën e Shtimes të jetë një prej sporteve më të promovuara”, tha Ismajli.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img