26,04,2024

QKMF në Ferizaj kërkon anulimin e vendimit të Inspektoratit të Punës që e kishte kthyer në punë kryeinfermieren

Must Read

 Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare (QKMF), në Ferizaj, po kërkon nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit me të cilin Inspektorati i Punës, e kishte aprovuar ankesën e kryeinfermieres Mimoza Emini, duke e kthyer atë në vendin e saj të punës.

Më 2 gusht 2016, me aktin administrativ, asaj i ishte ndërruar vendi i punës, nga pozita e kryeinfermieres në atë të infermieres, mirëpo këtë e kishte kundërshtuar Emini, përmes ankesës së ushtruar në Inspektoratin e Punës, organ i cili më pas atë e kishte kthyer në pozitën e kryeinfermieres.

Por, e pakënaqur me vendimin e Inspektoratit të Punës, QKMF-ja në Ferizaj, kishte ushtruar padi, më 12 dhjetor 2016, me të cilën kishte kërkuar anulimin e këtij vendimi.

Ne seancën e së hënës, përfaqësuesi i paditëses, Agim Rexhaj, kërkoi nga gjykata anulimin e vendimit kontestues, kjo pasi që sipas tij, Inspektorati i Punës, kishte vlerësuar në mënyrë jo kompetente me rastin e anulimit të kontratës së punës.

“Ne nenin 16 të kësaj kontrate kontraktuese thotë se kompetent vendor lidhur me mosmarrëveshjet të jetë Gjykata Themelore e Ferizajt, prandaj konsiderojmë se vendimi i Inspektoratit të Punës, është vendimi i cili nuk ka qenë dashtë të ketë efekt juridik prandaj edhe si të tillë  e kemi kontestuar”, tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se përgjigja në padi, dhënë nga Avokatura Shtetërore, nuk plotëson asnjë element qe kjo gjykate ka kërkuar me përgjigjen në padi.

Ndërsa, në fjalën e tij përfundimtare, përfaqësuesi deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, duke i propozuar gjykatës që ta aprovojë në tërësi si të bazuar padinë.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 12 dhjetor 2016, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Ferizaj, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, që ta anulojë vendimin e Inspektoratit të Punës, për shkak të vërtetimit të gabuar të gjendjes faktike, dhe aplikimit të gabuar të dispozitave ligjore.

Në padi thuhet se kjo kishte ndodhur me rastin e aprovimit të ankesës së punonjëses Mimoza Emini, për  kthimin e saj në vendin e punës, në pozitën e kryeinfermieres.

Sipas padisë, pasi që më 2 gusht 2016, me aktin administrativ, punonjëses Mimoza Emini, i ishte ndërruar vendi i punës, nga pozita e kryeinfermieres në atë të infermieres, këtë e kishte kundërshtuar ajo përmes ankesës së ushtruar në Inspektoratin e Punës, ankesë e cila ishte aprovuar, dhe Emini ishte kthyer në pozitën e kryeinfermieres. /BetimipërDrejtësi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img