Ferizaj

Promovohet romani “Hija” i autores së re ferizajase Lorika Abazi


Publikuar më:


Në praninë e një numri të kufizuar pjesëmarrësish, dje në Restorant “Ujëvara” u përurua romani “Hija” i autores së re ferizajase Lorika Abazi, botuar nga Klubi Letrar “De Rada”.

Në romanin e saj që i përket zhanrit fantastik, Lorika Abazi, krahas universit tonë, planetit dhe njerëzve që jetojnë te, ka krijuar edhe një univers tjetër, një planet të quajtur Andromeda, banorët e të cilit kanë tipare e mundësi të veçanta, por në të njëjtën kohë edhe ngjashmëri me tokësorët, gjë që krijon mundësinë e gërshetimit të jetëve të tyre. Konflikti dinamik që përcillet me peripeci e situata dramatike, tronditje e transformime emocionale të karaktereve, në thelbin e tij përmban një nga luftërat më të vjetra të njerëzimit, luftën e së mirës ndaj të keqes, apo njerëzores ndaj devijimeve dhe stërkeqjeve të llojit tonë.

Për romanin folën redaktorja Zyrafete Shala dhe recensenti Arsim Hamiti, ndërsa disa fragmente të romanit u lexuan nga Shkëndije Azemi.

Në fund, autorja Lorika Abazi shpalosi para të pranishmëve përjetimet dhe sfidat e saj gjatë kohës sa është marrë me romanin.

Ky aktivitet u moderua në mënyrë të shkëlqyeshme nga nxënësja e talentuar Jerina Rexhepi.

Meqë me romanin “Hija” hapet cikli i botimeve të të rinjve krijues, biblioteka ku do të përfshihen këto botime u pagëzua me emrin Andromeda.

To Top