26,04,2024

Presidenti Thaçi: Deklaratat Albin Kurtit për raportet e shqiptareve me Amerikën, për keqardhje

Must Read

hashim-thaci-ecur

Presidenti Hashim Thaçi në një intervistë për Gazetën Shekulli ka folur për një deklaratë të Albin Kurtit për raportet e shqiptarëve me SHBA’të. Kurti kishte thënë se shqiptarët nuk e duan Amerikën por frikësohen se ajo po i braktis. Thaçi ka thënë se me keqardhje ka dëgjuar një deklaratë të tillë.

Zoti President, urime për zgjedhjen në krye të shtetit të Kosovës dhe faleminderit për këtë intervistë të parë prej nisjes së detyrës. Doja ta filloja këtë bisedë me një përjetim personal. Kur shikoni pas karrierën dhe jetën tuaj, si ndjehet Hashim Thaçi tashmë President i Kosovës?

Detyra e presidentit përbën një kapitull të ri angazhimi politik në karrierën time prej tri dekadash dhe e konsideroj një sfidë të re të madhe për mua. Unë besoj se gjithë këto vite përvojë të miat në role të ndryshme të jetës publike do të më ndihmojnë ta përballoj siç duhet këtë detyrë. Kur reflektoj për të kaluarën, unë nuk mund të bëj gjë tjetër përveçse të ndihem krenar për popullin tim heroik, për kalvarin e mundimshëm që ka kaluar për të mbërritur në ditët e sotshme. Kosova ia ka dalë mbarë që fillimisht nëpërmjet rezistencës paqësore fisnike e mandej nëpërmjet luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të fitojë lirinë dhe mandej brenda një kohe të shkurtë të sigurojë pavarësinë dhe të ndërtojë një shtet të ri me dinjitet në zemër të Evropës. Kur shoh këto vështirësi të mëdha që kemi kaluar dhe hapat e mëdhenj që kemi përshkuar, përveçse krenar me vendin tim, unë ndihem edhe shpresëplotë, sepse jam i bindur për potencialin dhe vullnetin që ka populli i Kosovës për të kapërcyer me sukses të gjitha vështirësitë dhe proceset që na presin përpara.

Cila është sfida e parë e Presidentit të ri të Kosovës?

Sfida ime e parë ka të bëjë padyshim me Kushtetutën dhe sundimin e ligjit dhe rregullave e procedurave demokratike. Në sistemin tonë demokratik, presidenti është gardian i Kushtetutës që garanton funksionimin demokratik të institucioneve të Republikës së Kosovës. Konstitucionalizmi ka të bëjë me garantimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, duke mundësuar një siguri juridike për qytetarin, si dhe nënkupton një qeverisje të kufizuar, të kontrolluar dhe llogaridhënëse, që rregullohet nga ligjet e Kushtetutës. Vetëm pak ditë më parë ne festuam përvjetorin e 8-të të Kushtetutës së Kosovës dhe unë përfitova nga rasti i shënimit të kësaj ngjarje për të bërë një thirrje për të ndërmarrë hapa e reforma energjike për të garantuar maksimalisht sundimin e ligjit në vendin tonë. Garantimi i sundimit të ligjit është një ndër kriteret e Kopenhagës që duhen përmbushur për t’u bërë anëtar i Bashkimit Evropian dhe unë kam për të ndërmarrë të gjithë ato hapa që duhen bërë për të përshpejtuar integrimin euro-atlantik. Unë mendoj se nisja e një reforme përditësuese të Kodit tonë Penal është më se e nevojshme që të adresojmë boshllëqet dhe mbivendosjet ligjore që janë vënë re në rrjedhën e viteve. Reformimi i sistemit tonë të drejtësisë dhe konsolidimi i sundimi të ligjit në vend është gjithashtu një ndër parakushtet e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Vendi ynë nuk mund të ecë përpara në ekonomi po qe se nuk siguron një sistem të drejtësisë efikas dhe me integritet që garanton zbatimin e kontratës, mbrojtjen e pronës private dhe konkurrencën e ndershme.

A do të investoheni ju si President në ndërtimin e një faqeje të re për politikën e Prishtinës, pas shumë muajsh të trazuar? Si keni menduar ta përballoni këtë sfidë jo të lehtë?

Në detyrën e presidentit dhe me përgjegjësinë e madhe ligjore që kam, unë do të veproj i udhëhequr nga parimi i kushtetutshmërisë dhe neutralitetit politik, duke ofruar një agjendë dialogu aktiv në mes përfaqësuesve të popullit të të gjitha ngjyrave partiake. Sistemi ynë i liberaldemokracisë ka në themel të tij pluralizmin, që do të thotë se gjithmonë do të ketë mospërputhje apo mospajtime për ide, bindje, qëndrime apo interesa. Është detyra ime që të përpiqem që këto divergjenca të zgjidhen apo konkurrojnë në rrugën institucionale, në frymën e dialogut, tolerancës, bashkëpunimit dhe në respekt të plotë me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Gjithashtu si përfaqësues i unitetit të popullit të Kosovës kam për detyrë që të nxis frymën e dialogut me komunitetet jo-shumicë në vend, të angazhohem që të konsolidoj bashkëjetesën në harmoni mes grupeve të ndryshme fetare, si dhe të bëj të mundur që interesat e grupeve të margjinalizuara të shoqërisë të mos neglizhohen, por zëri i tyre të mund të dëgjohet. Është e vërtetë që këto zhvillimet e tensionuara politike të muajve të kaluar kanë cenuar parimet dhe vlerat që sapo përmenda, si dhe kanë lënë në hije shumë nevoja, probleme dhe interesa të rëndësishme për vendin dhe popullin tonë. Prandaj, përveç angazhimit konkret për të ndërtuar ura komunikimi e bashkëpunimi mes palëve të ndryshme politike, unë do të bëj çmos që debati publik e ligjërimi politik gradualisht të fokusohet në nevojat dhe sfidat konkrete të vendit tonë që janë përshpejtimi i integrimit euro-atlantik dhe rritja ekonomike. Ne duhet të lëmë pas hatërmbetjet e vjetra dhe ambiciet personale të liderëve të ndryshëm politik dhe të përqendrojmë të gjitha burimet dhe energjitë në të mirën e vendit. Nuk kemi kohë për të humbur, historia e kaluar është e treguar tejet e padrejtë me ne për faj të të tjerëve, duke na lënë prapa popujve të tjerë, të cilët barrën e rindërtimit të pasluftës, pavarësimit e shtet-ndërtimit e kanë kaluar shumë kohë para nesh. Mirëpo ne tanimë jetojmë në liri dhe pavarësi dhe në vijim e kemi vetë në dorë ta shkruajmë historinë tonë. Unë brenda kompetencave dhe hapësirës që kam si president do ta ngre zërin sa të mundem për të folur për një axhendë ekonomike që trajton me seriozitet problemet e sotshme dhe vizionin zhvillimor për të ardhmen. Rritja ekonomike, hapja e vendeve të reja të punës, ulja e kostos së jetës, tërheqja e investitorëve, shtimi i prodhimit të brendshëm, nxitja e eksporteve, përmirësimi i infrastrukturës dhe shërbimeve publike, këto janë shqetësimet që qytetarët presin të adresohen nga elita politike.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img