26,04,2024

Shkolla e Agrobiznesit dhe Teknologjisë në Ferizaj ofron përgatitje cilësore për tregun e punës

Must Read

Ferizaj, 6 dhjetor – Përfaqësues të shkollës së mesme të Lartë për Teknologji dhe Agrobiznes “Zenel Hajdini” në Ferizaj kanë kërkuar vetëdijesim nga prindërit dhe qytetarët që t’i sjellin fëmijët e tyre në drejtime të bujqësisë derisa kjo shkollë ofron kushte dhe përgatitje cilësore të nxënësve për tregun e punës, shkruan Koha Ditore.

Në këtë shkollë ekzistojnë të gjitha llojet e kabineteve për drejtimet teknologji Ushqimore, Pemtari-Veshtari, Lavërtari-Perimtari, Mbrojtje e bimëve, Hortikulturë, Agrobiznes, Veterinari dhe Përpunim i Drurit, mirëpo aty regjistrohen po thuajse shumica e nxënësve më të dobët të kësaj komune të cilët nuk kanë mundur të regjistrohen nëpër shkolla të tjera.

Gjatë viteve të fundit gradualisht po bije edhe interesimi i nxënësve për tu regjistruar derisa qytetarët dhe prindërit nuk janë informuar drejtë se çfarë drejtimesh ofron ky institucion dhe se të diplomuarit a mund ta kenë më të lehtë punësimin e tyre apo hapjen e bizneseve vetjake.

15355987_10209355345698948_410093965_n

Abdullah Imeri, ushtrues detyre i drejtorit në këtë shkollë, ka kërkuar vetëdijesim për qytetarët dhe prindërit që t’i kuptojnë saktë drejtimet të cilat i ofron kjo shkollë e cila deri tashti ka mbetur pas dore.

“Shkolla e Agrobiznesit dhe Teknologjisë prej disa vitesh është margjinalizuar dhe nuk i është dhënë ndonjë rëndësi. Por kjo shkollë është një ndër shkollat e cila është më e përgatitur derisa ofron kushte për përgatitjen e nxënësve për tregun e punës. Shumë herë pa vetëdije është bërë edhe antipropagand për këtë shkollë duke aluduar se ka numër të vogël të nxënësve por si shkollë profesionale ka numër solid pra aq sa parashihet të kenë shkollat profesionale pavarësisht që viteve të fundit ka rënë numri i tyre, mirëpo në këtë shkollë shumica e nxënësve vijnë të dobët derisa nuk mund të regjistrohen në shkolla të tjera. Ndërkaq ne kërkojmë nga prindërit të vetëdijesohen sepse kjo shkollë sjellë cilësi të mirë dhe nxënësit do ta kenë shumë të lehtë çështjen e punësimeve”, ka thënë Imeri.

Sipas tij, në këtë shkollë duhet të regjistrohen edhe nxënës të shkëlqyeshëm derisa brenda një viti nxënësit do t’i ndjekin nga 3 lëndë të kimisë dhe shumë lëndë të tjera të rëndësishme, pastaj secili prej tyre mund të hapë biznes vetjak me pak buxhet dhe në këtë mënyrë mund të ecin përpara.

“Nxënësit e kësaj shkolle subvencionohen nga komuna në forma të ndryshme për udhëtime, pastaj përfitojnë ndërtim të serrave, lopë qumështore, fidane të mjedrës dhe shumë subvencione të tjera të cilat lidhen me drejtimet përkatëse të tyre. Prandaj nxënësit e drejtimeve gjuhësore do të presin me vite të tëra për ta zënë një vend të punës, kështu që ne ofrojmë kushte dhe përgatitje profesionale, ndërkaq nxënësit tanë nuk do ta kenë brengën për punësime”, ka bërë me dije Imeri. Ai ka shtuar se kjo shkollë numëron gjithsejtë 480 nxënës.

Ndërkaq, Adifede Avdyli profesoreshë e lëndës dizajn për interier dhe teknologji të përpunimit të drurit, ka shpjeguar se me këtë drejtim komuna e Ferizajt është mjaftë e zhvilluar.

“Me këto drejtime pa dyshim se asnjë nxënës nuk do të mbetët pa punë sepse edhe si qytet jemi të njohur me përpunimin e drurit. Pastaj, Kosova ka shumë nevojë për kuadro të dizajnit interier të cilët luajnë një rol shumë të rëndësishëm për renditjen e mobilieve brenda hapësirave të shtëpisë etj. Kemi talent shumë të mirë të cilët i kryejnë edhe praktikat e ndryshme, pastaj e kemi edhe kabinetin nëpërmjet të cilit ua demonstrojmë të gjithë nxënësve se si bëhet përpunimi i drurit apo si bëhen dizajnët e ndryshme”, ka thënë ajo.

Nga ana tjetër Muhamet Halili drejtor i arsimit në komunën e Ferizajt, ka thënë se komuna vazhdimisht ka ndarë subvencione për nxënës të suksesshëm në drejtime të ndryshme të kësaj shkolle, andaj subvencione të tilla do të kenë edhe gjatë viteve të ardhshme.

“Jemi duke bërë fushatë që nxënësit të vazhdojnë mësimin në këtë shkollë derisa komuna ofron subvencione për ndërtim të serrave dhe po të jetë e nevojshme do ta rrisim numrin e tyre në sasi më të mëdha brenda mundësive buxhetore”, ka thënë Halili. Ai shpjegon se sivjet në përgjithësi ka pasur rënie të dukshme të numrit të nxënësve, duke shkaktuar njëkohësisht edhe uljen e numrit të paraleleve në krahasim me vitet e kaluara.

“Të gjithë ata nxënës të cilët kanë dëshirë të merren me agrobiznes dhe agrikulturë do ta kenë mundësinë t’i gëzojnë edhe subvencionet qoftë nga drejtoria e bujqësisë por edhe nga donatorë të ndryshëm në mënyrë që këta nxënës në të ardhëm të jenë agronom të suksesshëm, të jenë biznesmen, fermer etj”, ka kërkuar ai, shkruan sot KOHA Ditore

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img