Editorial

Pse kaq shumë shqiptarë urrejnë Turqinë?


Publikuar më:


Të flasësh për Turqinë gjithmonë sjell një debat kudo që ka shqiptarë, ata kundër Turqisë dukën më nacionalist e gjuajnë fjalët “500 vite” dhe “pushtim”, ndërsa ata pro-Turqisë kanë kryesisht identitet më konservatorë e i quajnë Turqit vëllezër. Ata që janë kundër Turqisë bërtasin për gjuhën shqipe, sesi u shtyp gjatë Perandorisë, ata që janë pro Turqisë thonë se Shqiptarët kohën më të artë të tyre e patën gjatë kësaj Perandorie.
Ka mjaft fakte që mbështesin njërin narrativ, e mjaft që e mbështesin tjetrin. Është e vërtetë edhe logjike që mësimi i gjuhës shqipe nuk ishte në interesin e Perandorisë, prandaj as popujt e tjerë brenda Perandorisë nuk u lejuan të mësojnë gjuhët e tyre, por ishte edhe e vërtetë që Shqiptarët ishin ndër etnitë që e mbështetën Perandorinë Osmane më së shumti, bile edhe shkruesi i himnit të Turqisë ishte shqiptar i Kosovës.
Prandaj, në këto rrethana e fakte historike, edhe një mospajtim mbi Turqinë e të kaluarën e Osmanëve është i pritshëm. Por, në çka unë dua të fokusohem është në rolin e Turqisë në Kosovë, a përkon sentimenti anti-turk i shqiptarëve me realitetin sot dhe se a ndryshon kjo urrejtje e disave marrëdhëniet tona me Turqinë?
Turqia ishte ishte mbështetëse e fortë e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, gjë që ishte padyshim me rëndësi duke marrë parasysh që është ushtria e dytë më e madhe në NATO. Përveç kësaj, Turqia ishte ndër të parat shtete që e njohu pavarësinë e Kosovës, liberalizoi vizat për Kosovën dhe gjithashtu ka dhënë mesazh vendeve Islame për njohje të Kosovës. Turqia në të njëjtën kohë vazhdon të shpërndaj mijëra bursa për shqiptarët, duke kontribuar kështu në krijimin e një gjenerate më me ekspertizë e të shkolluar në Kosovë e viset e tjera shqiptare. Turqia njëkohësisht ka qenë mbështetëse shumë e fortë e formësimit të FSK-së, duke dhënë ndihmesë materiale, dhe trajnime FSK-së, po ashtu edhe ka premtuar mbështetje për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Në të njëjtën kohë ajo investon në Kosovë e është një ndër eksportuesit kryesorë në Kosovë, por edhe Kosova eksporton në Turqi, bile ka edhe shumë shqiptarë të cilët bëjnë alişveriş në Turqi, edhe që kanë familje atje, që i njohim si akraba. Duke pasur parasysh gjithë këto fakte, shtrohet pyetja se pse vazhdojmë t’i urrejmë kaq shumë? E si ka mundësi që një averzion ndaj Turqisë ende ushqehet e mund të mbahet gjallë tek shumë shqiptarë?
Kjo është patjetër e ngulitur në nacionalizmin shqiptar, sepse shteti shqiptar në vitin 1912, u shkëput pikërisht nga Perandoria Osmane. Në atë kohë u deshtë që medoemos të bindet popullsia që perandoria Osmane është armik, sepse çdo identitet kombëtar ngritet në opozitë ndaj një identiteti tjetër, prandaj vet identiteti shqiptar është ngritur kundrejt Perandorisë Osmane. Prandaj edhe feja tek shqiptarët shpeshherë nuk e merr rëndësinë e njëjtë si tek popujt e tjerë. Sepse historikisht u investua në krijimin e një vetëdije popullore etnike shqiptare, sepse një vetëdije popullore shqiptare dhe myslimane sillte frikën që shqiptarët do ishin më besnikë Perandorisë Osmane që kishte identitet mysliman, sesa Shqipërisë me identitet shqiptar.
Shqiptarët kanë një relacion unik me religjionin sepse jo të gjithë u konvertuan në Islam, dhe vet myslimanët patën disa sekte në Shqipëri dhe në Kosovë. Në rënien e Perandorisë përflitej se cili do të jetë religjioni i ardhshëm i shqiptarëve, e pat shumë propozime. Problemi i Islamit për elitat e atëhershme ishte se shqiptarët me identitet Islam do i rrinin besnik Perandorisë Osmane e jo Shqipërisë, prandaj edhe u theksua më shumë etnia e sekularizmi më shumë sesa religjioni.Pra origjina e averzionit shqiptar ndaj islamit, edhe pse shqiptarët janë shumice myslimane, është frika se myslimanët shqiptarë do ishin më besnik një shteti tjetër Islam, sesa shtetit të tyre amë. Por a ekziston kjo frikë sot? Është e vërtetë që 300 kosovarë dëshmuan të ishin më besnikë kalifatit sesa Kosovës, por pjesa dërrmuese shqiptare kritikoi ashpër shkuarjen e tyre. Përveç kësaj faktori që i bën njerëzit të bëhen besnik ndaj shtetit shpeshherë lidhet me gjëra si mirëqenia e qytetarit, prandaj edhe shumë më shumë shqiptarë ndërrojnë pasaportat kosovare e shqiptare për ato Evropiane, pra jo për arsye religjioze, por arsye krejtësisht materiale e praktike.
Frika se shqiptarët do të jenë besnik ndaj një vendi mysliman, nuk do të thotë se shteti duhet vazhdimisht të shtyp këtë identitet mysliman të shumë shqiptarëve me militantizim, e ta paraqes shqiptarizmin dhe fenë si një dikotomi. Por, shteti duhet të përqendrohet në suksesin e institucioneve e politikave të veta, e të jep lirinë që shqiptarët të jenë edhe shqiptar, edhe mysliman edhe evropian. Në të njëjtën kohë shqiptari mund të jetë edhe krishterë apo edhe ateist, por fakti që dikush praktikon apo nuk praktikon një fe nuk e bën më pak shqiptarë. E propagandimi i dikotomisë që shqiptari ose është mysliman ose shqiptar, është tejet i pakuptimtë e regresiv.
Nacionalizmi shqiptar, edhe ideja qe shqiptaria është mbi të gjitha, e edhe religjionin, ka ndikuar ne sjelljen e argumenteve agresive e opinioneve anit-religjion, por edhe anti-Turqi, të bazuara ose lidhur shpeshherë më shumë në histori nacionaliste, sesa në realitetin e tanishëm. E këto opinione i përcjell zakonisht edhe një ksenofobi ndaj turqve si etni, të bashkuar me një paranojë se jemi në rrezik të pushtohemi nga Turqia. Unë nuk kuptoj si mund të pushtohemi e ta urrejmë një shtet që ka intervenuar me NATO-n, ka ushtar në Kosovë për të na mbrojtur, na ka njohur si shtet dhe investon në ekonominë tonë.
Hipokrizia në argumentimin e shumë njerëzve me bindje nacionaliste vërehet gjithandej. Kur ndodhi grushteti fundit e disa e përshëndetën rrëzimin e një qeverie të zgjedhur me gati 50% të votave, në zgjedhje ku 80% të popullsisë kanë votuar(pjesëmarrje më e lartë se në shtetet evropiane). E kur grushteti dështoj, atëherë ndërruan pozicionin duke thënë se Erdogani e inskenoi vet atë. Qeveria e Erdoganit mbetet autoritare dhe len shumë vend për përmirësime, por hipokrizia e shumë shqiptarëve ndaj Turqisë është më se e qartë.
Kur ndodhi privatizimi në Kosovë, u fajësua Turqia se si po i blen ndërmarrjet kaq lirë, pra kur diçka u shit lirë, nuk e fajësuan shitësin, por blerësin. Nuk fajësojnë korrupsionin e klientelizmin në Kosovë por fajësojnë Turqinë, ndërsa kur na del që ambasadori Amerikan Dell, ka pasur lidhje me autostradën Bechtel, nuk diskutohet me po aq entuziazëm, ngaqë mungon urrejtja me të cilën formojmë argumente. E në vend se të dënohet korrupsioni si fenomen, ksenofobet fajësojnë Turqinë. Aq e paarsyeshme bëhet nganjëherë fajësimi i Turqisë, sa edhe ne fazën e grupeve te Kampionatit Evropian u fajësua Turqia se si pati golaverazh më të mirë se Shqipëria, edhe pse në fund asnjëra nuk e kaloi grupin. Në të njëjtën kohë nacionalistët shajnë Turqinë sesi nuk i lejon mësim shqip shqiptarëve atje, por nuk shajnë Zvicrën e Gjermaninë pse në shkolla fillore atje nuk jepet gjuha shqipe, e këtu vërehet prapë hipokrizia. Sepse shqiptaret e Zvicrës si ata të Turqisë kanë lirinë për të formuar kurset e shkollat private me mbështetjen e organizatave te tyre dhe shtetit të Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë, por shteti dyjave nuk jua siguron shkollimin në gjuhën e tyre. Në të njëjtën kohë nëse shqiptarët e Turqisë, po diskriminohen, pse nuk shohim protesta të shqiptarëve atje? E vërteta është që shqiptarët atje nuk qojnë jetë ndryshe nga turqit, edhe ata punojnë e shkollohen, vizitojnë familjet në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri, e shpeshherë edhe respektohen më shumë nga turqit vetëm për faktin që janë shqiptarë. Çdokush, që ka udhëtuar nëpër Turqi dhe Evropë perëndimore lirisht le të krahason se çfarë reagime merr nga njerëzit kur tregon se është shqiptar, e do të vërej dallimin midis paragjykimeve që Turqit kanë për shqiptarët dhe atë që Evropianët perëndimorë kanë, ku paragjykimet në Turqi do të jenë jashtëzakonisht pozitive.
Sot patjetër që interesi i shtetit tënd duhet të jetë parësor, si dhe lidhjet e Kosovës me Turqinë duhet të trajtohen në atë se a janë në interesin e Kosovës. Nëse shohim eksportet e importet e Kosovës, atëherë Turqia është partneri kryesorë jashtë BE-së dhe vendeve te CEFTA-s. Nëse e marrim privatizimin në Kosovë atëherë vërehet që Turqia mbetet aleat i rëndësishëm, i cili pas pavarësisë ka investuar mbi 315 milion euro në Kosovë, tash argumenti nacionalist është se Turqia dëshiron ta ripushtoj Kosovën, por ekonomia dhe nacionalizmi regresiv nuk punojnë gjithmonë mirë së bashku. Sepse Turqia bashkë me SHBA-në, BE-në, Shqipërinë, etj., është aleat i patjetërsueshëm i Kosovës, qoftë ekonomik apo ushtarak. Çdo politikan që vije në vend të Edi Ramës, Hashim Thaçit e Erdoganit do të vazhdoj bashkëpunimin mes Turqisë e Kosovës, respektivisht Shqipërisë. Kjo sepse liderët shtetërorë nuk i formojnë (apo nuk duhet të formojnë) politika në bazë të ksenofobisë që nuk përkon me realitetin, por ata kuptojnë rëndësinë e bashkëpunimit të Kosovës e Shqipërisë me Turqinë. Prandaj edhe Merkeli në Gjermani kritikohet nga shumë sesi nuk e kundërshton më shumë Erdoganin, por nuk i takon gjermanëve e as shqiptarëve të zgjedhin liderin e Turqisë, njësoj sikurse nuk iu takon turqve të zgjedhin liderin e Gjermanisë, apo të Kosovës. Çdokush që vije në vend të Merkelit do të trajtoj Turqinë si aleat për shkak të pozitës së saj të rëndësishme gjeostrategjike në Lindjen e Mesme dhe se armiqësimi i Turqisë nga Evropa sjell në mënyrë të pashmangshme përafrimin e Turqisë me Rusinë.
Për të kuptuar rëndësinë e Turqisë në Kosovë, paramendoni sikurse Turqia t’i tërhiqte të gjitha investimet nga Kosova, të mos ndihmoj më FSK-në, të mos jap më bursa studentore për shqiptarët, cfarë dëmi i madh do të shkaktohej në sfera të ndryshme në Kosovë. Sigurisht disa ultra-nacionalist do të gëzoheshin, sikurse u gëzuan nacionalistet Britanik pas shkëputjes nga Bashkimi Evropian, por qysh ditën e nesërme u penduan kur e kuptuan se nacionalizmi e urrejtja nuk bashkëvepron mirë me ekonominë. Pra sentimenti anti-turk shqiptarë nuk përkon me realitetin dhe të injoron rëndësinë dhe ndikimin pozitiv të Turqisë në Kosovë, vazhdimisht duke mjegulluar ndikimin pozitiv me retorike nacionaliste e regresive.
Pra, çdo event në Turqi, apo i lidhur me Turqinë, do të vazhdoj të bjerë në pah njerëz që formojnë opinione të ndikuara më shumë nga paragjykimet ksenofobe ndaj Turqisë, sesa fakteve rreth ngjarjes dhe shumë herë janë analiza shabllone që injorojnë tërësisht historinë shtetformuese dhe kulturën politike të Turqisë. Por, e rëndësishme është që çdo lider në Turqi e Kosovë, apo edhe Shqipëri do të vazhdoj bashkëpunimin me këtë shtet, shkaku i rëndësisë strategjike, ekonomike, ushtarake dhe kulturore.

Shkruar nga Mehdi Sejdiu
BA Shkenca Politike dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Istanbul Şehir University dhe University of Bamberg

Comments

Shfrytëzimi i materialeve të ferizajpress.com nga ndonjë website ose medium tjetër, pa e cekur burimin e materialit, është shkelje e drejtave autoriale dhe është i ndaluar.

Redaksia| Tel: +383 44 733 733
E-mail: redaksia@ferizajpress.com

Marketing| Tel: +383 49 806 106
E-mail: marketing@ferizajpress.com

Facebook

To Top