29,03,2024

Një shfaqje teatri që të tronditë

Must Read

Edhe pse ka vite që i ndjeki shfaqjet teatrore, asnjëherë nuk kasha përjetuar atë që përjetova në premierën e shfaqjes “Nata e Gretës” sipas Ingmar Villqist, me regji nga Ben Apolloni.

Kur mikja ime më ftoi që të shkojmë në teatër në Ferizaj, nuk është se thash menjëherë “po”, pasi që në këto ditë nxehteësie tropikale më me qejf do të shkoja në det, ose në pishinë. Por për të mos ia prishur mikes, shkuam në teatrin “Adriana”, një teatër i vogël, por që na befasoi me një shfaqje të madhe.

Shfaqja filloi me një video ku dukeshin turbullt pamje dokumentare nga koha e Hitlerit, kohë në të cilën ishte vendosur ngjarja e kësaj drame të shkruar nga autori polak, për të cilin hera e parë më ra të dëgjoj. Hapet perdja e kuqe (ngjyra e kuqe ishte dominante ne këtë shfaqje) dhe pamjet nga videoja shkriheshin me Gretën që tundte një flamur të vogël dhe bërtiste përplot entuziazëm, siç bërtiste turma në qytetin fiktiv, të një historie reale. Greta bërtiste e gëzohej pë rata që do të ishin fataliteti i saj. Por një zemër e pastër, kurrë nuk është në gjendje ta parashikoje fatkeqësinë që mund t’I vije nga të tjerët. Pas Gretës, shfaqet në skenë Magda. Një grua elegante, e rreptë por edhe shumë e dashur, fati i së cilës është ai i një gruaje që ka humbur çdo gjë në jetë. Një grua që kishte humbur burrin, pasi kishte lindur një fëmijë me të meta dhe ai e kishte fajësuar gruan për lindjen e fëmijës së atillë, më pas ajo kishte braktisur djalin duke shpresuar ta ktheje burrin, por që në të vërtetë kishte humbur të dytë dhe jeta e saj përplot dashuri e lumturi, shpejt kishte marr fund. Siç merr fund çdo gjë e bukur: shumë shpejt.

Ngadalë ne e marrim vesh historinë dhe marrdhënien e dy personazheve, që është një marrdhënie e çuditshme e një vajze me të meta mendore që është rritur nga një grua që e kishtë bërë bijë shpirti. Greta e Magda, herë grinden e herë duhen.

Drama e tyre duket aq njerëzore në një kohë aspak njerëzore. “Nata e Gretës” ishte përplot situata, batuta, e gjeste që luajnë me gjendjen emocionale të spektatorit, të cilin sa e bëjnë që të qeshi, sa e trembin fuqishëm (thyerja reale e xhamit të dritares na trembi për vdekje), sa e bëjnë të qajë.

Madje mund  të konstatoj lirisht se kurrë nuk ka parë në një shfaqje teatri aq shumë njerëz që qajnë, e sigurisht që për këtë, përveç punës së regjisorit i cili duket se me shumë vëmendje e ka krijuar këtë mozaik teatror ku çdo gjë duket e menduar mirë dhe e matur mirë që të peshoje si duhet, merita të mëdha kanë dy aktoret,  Gresa Gashi e Arjola Demiri, që bartnin gjithë peshën e shfaqjes e cila zgjati rreth një orë e gjysmë. 

Ishte hera e parë që këto dy aktore i pash në skenën e teatrit, por loja e tyre më befasoi aq shumë sa që mund të them se asnjëherë nuk ka parë në skenat tona një lojë aq të harmonizuar si kjo në shfaqjen “Nata e Gretës”. Gresa Gashi, ishte e prerë për rolin e Gretës (çuditërisht edhe emrin e njejt me personazhin), dhe per asnjë moment nuk mund të mendoje ndryshe veç se je duke e parë vërtetë në skenë një Gretë, që nuk flet mirë, nuk di shumë, por është aq e dashur, aq e ëmbël sa që nga minutat e parë të shfaqjes ajo të hy në zemër dhe kur shfaqja përfundon, më Gretën duke dhënë shpirt, zemra dhemb sikur po të çahet. Kurse Arjola Demiri, ishte krejt ndryshe, një aktore që që nga çasti kur futet në skenë rrezaton madhështi, çfarë rrallë mund të shihet në skenat teatrore tek ne.

Magda e Arjola Demirit, në fillim dukej misterioze, e ftoht, e rrept, por gradualisht shpaloset drama e saj tragjike dhe ne e shohim një Magda shumë të dashur, por ndaj të cilës jeta ishte treguar shumë e ashpër dhe do të vazhdojë të jetë e tillë.

Monologu mbi tryezë, kur rrëfen për jetën e saj, para se ta kishte takuar Gretën, është një moment teatror që edhe nëse dikush ka zemër hekuri në vend zemrës njerëzore, nuk do të mund të mos përlotet. Zatën edhe është pikërisht intepretimi i saj që edhe dy ditë pas shfaqjes, ende e ndjej që shpirti më dridhet nga emocionet. Dhe për herë të parë e kuptova se për çfarë e ka fjalën filozofi grek, Aristoteli, kur flet për “katharsisin”. Dhe kushdo që do ta kuptoje këtë nocion, i sugjeroj të shkoje në Teatrin e vogël “Adriana” në Ferizaj dhe ta shohë “Nata e Gretës”.

 Emira Aliu

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img