Lajme

Presidentë, kryeministra, ministra e diplomatë nga shumë vende të botës në inaugurimin e Thaçit president


Publikuar më:


thaci-president-ceremonia-780x439-1

Tashmë kanë filluar përgatitjet për ceremoninë e inaugurimit të presidentit të vendit, që do të mbahet ditën e premte në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Për të marrë pjesë në ceremoninë e Hashim Thaçit president, janë shpërndarë rreth 1300 ftesa, derisa pjesëmarrjen deri më tani e kanë konfirmuar mbi një mijë të ftuar.

Presidentë, kryeministra, ministra e ambasadorë të vendeve mike të Kosovës, është thënë se do të jenë të premten në sheshin e Prishtinës.

KosovaPress mëson se presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq tashmë e ka konfirmuar pjesëmarrjen e saj. Gjithashtu, edhe Guvernatori Gjeneral i Belizesë, Coville Young, presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani, kryetari i Parlamentit të Turqisë, Ismail Kahraman, ai i Shqipërisë Bujar Nishani dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për pjesëmarrje në ceremoni.

Nga pesë vendet e Quintit, në krye të delegacioneve do të jenë drejtorët e përgjithshëm të politikës së tyre të jashtme. Derisa, në krye të delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të jetë zëvendës-ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee.

Këshilltari politik i Hashim Thaçit, Abelard Tahiri tregon për KosovaPress, rrjedhën e ceremonisë së planifikuar për ditën e premte.

“Pasnesër do të kemi ceremoninë e inaugurimit, do të thotë dorëzim-pranimin e detyrës në mes të presidentes në detyrë, zonjës Atifete Jahjaga dhe presidentit zotit Thaçi. Mund t’iu konfirmoj se deri më tani janë shpërndarë diku rreth 1300 ftesa, kemi konfirmim që mbi 1 mijë pjesëmarrës do të kemi në këtë ceremoni. Gjithashtu, janë ftuar të gjithë presidentët e rajonit, por edhe më gjerë, diplomatë të ndryshëm, dhe mund të them që deri më tani do të kemi të përfaqësuar rreth 50 shtete në këtë ceremoni. Nivel i detyrës do të jenë nga presidentët, kryeministrat, ministrat e jashtëm,e deri tek ambasadorët”, tha Tahiri.

Në ceremoninë e inaugurimit të presidentit, që do të mbahet të premten nga ora 11, e që pritet të zgjasë rreth 50 minuta, do të jetë edhe garda e FSK-së dhe Filharmonia e Kosovës.

Pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe kryetari i Kuvendit të Bullgarisë, zëvendëskryeministri i Malit të Zi, dhe ai i Maqedonisë.

Të konfirmuara me nivel të lartë përfaqësimi janë edhe delegacionet nga Emiratet e Bashkuara Arabe, nga Konferenca e vendeve islamike, Egjipti, Gana, Jordania, Kosta Rika, Japonia, Bahrini, Katari, Kuvajti, Arabia Saudite, Kanadaja, Latvia, Estonia, Danimarka, Austria e Malta.

Në ceremoni pritet të parakalojë Atifete Jahjaga, që po e dorëzon mandatin 5 vjeçar, dhe Hashim Thaçi që do të marrë këtë post, ku Jahjaga do t’i dorëzojë presidentit të ardhshëm një kopje të Kushtetutës së Kosovës.

Para kësaj ceremonisë, një ditë më parë, në Kuvendin e Kosovës, Hashim Thaçi do betohet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në të cilën do të mungojnë deputetët e tri partive në opozitë.

Comments
To Top