Editorial

SFIDAT E ZHVILLIMIT EKONOMIK TË KOSOVËS


Publikuar më:


Situata jo e favorshme politike ka ndikuar që në Kosovë të tërheq vëmendjen e lidershipit politik
nga ekonomia. Situata ekonomike momentale është pothuajse e pafavorshme për investitorët e
huaj në mënyrë që të orientojnë investimet e tyre në Kosovë. Nëse bazohemi në statistikat e
Bankës Qendrore për investimeve të huaja gjatë viteve të fundit ato janë të orientuara në
përqindje mjaft të madhe në sektorin e patundshmërisë dhe sektorin financiar.Shuma e
investimeve të huaja direkte në vitin 2018 është afër 300 milion euro që tregon një shumë mjaft
të vogël në raport me vendet tjera të rajonit.
Problemet kryesore në Kosovë, të cilat janë duke e penguar zhvillimin ekonomik dhe e që po
ndikojnë tek investitorët e huaj dhe të brendshëm janë:
1. Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik
2. Mungesa e strategjisë së zhvillimit ekonomik në një periudhë të caktuar afatgjate
3. Ndryshimi i shpeshtë i politikave tatimore
4. Mosfunksionalizimi i zonave ekonomike
5. Mosaktualizimi i partneritetit publiko privat
6. Sistemi monetar
7. Risku buxhetor i Kosovës
8. Mungesa e besimit në Institucionet e Drejtësisë dhe vonesat në zgjidhjen e kontesteve
ekonomike
Për të eliminunar këto probleme, Qeveria e Kosovës duhet të ndërtoj objektiva në mënyrë që
Lidershipi politik të ndërmerr hapa në eliminimin e këtyre problemeve dhe orientimin e
politikave zhvillimore, sepse mendoj se çelësi i suksesit të zhvillimit ekonomik është orientimi i
këtyre politikave ne investime të përbashkëta ndërkombetare (Joint Venture) në prodhim,
zvogëlimin e deficitit tregëtar dhe zvogëlimin e papunësisë.
1. Sa i përket paqëndrueshëmrisë politike, mendoj se struktura politike e pozitës duhet të
tregohet para bashkësisë ndërkombetare por edhe investitorëve të mundshëm se është e
gatshme për vendime të mëdha politike, në mënyrë që të arrijë të krijoj një besueshmëri
tek siguria politike dhe siguria në përgjithësi sepse pasiguria politike ndikon mjaft shume
në orientimin e kapitalit të investitorëve potencial.
2. Poashtu Lidershipi politik që nga paslufta nuk ka arritur të ndërtoj një strategji nacionale
të zhvillimit ekonomik. Mungesa e një strategjie nacionale ka ndikuar që të gjitha
vendimet në aspekt ekonomik nga lidershipi politik të merren ad hoc dhe kanë krijuar
pastaj probleme dhe moskoordinim nga niveli qendror tek ai lokal. Ndërtimi i një
strategjie nacionale të zhvillimit ekonomik duhet të jetë një ndër objektivat e para të
lidershipit politik për orientime strategjike të nivelit qendror dhe lokal. Sepse në praktikë
ka probleme të mjaftueshme të cilat paraqiten tek niveli lokal sa i përket mungesës së
strategjisë bëhen psh investime kapitale nga niveli lokal dhe ka ndodhur që ato investime
të bëra të jenë në mospërputhje me orientimet qendore dhe shpeshherë kanë ndikuar që
ato investime të jenë të bëra të kota nga niveli lokal. Poashtu strategjia nacionale afatgjatë
do të ndikoj që të hyjnë në funksion Investimet e përbashkëta ndërkombëtare Joint
Venture, sepse do të krijoj një siguri në aspektin makroekonomik dhe mikroekonomik.
3. Ndryshimi i shpeshtë i politikave tatimore, poashtu ka krijuar një pasiguri tek investitorët
për arsye se orientimi i tyre në investime ka karakter strategjik dhe afatgjatë, andaj ky
ndryshim i normave të shpeshta tatimore krijon një pasiguri tek investitorët që të
investojnë në Kosovë. Politikat tatimore duhet të analizohen duke u bazuar në strategjinë
nacionale të zhvillimit ekonomik dhe duhet të jenë afatgjata dhe duhet te kenë të parapara
edhe pushimet tatimore të cilat do t’iu ofrohen investitorëve në bazë të kapitalit të
investuar, numrit të punëtorëve te punësuar.
4. Mosfunksionalizimi i zonave ekonomike poashtu e bënë Kosovën jokonkuruese me
tregun në rajon apo ballkanin perëndimor. Në buxhetin e Kosovës duhet të jetë një shumë
e caktuar mjeteve financiare e ndarë për zona ekonomike, ku këto zona poashtu do të
përcaktoheshin dhe do të obligoheshin të gjitha komunat e Kosovës që pronat të cilat i
kanë në pronësi ti prezentojnë para Lidershipit Kosovarë dhe ato prona të destinohen për
zona ekonomike e pastaj në bazë të hapësirave që kanë Qeveria e Kosovës të investoj në
funksionalizimin e atyre zonave me investimet në infrastrukturë dhe ti ketë në
dispozicion për investitorët e mundshëm.
5. Mosaktualizimi i Partneritetit Publiko Privat ka një ndikim poashtu në aspektin e sigurisë
së investitorëve psh (Dështimi në privatizimin e Telekomit, Brezovicës dhe humbjet e
vazhdueshme të ndërmarrjeve publike). Duhet të orientohen disa strategji më funksionale
se në cilat fusha mundet të aplikohet Ligji PPP-së. Ndërtimi i objektivave të kjarta bëhet
me studimin e fizibilitetit se çka mundet më konkretisht të investohet në këtë drejtim
psh:naftsjellës, gazsjellës, mbledhje, deponim, riciklim të mbeturinave prodhimi i
produkteve të ndryshëm nga mbeturinat etj.
6. Sistemi monetar poashtu është njëri nga sfidat kryesore, sepse mungesa e një sistemi të
integruar monetar ka ndikuar poashtu tek investitorët. Banka Qendrore në Kosovë nuk i
plotëson funksionet kryesore që duhet ti ketë po i ceki dy funksione të cilat nuk i plotëson
“1.Të drejtën ekskluzive të emisionit monetar të vendit dhe 2.Detyrën e përgjegjësisë
kryesore për sigurimin e stabilitetit monetar, të fuqisë blerëse të monedhës dhe të nivelit
të çmimeve të mallrave e të shërbimeve në gjithë ekonominë e vendit“. Sigurimi i
depozitave në bankë për depozituesit është mjaft I ulët ku një depozitues mund të
depozitoj 1 milion euro ndërsa siguria për atë është vetëm 4.000 euro. Sfidë tjetër me
rëndësi në sistemin monetar është krijimi i Tregut të letrave me vlerë. Andaj në këtë
drejtim duhet të ndërtohen objektiva të kjarta sa i përket punës së plotësimit të
funksioneve të bankës qendrore, të rritet limiti i mbulimit të depozitave dhe të krijohet
tregu i letrave me vlerë.
7. Risku buxhetor në të ardhmen do të jetë poashtu sfidë e Lidershipit Kosovar. Arsyeja
është sepse të hyrat publike participojnë 68 % në kufi. Me eliminimin e kufijve gjatë
integrimit në BE me politika të tilla buxhetore Kosova rrezikon stabilitetin buxhetor të
saj.
8. Mungesa e besimit në Institucionet e Drejtësisë, është krijuar një percepcion nga ana e
invetitorëve të huaj se në Kosovë udhëqja e gjygjësorit është e politizuar dhe vonesat të
cilat bëhen në zgjidhjen e kontesteve të ndryshme janë të papërballueshme për
investitorët potencial. Gjygjësori duhet të ketë parasysh këto vonesa dhe për të ndërtuar
një besim të ri duhet të veproj sa më shpejtë në zgjidhjen e procedurave kontestimore në
mënyrë që të ndërtoj një imazh të ri në arenën ndërkombëtare dhe poashtu të ndërmerr
hapa në luftimin e korrupsionit si dukuria më negative që është e që e ka përcjell vendin
tonë.
Andaj krijimi i strategjisë nacionale të zhvillimit ekonomik do të ndikonte në masë mjaft të
madhe në eliminimin e këtyre problemeve.Prandaj duhet të kryhet këtë vit në një kohë sa më të
shkurtër si dhe në Qeveri duhet të angazhohen ekspert kompetent në zhvillimin e strategjisë dhe
zbatimin praktik të saj dhe jo militant partiak të cilët kanë mbetur papunë dhe t’iu sigurohet një
vend i punës i pozicionojnë si këshilltar.
Autor: Medain Hashani, Profesor në Fakultetin Ekonomik, Kolegji AAB

To Top