Ferizaj

Përkujtohet në 20 vjetorin e vrasjes, “Engjëlli Mbrojtës i Teatrit” – Adriana Abdullahu


Publikuar më:


Skena e Teatrit “Adriana” në Ferizaj, sonte u ndriçua nga 20 qirinjë që ishin vendosur në përkujtim të 20 vjetorit të ikjes në amshim të aktores ferizajase Adriana Abdullahu e cila u vra më 22 mars 1999 nga forcat serbe në Prishtinë.

Muzikë, një melodi shoqëronte mysafirët, kolegët e saj, profesorët dhe dashamirët e teatrit që kishin ardhur në përkujtimin e saj. Filmi i shkurtër dokumentar ishte ai që hapi mbrëmjen përkujtimore në kujtim të 20 vjetorit të vrasjes së Adrianës. Aty të përmbledhura me mjaft shije nga regjisorët Sabri Pajaziti dhe Besim Ugzmajli, u rikthyen shumë kujtime nga jeta e saj, fëmijëria, vitet e studimeve, rolet e saja në teatër e film, krahë aktorëve ikonë të skenës sonë teatrore e filmike. Adriana ishte me ne, gjatë gjithë mbrëmjes! Jetës dhe kujtimit të saj, iu duartrokit gjatë, tri herë gjatë mbrëmjes përkujtimore.

Për të evokuar kujtimet e tyre, në skenë u ngjitën profesorët e saj, ikonat e teatrit shqiptar, Enver Petrovci dhe Fadil Hysaj, shoqëruar edhe nga kolegët e saj të studimeve, aktorët Xhevdet Doda dhe Armond Morina. Të emocionuar të gjithë, madje të përlotur kujtuan vitet e Adrianës në akademi, energjinë e saj të pashtershme dhe buzëqeshjen unike që e karakterizonte.

Profesor Petrovci tha se nuk ka pasur njeri që nuk e ka dashur Adrianën, ajo nuk kishte armiq, ka qenë shumë e mirë, Zoti e ka marr për vete duke përshkruar me emocion karakterin e saj të dashur, momentin e vrasjes si dhe veprën e tij të titulluar “Adrianus” dedikuar aktores sonë që pret financimin për të dalur në skenë.

Profesor Hysaj tha se e ka të vështirë të flas për Adrianën nga skena, e vështirë të jetë në frekuenca të njejta me të 20 vjet më vonë, ku ajo kishte shumë jetë në çdo sekondë të pranisë së saj në skenë, që nuk kishte parë ndonjëherë aktorë me energjinë e saj. Ai lexoi letrën që kishte shkruar në përvjetorin e 4-të të vdekjes së saj, ku siç u shpreh, nuk ka ndryshuar asgjë sa i përket ndjeshmërisë dhe kujtimit për të.

Kujtimet e tyre për Adrianën i evokuan edhe kolegët e saj të studimeve, Xhevdet Doda dhe Armond Morina. Aktori Doda tha se ajo ishte hareja e klasës, boshti që përkundër egove studentore, artistike, i mblidhte bashkë me modestinë e dashurinë e saj. Ai rikujtoi një varg të tij kur po përgatitej monografia e Adrianës ku thoshte “Të të harroj, dua të të kem pranë, por ti vritesh përballë heshtjes sime” varg që përshkruante kujtimin për Adrianën.

Edhe Armond Morina, tha se jeta e gjeneratës që ka jetuar nën okupim, derisa të përfundoj karriera e tyre ka të bëj me këto histori që janë shumë të dhimbshme por edhe domethënëse për të frymëzuar aktorët e rinj.

Drita Abdullahu, motra e Adrianës shumë e emocionuar u ngjit në skenën e institucionit që mban emrin e motrës së saj, për të falënderuar të gjithë pjesëmarrësit në këtë ngjarje, për të evokuar copëza kujtimesh nga e motra dhe krenarinë që bart ajo për familjen dhe qytetin. Me këngë vijoi mbrëmja përkujtimore ku performoi edhe artisti i mirënjohur ferizajas, Mentor Haziri.

Mbrëmja dedikuar kujtimit ë Adrianës vijoi me ekspozitën e gjësendeve të saja personale që ishin vendosur në këtë institucion. Aty ishin djepi i Adrianës, karrigia dhe tavolina e mësimeve, fotoalbumi i saj, byzylyk e aksesorë të ndryshëm, çanta, cigarja e fundit e saj në çastin që u vra si dhe shumë gjësende të saja të cilat do të mbeten të ekspozuara në teatër, në këndin me emrin e saj, “Këndi i Adrianës”.

Me muzikë në sallën elegante, të dekoruar me shumë finesë, me fotografitë gjigande të vendosura në muret e Teatrit, melodinë e pandërprerë të artisteve të reja dhe koktejin e përgatitur për këtë mbrëmje u mbyll pjesa ceremoniale e kësaj ngjarje për të vijuar me shfaqjen “Psikozë n’4:48” të luajtur nga aktorët e trupës së teatrit tonë, shfaqje kjo dedikuar kujtimit të Adrianës në 20 vjetorin e vrasjes së saj.

Pasdite, për këtë ngjarje u bënë edhe homazhe në Varrezat e Qytetit, ku drejtorja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Xhemile Murati Shabani, bashkë me motrën e Adrianës, Drita Abdullahun, ikona të teatrit dhe kolegët e saj, punonjësit e DKRS-së dhe Teatrit vendosën kurora lulesh në gurin e varrit të saj.

Edhe në vdeksha ju mos më qani, është pjesë e tekstit të këngës së kënduar nga Adriana në xhirimet e mbi 20 viteve më parë. Sonte, Teatri “Adriana” me organizimin e saj, motrës së Adrianës, Drita Abdullahut dhe gjithë komunitetit artistik ferizajas dinjitetshëm riktheu kujtimin dhe krenarinë, energjinë që Adriana përçoi gjatë gjithë jetës së saj.

To Top