27,04,2024

Paradoksi i Prokurorisë dhe Gjykatës, mban në paraburgim personin e palëvizshëm (Dokument)

Must Read

Nga: Elhami Ismajli

Disa tregtar kafshësh ishin gjuajtur me armë zjarri më 7 shkurt të vitit 2016, në rrugën “Xhamia” në Podujevë, për shkak të disa mosmarrëveshjeve.

Një person kishte vdekur, ndërsa Esat Llugaliu ishte plagosur tri herë, duke mbetur i palëvizshëm.

Por pavarësisht që Llugaliu është i palëvizshëm dhe në trajtim intensiv, Gjykata Themelore po vazhdon ta mbajë në paraburgim me kërkesë të prokurorisë, me arsyetimin se mund të arratiset dhe t’i pengojë hetimet.

Më 26 tetor të vitit 2016, prokurorja Besa Limani, e merr në pyetje të pandehurin Llugaliu, në Qendrën Klinike Universitare, dhe në proces verbal që e posedon lajmi.net, vetë prokurorja konstaton se i pandehuri “është i shtrirë si pacient dhe është i palëvizshëm”.

“Procesverbali mbi marrjen në pyetje të të pandehurit. I përpiluar me datë 26.10.2016,në QKUK- në Prishtinë Klinika e Neurologjisë ku i pandehuri gjendet i shtrirë si pacient dhe është i palëvizshëm, në çështjen penale ndaj të pandehurve Esat Llugaliu, Sadat Llugaliu dhe Fejrad Llugaliu në drejtim të veprës penale vrasje e rëndë nga neni 179 paragrafi 1, nënparagrafi 1.5 dhe nënparagrafi 1.8 të KPRK dhe veprën penale mbajtje në pronësi, posedim dhe kontroll të paautorizuar të armëve nga neni 374 paragrafi 1”, thuhet në proces verbal.

Por pavarësisht gjendjes së rëndë të Llugaliut, prokurorja Limani i kërkon Gjykatës Themelore që t’i vazhdohet paraburgimi Llugaliut, nën arsyetimin se mund të arratiset.

“Ekzistojnë rrethana që tregojnë rrezikun e ikjes së të pandehurit me qëllim të shmangies nga përgjegjësia penale”, e arsyeton kërkesën për paraburgim prokurorja Limani para Gjykatës Themelore.

Në fletëlëshimin e QKUK-së, Klinika e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, rekomandon që pacientii të transferohet në klinikën e  Ortopedisë, për shkak të trajtimit të mëtutjeshëm.

Në këtë fletëlëshim thuhet se pacienti Llugaliu është operuar dhe është trajtuar për shkak të plagëve të marra nga arma e zjarrit.

Por, avokati i Llugaliut,  Ramiz Krasniqi, thotë se klienti i tij po mbahet padrejtësisht në paraburgim sepse është i palëvizshëm për shkak se ka plagë nga arma e zjarrit dhe gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.

Krasniqi ka bërë disa ankesa dhe kërkesa që klienti i tij të lëshohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri, por asnjë kërkesë e tij nuk është marrë parasysh.

Krasniqi, thotë se klientit të tij po i shkelen të drejtat e njeriut, pasi është në gjendje të rëndë shëndetësore dhe nuk mund të përkujdeset për vete.

“Klienti im nuk mund një gotë ujë ta pinë vet, i duhet përkujdesje nga një person, sepse është i palëvizshëm për shkak të plagëve”, thotë Krasniqi për lajmi.net.

Avokati në shumë ankesa dhe kërkesa, nuk ka marr përgjigje

Avokati mbrojtës i Esat LLugaliut, Ramiz Krasniqi, ka bërë shumë kërkesa e ankesa për klientin e tij që është në gjendje të palëvizshme.

Krasniqi i ka shkruar shumë institucioneve duke treguar gjendjen e klientit të tij, dhe duke kërkuar të mbrohet në liri.

Për të mos përfunduar paradoksi, edhe Gjyakata e Apelit, kishte vendosur që Llugaliu të mbahet në paraburgim pas një ankese që e bënë avokati i këtij të fundit.

Avokati Krasniqi në ankesën që e kishte bërë në Gjykatën e Apelit, kishte shkruar se klienti i tij, ka plagë vdekjeprurëse që i ka marr gjatë përleshjes me armë zjarri ditën kritike dhe është i palëvizshëm nga beli e poshtë dhe është i shtrirë në spital, në kujdesin intensiv.

Paradoksin e vazhdon edhe Gjykata e Apelit, që e krijon një komision me gjyqtarët Driton Muharremi kryetar, Abdullah Ahmeti dhe Xhevdet Abazi, që ia refuzojnë ankesën Krasniqit dhe në arsyetim përdorin të njëjtën çështje, atë që Llugaliu mund të arratiset nga vendi.

“Më 15 dhjetor të vitit 2016, Gjykata e Apelit të Kosovës, departamenti për krime të rënda, i përbërë nga gjyqtarët Driton Muharremi kryetar, Abdullah Ahmeti dhe Xhevdet Abazi, ia refuzojnë ankesën avokatit mbrojtës së Llugaliut si të pabazuar. Gjykata e Apelit e Kosovës vlerëson se Gjykata e shkallës së parë drejtë ka gjetur se me qenë se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer vepër penale, se ka bazë ligjore për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij, ngase ekzistojnë rrethana të cilat me të drejt justifikojnë frikën se me gjetjen e të pandehurit në liri, i njëjti do të mund të ik apo arratiset”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Apelit.

Kjo për avokatin Krasniqi, është kulmi i paradoksit, se si mund një person i palëvizshëm të arratiset jashtë vendi.

“Si ka mundësi një person me 3 plagë të rënda dhe i palëvizshëm që nuk është në gjendje të kujdeset për veten, të arratiset? Kjo është paradoksi i shekullit”, thotë Krasniqi për lajmi.net.

Krasniqi ia ka bërë një shkresë gjyqtarit të procedurës paraprake, Vehbi Kashtanjevës, që i kërkon t’i ndërpritet paraburgimi klientit të tij, duke dhënë argumente se i njëjti nuk është në gjendje që të arratiset dhe as të ndikojë në prova, sepse është i palëvizshëm.

“Nuk mund të aplikohet në rastin konkret kjo dispozitë. Si mund të ikë një person i cili është i palëvizshëm. Ai nuk është i interesuar as çfarë vendimi do të marr nga gjykata dhe as të ndikojë në askënd. Është i interesuar të shërhohet. Këtë duhet t’ia mundësojë gjykata, dhe atë me ndërprerje të paraburgimit”, shkruan në kërkesën e tij drejtuar gjyqtarit të procedurës paraprake, Vehbi Kashtanjevës, por që s’ka marr ende përgjigje.

Të njëjtën shkresë ia ka bërë edhe kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimit, duke i kërkuar për të vendosur mbi ligjshmërinë e paraburgimit ndaj Esat Llugaliut.

As nga Ibrahimi nuk ka marr përgjigje.

Krasniqi ka bërë një sërë ankesash nëpër institucione të Kosovës, me kërkesën e vetme që klientit të tij ti mundësohet shërimi, dhe pastaj gjykimi.

Llugaliu me 3 plagë të rënda dhe i palëvizshëm, vazhdon të mbahen në paraburgim, me arsyetimin se mund të arratiset jashtë vendit dhe të ndikojë në prova./Lajmi.net/

.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha mban punëtori në Universitetin e Vjenës

Pas një periudhe intensive të hulumtimit dhe bashkëpunimit me akterët nga qeveria, akademia dhe industria në Austri, Prof. Asoc....

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img