25,04,2024

Përmes librit ”Dora e artë” nxënëset synojnë t’i ndihmojnë familjet në nevojë

Must Read

Në shkollën fillore “Gjon Serreçi” në Ferizaj është bërë promovimi i librit me poezi i titulluar “Dora e artë” e shkruar nga 8 nxënëse të klasës së pestë në këtë shkollë. Agnesa Zeqiri, Berna Gashi, Harea Reka, Vanesa Zejnullahu, Aljesa Aliu, Erda Ahmeti, Malvina Sopa dhe Viola Isufi, këtë iniciativë e morën për qëllime bamirësie, ku paratë nga shitja e librit do të shkojnë për dy familje me gjendje të rëndë ekonomike në komunën e Ferizajt. 

“Ne kemi dashur t’i ndihmojmë ata që kanë nevojë dhe kemi zgjedhur dy familje, përkatësisht dy nëna që janë vetëushqyese. Libri ka poezi laramani, të gjitha janë të ndryshme. Ne nuk i kemi shikuar këto poezi vetëm se si janë, i kemi shkruar ato sepse kemi dashur t’iu ndihmojmë atyre që kanë nevojë”, tha Malvina Sopa.  

“Ne këto libra duam t’i shesim në shkolla të ndryshme për shkak që një familje është në nevojë. Është një nënë vetëushqyese që ushqen fëmijë. Libri do të shitet në mënyrë të caktuar. Kemi bërë poezi të ndryshme, për shkollën, nënën, fëmijët, 1 qershorin e shumë tema të ndryshme. Secila kemi marrë mendime së bashku dhe kemi shkruar poezitë”, tha Harea Sopa.

 “Libri përmban poezi që i kemi shkruar me shumë përkushtim për t’iu ndihmuar atyre që kanë nevojë. Nëse nuk do të kishte dalë mirë i gjithë ai mund që kemi bërë do të kishte shkuar huq”, tha Agnesa Zeqiri. 

Drejtori i shkollës “Gjon Serreçi”, Nazmi Heda, tha se bashkëpunimi i nxënësve për botimin e këtij libri është shembull konkret për të ecur përpara  të bashkuar.

“Këtu përshkruhen dhe jepen shqetësime të këtyre fëmijëve në moshë kaq të njomë rreth proceseve jetësore duke përfshirë këtu edhe traditën, por natyrisht duke e gërshetuar edhe me modernen sot në jetën të cilën ne bashkëjetojmë dhe bashkëveprojmë me këta nxënës. E mira e kësaj është që fëmijët bëjnë hapat e parë në artin letrar, madje arti letrar i kapërcen edhe kufijtë ashtu siç i ka kaluar edhe shkrimtari i madh Ismail Kadare dhe ne shpresojmë që edhe hapave të Kadares dhe shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj do të ecin edhe këta fëmijë të tjerë që i kemi sot këtu përballë të cilët sot na gëzojnë me këtë libër dhe me një emër simbolik “Dora e artë”, u shpreh Nazmi Heda.

Ndërsa, prindërit u shprehën krenarë për fëmijët e tyre dhe zemërgjerësinë e tyre në këtë moshë kaq të re.

“Jam shumë krenare në këtë ditë sot sepse jam njëra nga prindet që autore e ka edhe vajzën aty, mirëpo është tjetra që kjo ditë është bërë më madhështore, sepse talenti i fëmijëve të kësaj moshe dhe zemërgjerësia e tyre na bën të ditur dhe na bën krenarë të jemi për një të ardhme e cila do të jetë e ndritshme për nga dija, por edhe humanitare shumë për nga zemërgjerësia. Libri nuk është kot i quajtur “Dora e artë” sepse një dorë është edhe një dorë që shkruan, dora është një dorë që merr librin dhe lexon, por dora e artë është edhe një dorë që kontribuon për një të mirë njerëzore kështu që sot është një ditë pak më e veçantë se ditëve të tjera dhe nuk di se çka të them”, tha Aglentina Lubishtani-Reka. 

Autoret shpresojnë që me këtë libër do t’iu japin kurajo edhe fëmijëve të tjerë që duan shkrimin, të marrin guximin dhe ta paraqesin në letër, transmeton Televizioni Tema.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img