Lajme

Plasaritet asfalti i shtruar para një muaji nga Komuna e Prishtinës (Video)


Publikuar më:


Foto ilustruese

Ndonëse është shtruar vetëm një muaj më parë, asfalti në rrugën “Muharrem Fejza” në lagjen “Mati 1” është prishur.

I kontaktuar përmes telefonit nga KALLXO.com, zyrtari i Komunës së Prishtinës, Erzen Vraniqi, tha se ajo pjesë e rrugës është dëmtuar nga prishja e një ujëmbledhësi.

Vraniqi tha se inspektorët janë në terren dhe premtoi se rruga do të rregullohet.

Por, Njazi Korça, banor i lagjes, thotë se rruga u dëmtua për shkak të sasisë së vogël të asfaltit dhe kushteve jo të volitshme atmosferike kur u shtrua.

“Është shtru një sasi shumë e vogël e asfaltit dhe kushtet klimatike kur kjo rrugë është shtru kanë qenë tejet jo të volitshme dhe ka ardhë deri te kjo që ndoshta para kohe mu prishë”, tha Njazi Korça.

Ky banor për prishjen e rrugës bën fajtor edhe qytetarët, të cilët, sipas tij, hapin kanale e nuk i mbyllin.

“Nëse e ki hapë një kanal do të ishte e obligueshme që me e mbyllë, me marrë leje prej Komunës, e jo secili kokë më vete, se kjo edhe nëpër ara nuk bëhet kështu. E pyesin të zotin e shtëpisë se a duhet me çelë një kanal, a na lejon, a lejojnë kushtet e jo me bo një punë kësisoji. Duhet të ndërmerren masa edhe ndaj qytetarëve nëse e bëjnë një gabim. Duhet të përgjigjet për atë edhe të penalizohet”, tha Korça.

Ndërsa, qytetari Ramiz Halimi tha se rrugës disa ditë para se të rishtrohej i janë mbushur gropat, e pastaj është shtruar me një shtresë me kualitet edhe më të dobët se që ka qenë përpara.

“Disa ditë para se mu shtru dolën e i mushën gropat edhe e shtrunë një shtresë mas dy dite ose tri dite, nuk e di saktësisht, menjëherë e kanë gërry krejt rrugën edhe na bllokun nja një javë ditë. Nuk e di, edhe e shtrunë me cilësi edhe më të dobët se që ka qenë”, tha ai.

Halimi është shprehur i zhgënjyer me qeverisjet e Komunës, përfshirë edhe këtë të fundit.

“Mendojshim që këta të Vetëvendosjes pak ma nom veç po më doket që as këta… kurgjo”, tha ai.

Ky banor i lagjes thotë se nuk ka bërë ankesë në Komunë dhe jep arsyen: “Nuk kemi bo ankesë se ata të Komunës e kanë pa vetë. Na s’kemi nevojë me bo ankesë kur janë inspektorat aty. Ata për qet punë paguhen”, theksoi Ramiz Halimi.

Rastin e dëmtimit të rrugës e ka raportuar në KALLXO.com një qytetar i kësaj lagjeje.

.

Comments
To Top