Ferizaj

Shtatorja e Kadri Zekës, Komisioni zgjodhi fitues kolegun e tyre


Publikuar më:


Skulptori Agon Qosa, një nga kandidatët konkurues për ndërtimin e skulpturës së Kadri Zekës, e cila do të vendoset në Gjilan, pretendon se Komisioni vlerësues është gjendur në konflikt interesi kur ka bërë përzgjedhjen e fituesit.

Kompania fituese për ndërtimin e skulpturës së Kadri Zekës është “Onix” Sh.p.k me skulptor Sabri Shaqiri me ofertën në vlerë 70 mijë euro.Por, Qosa pretendon se Komisioni Vlerësues me përbërje të trë profesorëve të Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës, skulptori Adem Rusinovci, piktori Mehmet Behluli dhe dizajneri Genc Rezniqi, kanë përzgjedhur fitues projektin e Sabri Shaqirit, i cili po ashtu është profesor dhe koleg i tyre në Fakultetin e Arteve.

Maketa e profesorit të qeramikës në Fakultetin e Arteve, Sabri Shaqiri është shpërblyer me vendin e parë me 99.95% nga anëtarët Komisionit vlerësues. Ndërsa maketa e skulptorit Agon Qosa është shpërblyer me vendin e tretë me 52.98%.

Qosa tha për KALLXO.com që edhe pse ka përmbushur të gjitha dimensionet ndërkombëtare, punimi i tij është poentuar pak dhe nuk është përzgjedhur fitues i këtij projekti.

“Kadri Zeka është vrarë në moshën 29 vjeçare, ndërsa skulptura që ka marrur votën maksimale është në moshën 60 vjeçare”, tha Qosa.Kryetari i Komisionit Vlerësues, Adem Rusinovci tha se zgjedhja e kolegut të tij, Sabri Shaqirit si fitues nuk përbën konflikt interesi pasi ajo ka përmbushur standardet e kërkuara.

Por, sipas tij nëse do të ishte konflikt interesi edhe përzgjedhja e Agon Qosës si fitues do të përbënte konflikt interesi pasi edhe ai ka qenë student i tyre në Fakultetin e Arteve.

“Agoni ka qenë student tek ne edhe ne kemi qenë një juri shumë profesionale. Kështu që kemi dhënë poentimin dhe vlerësimin. Secili prej nesh ka vlerësuar në mënyrë shumë të pavarur. Me shumë përgjegjësi them se boceti që është përzgjedhur ka qenë më i miri dhe unë qëndrojë prapa poentimit dhe vlerësimit që kemi bërë”, tha Rusinovci.

Rusinovci tha se maketa e Qosës nuk ka përmbushur kriteret artistike dhe se ajo ka qenë mbi dimensionet që kërkoheshin.

“Agoni është dashur ta analizoj proporcionalisht. Ne e kemi poentuar duke marrë parasysh shumë kritere si në qëndrim, karakter edhe në lëvizje dhe shumë faktorë tjerë që të determinojnë të japësh vlerësim”, tha Rasinovci.

Ndërsa, Izet Kurteshi, drejtor i Prokurimit në komunën e Gjilanit ka thënë se komuna nuk e ka përgjegjësi vlerësimin artistik pasi komisioni profesional i ka vlerësuar ata në këtë aspekt.

Përveç kësaj kompania fituese me skulptorin Sabri Shaqiri kishte dorëzuar ofertën më të shtrenjtë krahasuar me dy kompanitë e tjera ofertuese.

To Top