Ferizaj

Rreth 350 qytetarë në Ferizaj ankohen se s’po u pëlqejnë emrat e rrugëve


Publikuar më:


Qytetarët në Ferizaj po kërkojnë riemërtimin e disa rrugëve në lokalitete të ndryshme dhe lagje të qytetit.

Sipas Komisionit Komunal për Ankesa, rreth 70 për qind e emërtimeve të para të rrugëve kanë qenë të kundërligjshme dhe me gabime drejtshkrimore, ndërkohë që janë përmirësuar shumica prej tyre dhe së shpejti Kuvendi do t’i përmirësojë edhe disa emërtime të tjera.

Një pjesë e qytetarëve në Komunën e Ferizajt, prej vitit 2013 po vazhdojnë të përballen me telashe të emërtimit të rrugëve. Gjatë vjetëve të fundit, Komisioni Komunal për Ankesa ka pranuar rreth 350 ankesa nga qytetarët të cilët nuk janë pajtuar me mbishkrimin e rrugëve nëpër lokalitete të ndryshme, njofton Koha.

Banorët e disa lokaliteteve dhe disa lagjeve të Ferizajt po vazhdojnë t’i kundërshtojnë emërtimet e rrugëve të cilat janë vendosur gjatë vjetëve të kaluar me vendim të Komunës, madje në disa raste banorët kanë larguar edhe tabelat nga rruga, sidomos ato me mbishkrime në gjuhën serbe. Ndërkohë, në fund të kësaj jave, Komuna e Ferizajt ka nënshkruar një marrëveshje të re me autoritetet e Norvegjisë për vendosjen e sistemit të adresave, vendosjen e tabelave dhe numrave nëpër shtëpi dhe banesa kolektive.

Faik Selmani, kryesues i Komisionit për Emërtim dhe Riemërtim të Rrugëve në Komunën e Ferizajt, ka thënë se prej vitit 2014 Kuvendi Komunal ka marrë disa herë vendime të ndryshme që kanë të bëjë me emërtime të rrugëve. Sipas tij, Komisioni ka vërejtur një varg gabimesh të cilat tashmë janë përmirësuar. Ai sqaron se kanë mbetur edhe 8 emra rrugësh të cilat duhet të përmirësohen nëpërmjet Kuvendit Komunal, ndërkohë që së shpejti fillon edhe një projekt i ri për sistemin e adresave nëpër shtëpi dhe banesa.

“Në Komunën e Ferizajt kemi gjithsejtë 1 mijë e 536 emra të rrugëve, 18 sheshe dhe 303 emra rezervë. Në të kaluarën, rreth 70 për qind e tabelave kanë qenë me gabime, ndërkohë që kemi pranuar 355 ankesa nga vetë qytetarët të cilët nuk janë pajtuar me këto tabela. Ne si komision i kemi shqyrtuar të gjitha ato dhe ia kemi përcjellë Agjencisë Kadastrale të Kosovës. Ndërkohë, kjo agjenci i ka kthyer disa për t’i përmirësuar. Aktualisht i kemi edhe vetëm 8 emra të rrugëve që duhet të përmirësohen nga KK-ja”, ka thënë Selmani

To Top