26,04,2024

OPOZITË TË OPOZITËS

Must Read

Ajo çka do të paraqes nuk është një përpjekje për t’a mbrojtur poziten nga opozita, mirëpo do mundohem që të paraqes një realitet të politikës kosovare, në veçanti të opozitës, e cila vazhdimisht nëpër media paraqitet me deklarata kritike ndaj pozitës, ku rrallëherë mund të shohim brenda deklaratave të tyre alternativa për zgjidhjen e problemeve.

Natyra e këtyre deklaratave nuk arrijnë që t’a kalojnë kritikën e inateve personale të drejtuara nga individë të caktuar, duke u lëshuar edhe në nivele banale të kritikave për jetën e tyre personale dhe familjare, që dita ditës po i ngjason politikës në Shqipëri.


Në skenen politike të Kosovës nuk kemi një frymë të mirëfillt demokratike, në të cilën do të duhej që të kemi luftë në mes të ideve politike dhe programore, përmes ofrimit të alternativave
bindëse për zgjidhjen e problemeve të shoqërisë. Opozita në Kosovë është shumë pak konstruktive sepse nuk merret me ofrimin e alternativave politike për zgjidhjen e problemeve që e preokupojnë shoqërinë, por ajo(opozita), në skenen tonë politike është duke e sjellur një frymë
të urrejtjës personale, duke u marrur me individë, e jo për të ofruar alternativa politike.


Duke mos dashur që t’a arsyetoj poziten, në të cilën ka nevojë për ndryshime pozitive në aspektin e politikave ekonomike në përmirësimin e gjendjes sociale të qytetarëve, duke u nisur nga hapja e vendeve të reja të punës, sigurimeve shëndetësore, ngritjen e standardit të jetës së
qytetarëve etj., opozita nuk është duke u marrur më ofrimin e alternativave serioze dhe bindëse për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe sociale. Opozita kosovare është duke instaluar një frymë të luftës mes individeve, jo të ideve. Një frymë të cilën do t’a arsyetonte maksima e
Makiavelit, i cili thotë se “qëllimi e arsyeton mjetin”.

Opozita është në gjendje që të përdorë çdo lloj të mjetit për të arritur në pushtet, pavarësisht se sa serioze janë politikat që i përdorin. Kjo
logjikë e tyre përjashtuese vërehet tek mungesa e tyre nepër seansat parlamentare vetëm për të bllokuar funksionimin e Kuvendit dhe mospjesmarrja e tyre ne ekipin negociator për bisedimet Kosovë-Serbi.

Nëse vërtetë opozita është për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, ata duhet të bëhen pjesë e ekipit negociator dhe të mos lejojnë që të cenohet sovraniteti i vendit, nëse veq e kan këtë dyshim. Andaj, kërkesa e tyre për zgjedhje nuk është zgjidhje, por lakmi e tyre për pushtet.

Temat nacionale sikurse bisedimet Kosovë-Serbi janë të pashmangshme, ku për këtë arsye ne tema te tilla opozita duhet patjetër t’iu bashkangjitet pozitës, ne mënyrë qe roli i tyre te jetë konstruktiv dhe shumë i dobishem për të mirën e vendit.

Opozita duhet që të jetë konstruktive, të merret seriozisht me veprimet e pozitës, të ofrojë alternativa politike në aspektin ekonomik, social, ligjor, etj., e jo të merret me emra të përveçëm.
Skenës politike të Kosovës i duhet një frymë në të cilën do të mbizotëronte një luftë në mes të ideve, një luftë në mes të asaj se cila alternativë politike është më e mirë dhe më bindëse për qytetarët.

Në një sistem demokratik është i nevojshëm ndërrimi i udhëheqjës, mirëpo ajo duhet që të vijë si rezultat i një alternative politike, e cila është bindëse dhe argumentuese se do të jetë më e mirë se politika aktuale. Pluralizmi politik është shumë me rendësi për një vend që ndikon
në ngritjen e nivelit politik dhe ofrohen alternativa politike për qytetarët.

Në atë vend ku ekziston pluralizmi politik, ofrohet një politikë më e mirë që del si rezultat i konkurrencës politike dhe njëherit qytetarët kanë mundësi alternativash për t’i zgjedhur përfaqësuesit e tyre që ata mendojnë se janë mbrojtësit më të mirë të interesave të tyre. Në ato vende ku mungon pluralizmi politik, mungon edhe demokracia, sepse nga mungesa e alternativave politike për qytetarët, një pjesë e tyre mbesin jashtë përfaqësimit sepse në atë skenë politike nuk ekzistojnë politika të cilat përkojnë me bindjet dhe interesat e një pjese të qytetarëve. Siq thotë edhe filozofi i politikës bashkëkohore Karl Popper :”Prandaj, në qoftë se dëshirojmë që shoqëria e hapur të bëhet realitet,
kërkesa më fondamentale është ajo që njerëzit në pushtet të mund të ndërrohen, brenda intervaleve të arsyeshme dhe pa dhunë, dhe të zëvendësohen nga njerëz të tjerë më politika të ndryshme“

Pra, për t’u bërë realitet që një politikë të zëvendësohet me një politikë tjetër, duhet që të ekzistojë pluralizmi politik që t’u ofrohen alternativa politike qytetarëve për të pasur mundësi për t’i zëvendësuar dhe ndryshuar përmes kritikës.
Në Kosovë kemi nevojë për një opozitë të opozitës, e cila do t’a edukonte atë për mënyrën e veprimit të saj në raport me qytetarët dhe poziten. Opozita duhet që t’a ndryshoj qasjen e politikave vepruese, në mënyrë që të duket serioze në raport më poziten dhe kritikat që i bëjnë asaj, sepse qytetarët janë shumë të vetëdijshëm dhe nuk do të biejn pre e disa politikave demagogjike të ofruara nga opozita.
Prandaj në mungesë të një opozite konstruktive, e cila do duhej marrur me ofrimin e alternativave politike, na qon te mendimi se në Kosovë do të ishte shumë i padobishëm zëvendësimi i pozites me opoziten, në një klimë ku ekziston lufta mes interesave dhe inateve personale, e jo mes ideve.

Pozita duhet që vetë të ofroj alternativa, duke u rifreskuar me njerëz të
rinjë dhe profesional, të cilët do ishin bindës në ofrimin e alternativave, në mënyrë që t’a fitoj besimin e qytetarëve edhe një mandat të udhëheqjës së Qeverisë, nëse veq do të këtë zgjedhje, gjë e cila në një përqindje të lartë i ka gjasat që të ndodhë, falë një opozite të pakonsoliduar, jo konstruktive dhe aspak serioze në ofrimin e alternativave politike.

Autor i shkrimit -Ilir Ejupi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Gruaja nga Ferizaj denoncon se i është zhdukur burri, deklaron se kishte me vete mijëra euro

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img