19,04,2024

Qeveria fillon ndryshimin e Ligjit për shëndetësi

Must Read

Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, ka zhvilluar mbledhjen e nëntëdhjetë e tetë të rregullt.

Qeveria ka miratuar Strategjinë për reformën e Menaxhimit të Financave Publike për vitet 2016-2020 dhe Planit të Veprimit për zbatimin e Strategjisë.

Strategjia synon arritjen e menaxhimit të shëndoshë financiar duke përmirësuar sistemet që sigurojnë disiplinë fiskale, efikasitet funksional dhe alokim efektiv të resurseve publike në Republikën e Kosovës. Duke vlerësuar rëndësinë e resurseve buxhetore të Republikës së Kosovës për ofrimin e shërbimeve publike, përmirësimi i menaxhimit të financave publike do të ndikojë në të gjitha fushat e shërbimeve dhe do të jetë i dobishëm për qytetarët që i shfrytëzojnë ato.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar edhe Koncept dokumentin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shëndetësi. Ky Koncept dokument adreson nevojën e rregullimit të çështjeve bazike në sektorin e shëndetësisë në Republikën e Kosovës. Ky rregullim do të sigurojë ofrim të shërbimeve shëndetësore cilësore dhe të sigurta me qëllim të ruajtjes së shëndetit të qytetarëve. Përmirësimi i cilësisë dhe efektshmerisë së shërbimeve shëndetësore, është një nga prioritetet kryesore strategjike të Qeverisë së Republikës së Kosovës, transmeton Lajm.

Kabineti qeveritar shqyrtoi edhe zgjerimin e listës së projekteve kapitale të cilat do të financohen përmes Klauzolës së Investimeve në Republikën e Kosovës. Kjo listë do të zgjerohet pas analizës dhe diskutimit në Këshillin Kombëtar të Investimeve.

Edhe vendimi i Qeverisë për fillimin e përdorimit të prokurimit elektronik për të gjitha organizatat buxhetore në Republikën e Kosovës, është diskutuar nga kabineti qeveritar. Qeveria ka insistuar që afatet e miratuara më herët nga Qeveria të respektohen dhe të fillojë zbatimi i prokurimit elektronik.

Është miratuar edhe vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për përmbushjen e kontributit vjetor ndaj Qendrës Rajonale të Nismës Rajonale për Migrim.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka miratuar vendimin për pikë të përbashkët të kontrollit kufitar me Republikën e Shqipërisë, në sezonin veror.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar vendimin për emërimin e anëtarëve në Bordin e Autoritetit të Aviacionit Civil dhe vendimin për emërimin e drejtorit dhe zëvendësdrejtorëve në Agjencinë e Shërbimeve të Navigacionit Ajror.

Kabineti qeveritar, në mbledhjen e sotme ka miratuar Nismën për lidhjen e Marrëveshjes për Protokollin Financiar ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Francës. Marrëveshja parasheh huan për financimin e projekteve të trajtimit të ujërave të zeza në Republikën e Kosovës.

Edhe Nisma për lidhjen e Marrëveshjes për themelimin e Zyrës së Bashkëpunimit të Rinisë, ka marr aprovimin e kabinetit qeveritar në mbledhjen e sotme. Në këtë marrëveshje janë përfshirë gjashtë shtete të regjionit dhe selia e kësaj zyre do të jetë në Tiranë./Lajm

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img