Ferizaj

Për të 49-tin vit me radhë, këtë të hënë nis Festivali i Teatrove në Ferizaj


Publikuar më:


Për të 49-tin vit me radhë, këtë të hënë, Ferizaj ngre siparin e festivalit më prestigjioz kombëtar të teatrove. Qindra aktorë tashmë kanë ndarë datën për t’u prezentuar para publikut të veçantë ferizajas, në hapje dhe gjatë gjithë netëve të Festivalit të Teatrove. “Shumë zhurmë për asgjë” me regji nga Zana Hoxha, “Një letër e humbur” me regji nga Kushtrim Bekteshi, “Zona e pritjes” me regji nga Fatos Berisha, “UN Inspektori” me regji nga Erson Zymberi, “Erdhi Godoja” me regji nga Shkelzen Berisha, “Ditë vere” me regji nga Naser Shatrolli dhe “Kanuni i gruas” me regji nga Arlinda Morina janë shfaqjet e loja brilante e aktorëve që janë përgatitur për këtë edicion të Festivalit.

Për të dhënë detaje për përgatitjet, shfaqjet pjesëmarrëse dhe organizimin e përgjithshëm të kësaj ngjarje kulminante kulturore në Ferizaj e më gjerë, dolën sot në konferencë për media, drejtori i Teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni, përfaqësuesi i trupës rezidente të aktorëve të Teatrit “Adriana” në Këshillit Drejtues të Teatrit, Mevlan Saraçi dhe Albion Sherifi – përfaqësues i Komunës së Ferizajt në Këshillin Drejtues të Teatrit “Adriana”.

Drejtori i Teatrit “Adriana”, Fatmir Hyseni bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për të filluar mbarë edicionin e 49 të Festivalit të Teatrove dhe se trupat e aktorëve nga pothuajse e gjithë gjeografia shqiptare duke nisur nga Gjakova, Tetova, Shkodra, Gjilani, Podujeva, Prishtina, për të përfunduar tek nikoqiri, Ferizaj, janë gati për t’i dhuruar publikut, momente të veçanta artistike e cilësi të lartë të shfaqjeve teatrore.
Ai tutje bëri të ditur edhe jurinë e këtij festivali që përbëhet nga emra të dëshmuar të artit skenik si Haqif Mulliqi, Shengyl Ismajli dhe Mevlan Saraçi. Organizimi i këtij edicioni të Festivalit të Teatrove nuk kufizohet vetëm në shfaqjet, pjesë të konkurrencës zyrtare, por edhe në aktivitete përcjellëse, ku për këtë edicion është programuar promovimi i librit të të ndjerit, profesorit universitar, Bekim Lumi, kontributorit të veçantë për artin e kulturën kombëtare.

Sponsorët e edicionit të sivjemë të Festivalit të Teatrove, tashmë tradicional janë Komuna e Ferizajt, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Programi Culture for Change dhe Raiffeisen Bank.

Ferizajasit e dashamirët e teatrit nga mbarë vendi, tashmë kanë prerë, për vetëm 1 euro biletat e tyre, për të ndjekur shfaqjet e këtij edicioni që këtë të hënë ngre perden.

To Top