29,03,2024

Një grup koreanojugorësh edhe në Kosovë

Must Read

Bardhyl Selimi- Hyzri Salihu

-Vera sjell edhe në Shqipëri shumë vizitorë të huaj. Ndër ata edhe esperantistë, d.m.th njerëz që e flasin gjuhën ndihmëse ndërkombëtare Esperanto.

Që në maj, kisha marrë njoftim nga miqtë koreanojugorë se ata do ndërmerrnin një turne tre mujore nëpër Azi- Evropë. Përfshihej në këtë udhëtim të gjatë edhe Shqipëria e Kosova. M’u bë qejfi dhe u tregova i gatshëm të ndihmoja në vizitat e tyre në shtetet shqiptare. Ata ishin tetë pjesëtarë, me mosha nga 12-72 vjeç. Në krye ishte profesori i Historisë Ekonomike z. So Gilsu, që kishte vizituar rreth 80 vende të botës. Ai vinte bashkë me të shoqen. Po ashtu ishte edhe zoti Daebong Jeon, informaticien me të shoqen Cho Myung Ja, njëkohësisht sekretare e shoqatës koreane të Esperantos. Një zonjë kishte ardhur  me të birin ndërsa një zonjë tjetër bashkë me të bijën, studenten 2o vjeçare Choi Youn Ji.

Screen Shot 2016-08-25 at 10.03.16

Ata mbërritën në Tiranë me 12 gusht, pas mesdite.  Në sallonin e hotel “Nobel”, pranë qendrës, erdhën për t’i takuar edhe z. Bedri Alimehmeti, autor i vëllimit poetik në dy gjuhë, shqip dhe esperanto,  “Kjo këngë për ju”, i cili i dhuroi një kopje grupit. Erdhi edhe gazetari i Radio Tiranës, z. Andi Bica, i cila na ftoi në studio për një intervistë. Kështu, i tërë grupi nisi shëtitjen nëpër bulevardin e madh deri të ndërtesa e Radio – Tiranës.  Rrugës vijuam bisedën. Pyetjes së z. Bedri mbi zhvillimin ekonomik të Koresë së Jugut, zoti So iu përgjigj se të ardhurat për frymë atje janë 30 mijë USD dhe vendi i tij konkurron sot me sukses Japoninë, Gjermaninë dhe SHBA! Të ardhurat në jug janë 80 herë më të larta se në veri, ku sigurisht pjesa më e madhe e parave shkon për industrinë e luftës duke varfëruar në skajshmëri popullin koreanoverior.

Gilsu shpjegoi se dy ishin qëllimet e turneut nga Seuli në Berlin, të ndërmarrë nga grupi i tij: të shihnin vendin ku dikur ka qenë Muri i Berlinit që ndante dy Gjermanitë, sikurse është Korea e ndarë sot dhe, së dyti, të merrte pjesë në Kongresin 101 të esperantistëve në Nitra të Sllovakisë. Vitin e ardhshëm kongresi i 102 do mbahet pikërisht në Seul.

Të nesërmen, bashkë me grupin, ne shkuam në Durrës me linjën e autobusëve. Mandej një vizitë në Muzeun Arkeologjik dhe në amfiteatrin e madh romak.

Për prof. So Gilsu ishte me interes të gërmonte fakte mbi ekzistencën, edhe në tokat tona, të simbolit të Svastikës, (të futur në flamurin e Gjermanisë Nacional- Socialiste) që dikur ka paraqitë diellin.

Pasoi një darkë e shijshme në restorantin “Meduza” pranë Radios, duke vijuar bisedat dhe duke ndjekur Olimpiadën në Brazil përmes TV.

 

Të dielën herët, ora 6, u nisëm për Kosovë me autobusin e shoqërisë “Tirana – Metropol”.

Vijuan bisedat gjatë rrugës si edhe në ndalesën te Lugina e Drinit në Kukës, duke shijuar panoramën e liqenit dhe të malit të Gjallicës.

Në Prishtinë na priste një mikrobus i porositur nga miku im Behadin Rexhepi, që na shpuri në hotelin luksoz “Nartel”, pranë stacionit qendror të autobusëve. Programi, gjithashtu i hartuar nga Behadini, përfshinte vizitën në Shpellën e Mermerit në Gadime të Epërme, vizitën në Janjevë, në fshatin e lindjes së priftit arkeolog dhe etnograf Shtjefën Gjeçovi, në Graçanicë dhe në Prekaz, ku ndodhi sakrifica e jashtëzakonshme, pa shembull të dytë në botë, e familjes së Jasharajve.

Shpella e Mermerit, ndonëse e zbuluar në vitin 1969 dhe me investime të kufizuara, është padyshim e pakrahasim në llojin e vet. Dikur aty cicëronte z. Nazif Tasholli, tashmë i ndjerë që një vit, i cili i tërhiqte vizitorët me njohuritë dhe elokuencën e tij të veçantë. Atëherë Shpella administrohej nga Komuna e Lipjanit. Tani ajo administrohet nga Ministria e Mjedisit.

Grupin e shoqëronin edhe dy personalitete vendore, miq të mi, nënkryetari i Komunës së Lipjanit Ing. Sefer Tasholli dhe profesori i historisë z. Adem Tasholli.

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img