27,04,2024

Shëndetësia kosovare me problemet e njëjta

Must Read

dsc-8246

Shëndetësia në Kosovë, në masë të madhe, vazhdon të ketë parregullsitë e njëjta për vite me radhe. Kështu e thotë edhe raporti i katërt monitorues i nxjerrë nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Se sektori i shëndetësisë vazhdon të përballet me parregullsi, ku më së shumti po e pësojnë pacientët, e thotë edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, njëherit anëtare e Komisionit të Shëndetësisë, Time Kadrijaj.

Kadrijaj për KosovaPress tha se një situatë e tillë në sektorin e shëndetësisë është i pritshëm përderisa me të udhëheq një ministër çfarë edhe e kemi.

“Asgjë nuk ka lëvizur nga aktualiteti kosovar në shëndetësi, po ballafaqohemi me të njëjtat probleme dhe me të njëjta sfida. Nuk ka përmirësim dhe nuk po pritet të ketë ndonjë përmirësim. Kemi pritur që ministri do të punoj në ligjin për sigurimet shëndetësore, që është një ligj i një rëndësie të veçantë, e që në fakt është edhe një shpresë për shëndetësinë kosovare, mirëpo ajo nuk ka ndodh dhe nuk pritet s të ndodh, edhe pse ka pas data se ajo do të bëhet shumë shpejtë”, tha Kadrijaj.

Anëtarja e Komisionit të Shëndetësisë, Time Kadrijaj ka treguar se në fillim të mandatit të ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, ka kërkuar që të rritet numri i inspektorëve shëndetësor, në mënyrë që të mbikëqyret shëndetësia, si ajo në sektorin publik ashtu edhe në atë privat. Në bazë të kësaj ajo tha se inspektorati është i obliguar që të mbledhë deklarata të personelit shëndetësor, historitë e sëmundjeve dhe në fund të del me një përfundim të asaj se çfarë po ndodh me shëndetësinë.

Nga ana tjetër, një ndër të shumtat probleme me të cilat përballen çdo ditë pacientët është edhe Klinika e Onkologjisë. Terapitë dhe kurimi i sëmundjeve që trajtohen aty është shumë i lartë. Deputetja Kadrijaj e përmend klinikën si një ndër rastet më të lëna anash, për çka do të duhej të mos mendohej dhe flitej në ditët e sotme.

Ajo tha se çdo ditë pranojnë thirrje nga pacientët që trajtohen në këtë klinikë, për të kërkuar ndihmën se si të dilet nga halli që kanë.

Ndërsa drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ekrem Hyseni tha për KosovaPress se kjo klinikë është duke funksionuar me repartin e Kimioterapisë, Radioterapisë dhe mjekimit ditor dhe se gjithashtu janë në funksion të gjitha aparaturat të cilat kërkojnë trajtim me radioterapi.

Ai përmendi edhe për disa nga urgjencat onkologjike,të cilat fillojnë brenda ditës, ndërsa sa i përket shërbimeve ato thotë se janë kryer të gjitha dhe sipas raportit për trajtim jashtë vendit janë dërguar vetëm dy raste për radioterapi, pasi që ajo ka qenë e llojit të radioterapisë specifike, të cilën në Klinikë nuk e ofrojnë. Por ai thekson se këto rate janë të rralla.

Hyseni, tha se furnizimi me barna në këtë klinikë ka qenë stabil. Por ai tregon se ka disa lloj të barnave, që janë në listën esenciale por që klinika nuk i posedon. Mirëpo këtë gjë ai nuk e cilëson si problem pasi barnat që mungojnë nuk kanë kosto të lartë tha Hyseni.

“Kemi pasur një furnizim relativisht stabil, shumica e produkteve të listës esenciale kanë qenë të planifikuar sipas nevojës, dhe ky lloj planifikimi na ka ndihmuar që pjesa e madhe e këtyre produkteve të ofrohet nga klinika. Janë disa produkte që nuk i kemi, janë produkte të listës esenciale por që ka mungesë të kontratave, për shkak të mungesës së ofertuesve, por që lajmi i mirë në këtë pjesë është që nuk janë produkte të shtrenjta. Bëhet fjalë për dy ose tre produkte të cilat përdoren në patologji, por që kostoja e tyre nuk është e madhe. Pra, sipas planifikimit dhe sipas nevojave, mbulushmëria për tre mujorin e parë ka qenë mbi 90 përqind gjatë gjithë kohës”, tha Hyseni për KosovaPress.

Numri i rasteve të reja gjatë kësaj periudhe ka qenë më i madh krahasuar me vitin e kaluar, por Hyseni tha që kjo rritje nuk ka qenë reale, por ka qenë vetëm shtim i raportimit të rasteve.

Hyseni beson se ky vit do të përmbyllet me një rritje relativisht të lehtë, duke theksuar që nuk ka vend për panik.

Ndërsa, sa i përket ankesave të pacientëve ai tha se nuk kanë pas ankesa direkte dhe se nuk kanë ankesa të depozituar në klinikë ose në SHSKUK.

Gjatë tre mujorit të parë të vitit 2016, në këtë klinikë janë kontrolluar 6 mijë e 771 por që nuk janë raste të reja.

Në Klinikën e Onkologjisë përveç që ofrohen shërbime për qytetarët nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, tani ofrohet ndihmë edhe për pacientë nga Shqipëria. Kjo edhe është arsyeja që pacientja Eral Gjini ndodhet për trajtim shëndetësor në Prishtinë.

“Arsyeja pse kam ardhur në spitalin e Kosovës është për marrjen e disa ilaçeve nga spitali i cili i mundëson. Ilaçi quhet temodal, është për shërimin e sëmundjeve të tumorit, aktualisht nuk gjendet në spitalet tona, fatmirësisht spitali që është vëllai jonë i Kosovës po na mundëson këtë ilaç. Merret pa pagesë, është për ndihmesë tonën. Pacienti ka për momentin 7 kura, dhe në bazë të ecurisë së ilaçit do të vendoset nga mjeku. Është e vështirë të gjendet në barnatore, në lidhje me çmimin derisa në barnatore nuk gjendet nuk di për çmimin”, rrëfeu Gjini.

Përndryshe, të prekurit nga kanceri të cilët trajtohen në klinikë vazhdojnë të jenë ata të moshës mbi 50 vjeçare, ndërsa moshat e reja janë më pak të prekur nga kanceri. /KosovaPress/

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha mban punëtori në Universitetin e Vjenës

Pas një periudhe intensive të hulumtimit dhe bashkëpunimit me akterët nga qeveria, akademia dhe industria në Austri, Prof. Asoc....

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img