Lajme

Natë tronditëse për Mynihun – Autori një 18 vjeçar gjermano-iranian


Publikuar më:


Një 18-vjeçar qëllon pa dallim njerëzit në një qendër tregtare në Mynih dhe vret së paku 9 vetë. Pas një nate në gjendje të jashtëzakonshme, shtrohet pyetja pse?

Mynihu në gjendje shoku. Nëntë vetë vriten në qendrën tregtare në Mynih, në fund atentatori vret veten, 16 të tjerë të plagosur. Të premten në mbrëmje, policia flet për gjendje terrori. 2.300 forca policore përfshihen në aksion. Mynihu ndodhet në gjendje të jashtëzakonshme. Autobusë dhe metro ndalojnë qarkullimin. Stacioni kryesor i trenit në Mynih evakuohet. Njerëzve u këshillohet përmes sistemit të paralajmërimit “Katwarn” të qëndrojnë në shtëpi e të mos dalin në rrugë. Për orë të tëra nuk dihet, se sa atentatorë janë dhe ku ndodhen ata? Policia jep vetëm gjatë natës sinjalin e kalimit të rrezikut: Sipas informacioneve të saj, atentatori 18-vjeçar gjermano-iranian ka vepruar i vetëm dhe në fund ka vrarë veten.

Të shtunën herët presidenti i policisë së Mynihut, Hubertus Andrä del para shtypit. Hetuesit gjermanë janë të bindur: 18 vjeçari është ai që qëllon i pari në një restorant në orët e para të mbrëmjes, pastaj ai përdor një pistoletë në një qendër tregtare dhe kërkon të largohet. Policë në civilë kërkojnë ta arrestojnë dhe qëllojnë, e paqartë është ende, nëse atentatori u godit në këto moment. Kufoma e tij u gjend një kilometër larg qendrës tregtare në një rrugë anësore. Aty u sigurua edhe pistoleta e autorit të krimit.
Deutschland Tödliche Schießerei in München

Politika gjermane e tronditur

Policia shprehet se nuk ka atentatorë të tjerë. Gjatë së premtes në orët e mbrëmjes u kërkuan tre autorë me automatikë. Ende e paqartë është motivi i krimit. Ishte një akt terrorist apo gjendje amoku? Presidenti i policisë së Mynihut thotë se “momentalisht ne bëjmë fjalë për goditje me armë.” Edhe në orët e para të së shtunës nuk ka të dhëna për një sfond islamist. Aktualisht dihet se gjermano-iraniani ka jetuar në Mynih për disa vite dhe nuk ka qenë person i njohur për policinë. Policia konfirmon se në një video që qarkullon në internet, duket se shihet atentatori në tarracën e një godine parkimi. Policia bën thirrje që nëse qytetarët e Mynihut zotërojnë video të tjera t’ia ofrojnë ato policisë. Pas goditjes me armë të premten në mbrëmje në qendrën Olimpia u përhap paniku. Qëllimi kryesor i policisë ka qenë siguria e banorëve, prandaj policia bëri fjalë për “gjendje akute terrori”, tha kreu i policisë, Andrä.

Presidenti gjerman, Joachim Gauck u shpreh i tronditur. “Sulmi vrastar në Mynih më trondit thellësisht”, ka thënë ai dhe jam me mendimet e mia tek viktimat dhe njerëzit që kanë humbur të afërmit e tyre. Ministri i kabinetit të kancelares, Peter Altmeier tha se nuk duhet të lejojmë “terroristët të arrijnë qëllimin e tyre, të bëjnë të pasigurtë shoqërinë.” Kryeministri bavarez, Horst Seehofer pas atentatit shpalli për të shtunën ditë zie për Bavarinë dhe thirri një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë së landit. Në Berlin po ashtu mblidhet të shtunën kabineti i sigurisë, nën kancelaren Merkel, e cila ka qenë rregullisht e informuar për zhvillimet në Mynih. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maizière (CDU) ndërpreu për herë të dytë pushimet e tij për t’u kthyer në Mynih./dw

mynih2

mynih1

mynih3

Comments
To Top