Lajme

Në vjeshtë nisin arrestimet e para për Speciale


Publikuar më:


Sipas dinamikës së përgatitjes, parashikimeve dhe pritjeve të ekspertëve të së drejtës, Gjykata Speciale për krimet e supozuara të luftës, pas një zvarritjeje të themelimit në vitin e kaluar dhe në këtë fillim viti, do të fillojë nga puna në shtator ose tetor të këtij viti.

Në bazë vlerësimeve të njohësve të rrethanave politike në vend, fillimi i punës së kësaj Gjykate Ndërkombëtare, pritet të përcillet edhe me një furtunë të madhe, tronditëse për politikën kosovare, me shumë arrestime për paditë e ngritura Prokuroria dhe nga Gjykata Speciale.

Në pritje të një furtune të tillë, analistët dyshojnë se edhe kjo lloj mjegulle e madhe dhe krize politike në vend që e kemi tashmë e një vit, që nga momenti i miratimit të Ligjit dhe ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Speciales, po bëhet nga politika për t’iu shmangur sa më shumë Gjykatës Speciale. Sa i përket tronditjes së madhe politike, është shumë e pritshme që goditjen kryesore do ta marrë partia e parë në pushtet PDK-ja, por edhe subjektet e tjera politike të krahut të luftës, AAK-ja dhe Nisma. Pavarësisht se proceset gjyqësore, që do të fillojnë nga Specialja mund të dështojnë, për shkak se paraprakisht është paralajmëruar mungesa e provave bindëse sa u takon krimeve të luftës, tërmeti politik është i pashmangshëm, shkruan gazeta Kosova Sot.

Peshqit e mëdhenj mund të shpëtojnë

Analisti Islam Krasniqi pret që pas muajit shtator të ndodhë një furtunë e madhe politike, ku pritet që edhe Gjykata Speciale do t’i ketë veprimet e para të arrestimit të krerëve të luftës, mbi të cilët rëndohen akuza për krime lufte. “Nga Specialja nuk rrezikohet vetëm partia e parë, por rrezikohen të gjitha partitë e dala nga lufta, duke mos i anashkaluar edhe AAK-në, NISMA dhe disa nga lëvizja ‘VETËVENDOSJE’. PDK-ja ndoshta do të dëmtohet pak më shumë, por një gjë dihet se edhe Gjykata Speciale ka qëllime politike dhe shumë lehtë mund të dështojë, ashtu siç ndodhi me misionet e tjera në Kosovë, siç janë UNMIK-u, EULEX-i, dhe Gjykata e Hagës, sepse pas kësaj Gjykatë mund të qëndrojë Serbia apo argat e saj”, tha politologu Islam Krasniqi për “Kosova Sot”.

Sido që të jetë ai nuk pret që nga Gjykata Speciale të goditasë edhe figurat qendrore të politikës kosovare, por kryesisht disa të tyre të afërt. “Nuk përjashtohet mundësia që të mos prekën peshqit e mëdhenj, ashtu siç jemi mësuar të dëgjojmë vazhdimisht, sepse edhe misioni i EULEX-it pati premtuar se do t’i arrestojë peshqit e mëdhenj për korrupsion, por jo që nuk i arrestoi, por u korruptua edhe vetë, andaj edhe Specialja mund të veprojë njësoj”, tha Krasniqi. Këtij trajtimi selektiv të të dyshuarve nga Specialja, sipas tij, mund t’i kontribuojë edhe vetë situata e mjegullt politike dhe acarimet që po ndodhin tani në nivel vendi. /Kosova sot

Comments
To Top