29,03,2024

Shkolla, vizion i ardhmërisë

Must Read

Qenia jonë përbëhet nga shumë faktorë. Them i ngjanë një lëmshi me shumë fije. Tërësia e veçorive dalluese psikike të karaktereve e bëjnë individin. Individët e shumtë përbëjnë potencialet njerëzore.
Ky potencial njerëzor përbën fuqinë që drejton zhvillimin e gjithëmbarshëm të një një vendi.
Po ta imagjinojmë shoqërinë si një makineri që rrokulliset dhe udhëton drejt cakut të saj, na parashtrohen pyetjet : – si është formësuar kjo shoqëri, cila është fuqia e lëvizjes së rrotës që ngreh dhe cili është caku ku do të arrijnë?
Shkollimi tash e mijëra vite më parë ka qenë dhe mbetet baza më e fuqishme për ngritjen e potencialit njerëzor. Libri është mjeti i parë që hynë në punë për formimin e çdo individi, pa përjashtuar këtu që edhe puna është një vlerë shumë e rëndësishme për të zhvilluar dijen dhe njohuritë. Në disa nga shkencat puna praktike përbën bazën për shkrimin e librave të nevojshëm dhe formulimin e mësimeve.
Krejt çka nevojitet nuk është vetëm të ekzistoj shkolla apo të regjistrohesh në shkollë apo të nxjerrësh kuadro me shifra të mëdha. Është diçka që krahas të mësuarit se si të bëhesh ekonomist, inxhinier, mjek , artis, sportist, gjeograf, matematikan ose tjetër e bënë këtë makineri rrotulluese shumë më të fortë dhe më të qëndrueshme gjatë lëvizjes së saj drejt qëllimit të paracaktuar.
E kjo është dashuria ndaj atdheut, dashuria ndaj vendit tënd, popullit tënd.
Çdo ngritje në shkollim çdo avancim i dijes, secila punë që është bërë profesion i dikujt, duhet të mbështetet dhe të motivohet nga një dashuri dhe krenari e madhe e të qenunit Shqiptarë, Kosovarë.
Vullneti dhe ideali për të i shërbyer këtij vendi, çdo pune i japin vlerë shtesë, bazën dhe të ardhmen njëkohësisht.
Ngritja e kapaciteteve profesionale duke u mbështjellë me atdhedashuri shtyn në margjina tendencat e egoizmit për grumbullim dhe përvetësim të të mirave në forma oligarke, dhe lejon shpërndarjen e tyre me formula të barazuara me projeksione të rritjes dhe shumëzimit të tyre edhe për vitet që pasojnë.
Projeksionet për një të ardhme duhet të jenë qëllimi i lëvizjes së tërësisë së potencialeve njerëzore dhe caku i kësaj lëvizjeje rrotulluese, interaktive.
Në shkollë do të nisin rrugëtimin e tyre për çdo vit gjenerata të reja. Fillestarë, fillorist. Që tani duhet ta kemi të qartë se kah do të i orientojmë këto personalitete, duke i vështruar dhe trajtuar sikur para nesh janë heronjtë e ardhmërisë sonë, ai që do të na shëron , do të lidhë urat e miqësisë apo urat e bashkimit të dy maleve, ai që na ndërton shtëpinë , termocentralin etj.
Detyra më e shenjtë për të punuar me të rinjtë në shkolla i’u bie në nderë mësimdhënësve; mësues, arsimtarë , profesor.
Ata më të privilegjuar, si askush tjetër kanë para vetes një shans për të artikuluar fjalë dhe dije për shumë shpirtra të rinj të cilët brenda një hapësire të kufizuar siç është klasa do të mbajnë sytë e veshë çka do të flet goja e mësuesit, do të vështrojnë përnjëherë 25 apo 30 palë sy këtë qenie të bekuar që do të i besojnë shpeshherë më shumë se prindit, dhe do ta respektojnë e do ta nderojnë, sigurisht, në kujtimet e tyre për gjithë jetën.
Mësimdhënës të nderuar, mësojini këta fëmijë të dashur e shumë të përkushtuar ndaj jush, mësojini të duan atdheun e tyre. Të duan shumë Kosovën dhe mëmë Shqipërinë. Mësojini vjershat më të bukura që të i thonë për çdo ditë, për atdheun për popullin shqiptarë. I’a thuani këtë të vërtetë për çdo ditë. Që ne jemi një popull i vjetër, më i vjetri në Ballkan. Që ne ishim këtu edhe atëherë kur s’ ishte askush para neve. Që Kosova ka qenë dhe është e bukur.
Që ne jemi popull për lakmi dhe që do ta ndërtojmë Kosovën. I’ a thuani këto gjëra që janë të vërteta. I’ a thuani lirshëm këto fjalë se askush nuk iu ndjek për fjalën e lirë.
Sa të etshëm ishim që të dëgjonim fjalë të mira e të bukura për vendin tonë dhe për popullin tonë në kohën e rinisë time. Sa me durim prisnim cili nga mësimdhënësit qoftë edhe mes rreshtash do të na fliste diçka për Shqipërinë, atë vend nga i cili na ndanë padrejtësisht.
Por nuk guxonin me folë. Jo nuk guxonin, se … shumë shpejt transmetuesit spiun do ta përcillnin atë fjalë deri te kolonët serb. Dhe për një fjalë të vetme dhe kur ajo ishte e vërtetë dhe reale ata humbnin punën, pastaj ia katandisnin të gjithë familjen.
Ata do të hanin burgun më shumë se gjithçka tjetër që do të arrinin. Por që atëherë një fjalë e vetme për atdheun fillonte e ngjiste mirë formën e personalitetit të gjeneratave të reja. Nga ato fjalë me të cilat ushqenim dashurinë ndaj atdheut u krijuan shumë vepra madhore : Protesta, demonstrata, lufta për t’u çliruar nga okupatori serb.
Thuajeni pra të vërtetën për këtë vend. Mos lejoni të dashur mësimdhënës që një rrenë e okupatorit të deridjeshëm të u’a shpjegojë ndryshe këtë vend gjeneratave të veta, nga se ata helmohen nga të pavërtetat e vjellin helm, ndërsa të rinjtë tanë rriten me të vërtetën dhe ndërtojnë hoje mjalti në vendin e vet.
Vizioni për të ardhmen nisë çdo vit me gjenerata të reja në klasat e para.
Nga: Tahire Berisha Abazi, Ferizaj.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img