25,04,2024

Për kosovarët, tryeza e festës së Bajramit vazhdon të jetë e shtrenjtë

Must Read

Bajrami është një festë solidariteti, të cilës të gjithë do të duhej t’i gëzoheshin.

Porosia më e madhe e Kurban Bajramit, qëndron mbi parimin e dashurisë, bujarisë, solidaritetit, barazisë, flijimit dhe sakrificës, që shprehet përmes therrjes së kurbanit.

Një nga traditat e kremtes, është edhe shtrimi i tryezës së begatë, të cilës i kushtohet një rëndësi e veçantë.

Në këtë ditë, që sipas traditës është ruajtur më vite, ka disa gatime tradicionale.

Për të kremtuar festën e Bajramit, qytetarët shpenzojnë më shumë, por njëkohësisht shumë dyqane, shfrytëzojnë festën për të rritur çmimet e produkteve të cilat, janë të nevojshme për këtë ditë.

Një familje që varet nga paga e sektorit privat, dhe që nga puna siguron rreth 300 euro në muaj, tregon se për festën e Bajramit, ka shpenzuar deri 100 euro.

Nexhmija është zonja e familjes 6 anëtarëshe Mehmeti nga Prishtina. Duke trajtuar si festën më të veçantë, ajo thotë se tryeza që servohet ketë ditë është mjaftë e kushtueshme, por ajo servohet ngase është një ditë e veçantë.

“Është një ditë e veçantë dhe për këtë arsye tryeza është më e begatshme se sa ditët tjera. Fillohet nga pijet, ëmbëlsirat dhe produkte të ndryshme të mishit. Por, të gjitha këto kanë një çmim të shtrenjtë, e që gjatë ditëve tjera të muajit duhet të jemi më të kujdesshëm për shpenzime”, ka thënë Nexhmija.

Paga minimale në Kosovë, është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35 vjeç, dhe 170 euro për të punësuarit e moshës mbi 35 vjeç.

Kurse, shporta mujore e një qytetari në Kosovë llogaritet të jetë 115 euro, shumë kjo që nuk siguron një standard të mirë jetësor për qytetarët.

Në anën tjetër përfaqësues të organizatave që mbrojnë të drejtat e konsumatorëve, pohojnë se shtresa e të varfërve në Kosovë, shpenzimet për këtë ditë nuk mund t’i përballon pa ndihmën e shoqërisë, kurse për pjesën tjetër që varen nga paga mesatare, kjo tryezë është e shtrenjtë.

Kryetari i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë për Radion Evropa e Lirë se shoqëria e Kosovës nuk ka krijuar institucione të mjaftueshme që të ndihmon këtë kategori për festa fetare apo shtetërore.

“Zakonisht të shtrenjta dhe ne të paktë jemi ata që mendojmë kur të ulemi në tryezë, se çfarë tryezë kanë 30 për qind e shoqërisë që jetojnë në varfëri”, ka thënë Kaçaniku.

Në Kosovë, llogaritet se shkalla e varfërisë ekstreme është diku në 10 për qind, kurse shkalla e papunësisë, mbi 32 për qind. Përderisa paga mesatare për ata që punojnë në sektorin publik është 429 euro, derisa në sektorin privat, paga mesatare është rreth 349 euro.

Ndryshe, një fenomen tjetër që ndodh në prag të çdo festave në Kosovë është ngritja e çmimeve të produkteve ushqimore, thotë Selatin Kaçaniku, duke e konsideruar lojë dhe mashtrim nga komuniteti i biznesit.

“Nëse flasim për çmime, jemi dëshmitarë se pikërisht për festa kemi lojëra të ndryshme në treg të çmimeve”, ka thënë Kaçaniku.

Për ngritjen e çmimeve dhe marketingun mashtrues që aplikojnë dyqanet e shumta për festën e Bajramit, dëshmon vet Nexhmija, e cila është kujdesur për blerjen e produkteve të nevojshme për këtë festë.

“Të dera i sjellin fletushkat me zbritje. Por, kur shkojmë në dyqane, janë krejt ndryshe. Nuk ka zbritje për festa, por vetëm ngritje të çmimeve nga 0.20 cent deri në një euro”, thotë Nexhmija.

Sidoqoftë, sipas zyrtareve të Bashkësisë Islame të Kosovës, kjo ditë është moment për t’i ndihmuar të varfrit, skamnorët dhe jetimët. (REL)

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Dr Fitim Goga, emërohet UD i Drejtorit Mjekësor të Spitalit të Ferizajt

Ditë më parë, Dr Fitim Goga, është emëruar UD i Drejtorit të Spitalit të Ferizajt. Emërimi i tij lidhet me...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img