Editorial

Reflektim nga karantina


Publikuar më:


Duke analizuar rrjedhën e zhvillimit të  jetës  në kohë dhe  tendencat  inovative të së tashmes e  të ardhmes,  mendoj që secili prej neve duhet të  mbajë përgjegjësi e të reflektojë  mbi këto pyetje:

Ku ishim?  Ku jemi ?  Ku  duhet të shkojmë?  E si  duhet  shkojmë atje..?!

Pa u zgjeruar në të gjitha sferat e  zhvillimit të  jetës, sepse është e pamundur të kesh  vlerësime e opinione  të sakta për të gjitha, por me  shpresë që  ky vit e kjo epokë të sjellë  zhvillime  e zbulime të dobishme në çdo sferë të jetës.

Unë, preferoj të ndalem pak te mjedisi, e më shumë të arsimi. Pse pak te mjedisi? Jo se nuk e vlerësoj si çështje kur në çdo çast e  them: “Toka, shtëpia jonë e përbashkët”  por, mendoj se kam shkruar, folur, e organizuar fushata vetëdijësuese për ruajtjen e mjedisit  në vazhdimësi dhe tani për tani nuk e shoh të nevojshme, sepse vet toka po  flet, ajo  po shërohet e po lulëzon, deri sa ne e shohim të mbyllur nga brenda. Uroj që hakmarrja e saj të mos jetë shumë e ashpër! 

 Pse sistemi arsimor,  e veçanërisht në Kosovë? 

Mendoj se kam të drejtë dhe obligim të shpreh opinionin tim si mësimdhënëse brenda këtij sistemi,  duke u ballafaquar me ndryshimin e sistemit arsimor, më shumë në letra se në praktikë,  dhe duke u revoltuar në vazhdimësi me formalitetet, shqetësime të cilat shpesh  i kam ndarë  me familjarë,  kolegë  të punës ,   zyrtarë të arsimit, e tani edhe me ju miq të fb.

Se a ka qënë i nevojshëm reformimi i sistemit arsimor nga një kurrikulë  me bazë në  përmbajtje  tek një kurrikulë me bazë në kompetenca? Mendoj se ka qenë shumë i nevojshëm!  Se a ka nevojë për ndërhyrje, përmirësime e përditësime?  Besoj që jo vetëm tani, por do të ketë gjithmonë! 

Sa është duke u  zbatuar në praktikë kjo kurrikulë?  Si është duke u zbatuar?  Pse nuk po mirëpritet nga shumica e mësimdhënësve?  Çfarë duhet të ndryshohet që kjo kurrikulë që të bëhet e zbatueshme e të jap rezultate?  Sigurisht që  janë  shumë  pyetje, për të cilat bëhen analiza e hulumtime prej ekspertëve, zyrtarëve , mësimdhënësve e  dashamirëve të këtij sistemi  arsimor.  Nga këndvështrimi  im si mësimdhënëse e biologjisë,  trajnere në disa programe për shkenca të natyrës, trajnere e KKK-së,  e si prind i dy fëmijëve adoleshent, kam mendimet e dyshimet e mia personale.

Sigurisht që nuk mund t’i trajtoj të gjitha  këto shqetësime   njëherësh por do të fillojë me disa prej tyre.

1.Shqetësimi im që e ceka më lartë, ndryshimi  i kurrikulit me shumë në letra se në praktikë.  Mendoj se po vjen si pasojë e mbingarkesës  së mësimdhënësve  me punë  administrative, gjë e cila po ju merr shumë kohë dhe po e  vret kreativitetin e tyre, derisa  formaliteti i letrave ka arritur kulmin, e për pasojë  numri i drunjëve çdo ditë e më shumë po zvogëlohet!

Për fat të keq  shumica e mësimdhënësve  më shumë shqetësohen se si t’i mbushin ato letra me përmbajtje e rezultate, se sa  me çfarë përmbajtje e rezultate, dhe sa janë  të arritshme ato…!

Kreativiteti, puna praktike, përdorimi i tikut në  dixhitalizimin e përmbajtjeve për të  lehtësuar mësimdhënien e mësimnxënien,  e për t’i ruajtur drunjtë nga zhdukja,  mbesin të fundit dhe praktikohen nga një numër i vogël i mësimdhënësve!

Normalisht  që ekzistojnë disa  faktorë  bazë që e bëjnë  vështirë të zbatueshem  këtë  kurrikul, siç janë:

Politikat asimore dhe  buxheti i vogël  për zhvillimin e arsimit, standardi i ulët i objekteve shkollore, mungesa e kabineteve,  mungesa e inventarit, pamundësia e dixhitalizimit të shkollave, niveli i dobët  në përdorimit e  tik-ut, prej shumica së mësimdhënësve etj.

Sigurisht, për të gjetur zgjidhjen e problemit duhet të hulumtohen shkaqet  e tij, Pse jemi këtu ku jemi? 

E tek pastaj të flasim  e të hartojmë plane se si të dalim nga kjo gjendje. Padyshim mendimet janë të ndryshme e zgjidhjet janë të shumta, por gjithmonë zgjidhja më e mirë  vjen kur problemi shihet, analizohet e vlerësohet nga  këndvështrime të ndryshme. Unë personalisht,  mendoj se duhet filluar nga  nxënësit, mësimdhënësit, prindërit, inspektorët e arsimit, zyrtarët e arsimit , ekspertët vendor e të huaj, në krye me nivelin më të lartë të arsimit  në Kosovë që është Ministria Arsimit Shkencës Teknologjise dhe Inovacionit.

Se si e shoh unë, zgjidhjen e këtij problemi, si mësimdhënëse e prind, po i  radhis  vetëm disa nga mendimet e   bindjet e mia.

Të bëhet depolitizimi  i sistemit arsimor, përzgjedhjet e studenteve, mësimdhënësve, drejtorëve të shkollave e  të DKA-ve, eksperteve të arsimit, të bëhen në bazë të meritave, e jo për shkak të animeve politike.

Kriteri për pranimin e studenteve të rinjë në  fakultetin e edukimit, të jetë shumë i lartë,  të  përzgjedhen jo vetëm  nxënës të shkëlqyeshëm, por të tillë që e  duan mësimdhënien…!

Të veprohet në përputhshmëri me UA.Nr. 14/2018  për vlerësimin e performances së mësimdhënësve e jo të ketë veprime kontradiktore në raport me te, në të kunderten të rishikohet ky udhëzim.

Të rishikohet UA.Nr.20 për ndalimin e përdorimit të telefonave celularë në institucionet arsimore parauniversitare,  shumë më mirë do të ishte që ky udhëzim të ndalonte  keqpërdorimin e  tyre.

Të hulumtohen nevojat e mësimdhënësve  për avancim dhe të punohet shumë në fushën e zhvillimit  profesional të mësimdhënësve.

Mësimdhënësit e nxënësit të  çlirohen nga të punuarit me një libër bazë qoftë ai  edhe më i përshtatshmi.

Të punohet duke synuar arritjen e rezultateve të përcaktuara për atë nivel  e shkallë të arsimit parauniversitar.

Të specifikohen mirë rezultatat e pritshme për njësinë e caktuar mësimore dhe të kenë lidhje logjike me rezultatet e tjera të lëndës, fushës e të kompetencës.

Të ofrohen praktika hulumtuese të mësimdhënies e të mësimnxënies dhe të punohet mbi të zhvilluarit e kreativitetit e të mendimit kritik te nxënësit.

Mësimdhënësit e nxënësit të mos  ngarkohen  me të shkruarit e tepërt të përmbajtjeve kur  të cilat mund t’i gjesh me lehtësi  e t’i çasesh  sa herë  të jetë e nevojshme.

Numri i detyrave të shtëpisë të mos jetë i madh e lloji i detyrave të jetë: nxitës, hulumtues, argëtues, e që e zhvillon  krativitetin e të menduarit kritik te nxënësit.

Të  shpjeguarit  e lëndës të lidhet  me përditshmërinë dhe aplikimin  e njohurive të reja  në praktikë.

Të vlerësohet  drejtë, paanshëm, besueshëm, e në mënyrë transparente. Të motivohen  nxënësit për vetëvlerësim e vlerësim të ndërsjellë.

Të frymëzohen nxënësit për punë hulumtuese, zbulime e inovacione të reja.

Të  përgatisim nxënësit me dije,aftësi, shkathtësi, qëndrime, vlera  duke i  bërë të aftë për punë e jetë.

Të çlirohemi nga kompleksi i të “gjithëditurit” e të funksionojmë në bashkëpunim, e shumë të tjera..!

Po e citoj Nënë Terezën “ Më mirë të ndezësh një qiri, sesa  të malkosh errësirën’’

Uroj  që kjo pandemi të kaloj sa më shpejt e pa dëme!

P.S. Shumë pyetje apo çështje të ngritura gjatë shkrimit kanë mbetur pa u trajtuar, me shpresë  se do të gjejmë kohë  në vazhdim..!

Autore: Sevdije Vishi, Ferizaj

To Top