18,04,2024

Në Gjenevë u promovuan vepra me vlerë nga fusha e letërsisë dhe kulturës sonë

Must Read

Këtë fundjavë në një nga sallat auditoriale të Universitetit shtetëror të Gjenevës, u bë promovimi i  veprës së bashkautorëve Besnik Camaj e Shefqet Dibrani “Leksikon i Autorëve Shqiptarë në  Zvicër” si dhe ai i  përmbledhjes “Tresors  Albanais”i poetes dhe përkthyeses Rina Çela- Grasset, që përmban një fond të pasur thëniesh të urta shqiptare me përkthim edhe në frëngjisht.

leksioni-autoreve-shqiptar-ne-zvicer

Takimin me nxënës, studentë e intelektualë të fushave të ndryshme e deklaroi të hapur zonja Margarita Iseni,studente në Fakultetin Juridik të Gjenevës. Ajo ka mahnitur të gjithë të pranishmit me të folmen e saj të prajshme dhe të pasur në gjuhën shqipe.

Vlerësime kritike rreth Leksikonit të Autorëve Shqiptar në Zvicër, fillimisht ka dhënë zonja Mirishahe Limani-Hiler.

Ajo tashmë e  njohur për lexuesin shqiptar dhe atë në gjuhën frënge  këtë vepër pjesë e së cilës është edhe vetë e vlerëson pozitivisht, duke falënderuar nga zemra Camajn dhe Dibranin ,për punën e tyre të mundimshme e plotë sfida. Leksikonin e konsideron si një hapje shtegu dhe referencë të parë për  gjeneratat në ardhje.

Pastaj me një kritikë impresioniste rreth veprës letrare të autorëve Camaj dhe Dibrani,u prezantua  poetja nga Ferizaj Nerxhivane Sejdiu-Ferati, e cila aktualisht jeton dhe vepron në Gjenevë të Zvicrës.

Ajo  punën e këtyre dy krijuesve të shquar e vlerësoi si pasuri të shumëfishtë të kulturës sonë.  Madje Dibranin e quan si njërin nga krijuesit më të frytshëm të viteve të 90-ta .

Konstatimin tim thotë zonja Sejdiu-Ferati, e konsideroj të pakontestueshëm kur marr parasysh faktin se një mori bukur e mirë e punimeve letrare të z. Dibrani janë të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, si në: anglisht,gjermanisht,frëngjisht,italisht,rumanisht e sllovenisht.

Ndërsa librin me  215 poetë e krijues shqiptarë të fushave të ndryshme në Zvicër, ajo  e ka cilësuar si  një arritje të lartë krijuese të këtyre dy autorëve të njohur të letrave tona.

Ajo beson se kjo vepër me karakter informues dhe shkencor do të jetë frymëzim  dhe motivim edhe për studiuesit e fushave të tjera.

Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë ngjarje të rëndësishme kulturore shkrimtari,publicisti dhe kritiku i mirënjohur letrar nga Kosova,Prend Buzhala njëherit edhe redaktor i librit në shqyrtim ka dërguar një trajtesë me shkrim.

Ai nëpërmjet kësaj kumtese të lexuar nga zonja  Nerxhivane Sejdiu- Ferati,ka shprehur përshtypjet e tij  personale rreth Leksikonit të Autorëve Shqiptarë në Zvicër.

Buzhala  këtë vepër e ka  klasifikuar si  Fjalor Enciklopedik të Letërsisë Shqipe,sepse nëpërmjet saj përmblidhet dhe identifikohet puna krijuese nëpër shekuj e qindra poetëve, artistëve dhe shoqërive kulturore shqiptare që në periudha të ndryshme veprimtarinë e tyre  politike dhe krijuese e zhvilluan dhe vazhdojnë ta zhvillojnë në të gjitha regjionet e Zvicrës.

Kurse autorët  Camaj dhe Dibrani kanë falënderuar të gjithë poetët dhe artistët e fushës pamore apo të teatrit dhe filmit, paharruar edhe shoqëritë dhe grupet e shumta kulturore që me shënimet e tyre të dërguara kanë ndihmuar realizimin e këtij  projekti. Ata gjithashtu janë të vetëdijshëm që me këtë vepër s’ ka përfunduar gjithçka.

Për arsye të shtrirjes së mërgatës sonë në qytete dhe vendbanime të ndryshme të Zvicrës dhe mungesës së  duhur të informimit ka të ngjarë që dikush nga krijuesit e letërsisë,artit dhe filmit të ketë mbetur pa u përfshirë në këtë libër.

Garantojmë që nuk kemi pasur inate e as qëllime përjashtuese ndaj askujt thanë në fund të fjalës së tyre Camaj e Dibrani.

Po ashtu në këtë mbrëmje letrare një trajtim dhe studim i është bërë edhe librit“Tresore  Albanais” të poetes dhe përkthyeses së njohur të letërsisë sonë  Rina Çela Grasset.

tresors-albanais

Ky libër edhe pse i një tjetër gjinie letrare ka zgjuar tek të pranishmit interesim të jashtëzakonshëm.

Zonja Çela-Grasset në këtë libër ka përmbledhur fjalë të urta popullore nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

Ajo nëpërmjet këtyre thënieve të urta synon të paraqesë tek lexuesi i huaj vlerat e mirëfillta të popullit të saj. Zakonisht këto urti  kanë qarkulluar në popull si tregime të pashkruara.

Zonja Çela-Grasset duke ditur vlerën dhe kuptimësinë e tyre i ka  tubuar ato dhe i ka sistemuar në këtë libër, me çfarë ka shmangur rrezikun e  mundshëm të zhdukjes së këtij thesari  të çmuar të popullit tonë.

Nëpërmjet një monografie të titulluar “Dy  Dekada me  Shqiptarët e Francës” para auditorit është  paraqitur  edhe autori i këtij libri Abaz Pllana. Ai si njëri nga veprimtarët më të hershëm të mërgatës sonë në Francë,  me katër-pesë fjali përshkroi punën disavjeçare të shqiptarëve në këtë vend.

dy-dekada-me-shiptaret-e-frances

Duke e vërejtur modestinë dhe mos imponimin e Pllanës, vlerësim për këtë monografi dha edhe zonja Çela- Grasset. Ajo shprehu haptas kënaqësinë që është redaktore e monografisë dhe bashkëveprimtare me Abaz Pllanën, njeriun e fjalëve të pakta dhe të veprave të shumta.

Kjo mbrëmje e rëndësishme kulturore është realizuar në saje të një bashkëpunimi të ndërsjellë të  kryesive të shoqatave“Unioni i Studentëve Shqiptar të Gjenevës” dhe “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”

Shkruan ARIF EJUPI

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Ministria e Zhvillimit Rajonal nënshkruajnë Memorandum për bashkëpunim në Zhvillimin Rajonal

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe ministri i Ministrisë të...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img