Lajme

Presidenti Thaçi të hënën në Hagë


Publikuar më:


Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi të hënën do të udhëtoj për në Hagë.
Thaçi të hënën do të paraqitet në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Ai ka shkruar se do të përballet me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, po ashtu tha se të bashkuar do t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet Kosova.
Më poshtë njoftimi i Thaçit:

Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës,

Në këto dy dekadat e fundit shumë pjesëtarë të UÇK-së u ballafaquan me drejtësinë ndërkombëtare të UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës për Ish-Jugosllavi, EULEX-it dhe me drejtësinë vendore.

Kosova, edhe pse viktimë, bashkëpunoi me organet e drejtësisë për trajtimin e pretendimeve për krime lufte. Në këto dy vitet e fundit shumë ish-bashkëluftëtarë janë intervistuar nga Dhomat e Specializuara, brenda dhe jashtë vendit.

Të nderuar qytetarë të Republikës
Më lejoni të ndaj me ju se të hënën do të udhëtoj për në Hagë si i ftuar nga Prokuroria Speciale për t’u intervistuar.
Deri sa bashkëluftëtarët e mi dhe unë do të përballemi me dinjitet dhe integritet me drejtësinë ndërkombëtare, ju ftoj që të bashkuar t’i përballojmë sfidat me të cilat po përballet vendi.
Uniteti qytetar, bashkëjetesa ndëretnike, stabiliteti institucional dhe besimi në institucione janë të domosdoshme që Kosova ta jetësojë vizionin që të jetë pjesë e NATO-s, Bashkimit Evropian dhe të ruajë miqësinë e përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ju faleminderit për përkrahjen tuaj!
Zoti e bekoftë Kosovën! HTH

To Top