29,03,2024

MURI RUS NË MITROVICË …?!

Must Read

Mënyra e (mos)reagimit të institucioneve të Kosovës, rreth veprimit të fundit provokativ ruso-serb me ngritjen e murit në Mitrovicë, në tentativë që të duket “i matur”  dhe i “kujdesshëm”, në të vërtetë doli të jetë i përulur  dhe  demotivues! Do të ishte  e papranueshme dhe e rrezikshme, nëse ky mur është pjesë e marrëveshjeve të mëhershme, siç është lënë të nënkuptohe nga deklarimet e  disa zyrtarëve qeveritarë, apo zyrtarëve të BE-së! Por, BE-ja dhe Aleanca Veriatlantike, mbeten përgjegjësit kryesorë për situatën e krijuar në Mitrovicë, deri në shkallën sa shqiptarët mund të kenë frikë nga ndonjë marrëveshje e mundshme e Perëndimit dhe Rusisë për një gjendje të tillë…!

Besim ZYMBERI

Ashtu siç duket puna me serbët e Bosnjës, edhe serbët e Kosovës, përkatësisht, serbët e veriut të Kosovës në veçanti, duken të jenë “huazuar” nga Rusia  për një mbikëqyrje dhe menaxhim të drejtpërdrejtë. Veprimet e strukturave të organizuara serbe kundër shtetit e shtetësisë së Kosovës, duket se mund të jenë vartësi të drejtpërdrejtë të Rusis…

Muri i këtyre ditëve, i ndërtuar nga serbët në Mitrovicë, duket një projekt rus, që shpërfaqet agresivisht në synim të ripërcaktimit të linjave gjeopolitike në Ballkan e më gjerë…

Pas dështimit të fundit në realizimin e grushtetit   kundër Qeverisë së Malit të Zi, Rusia dukshëm ka intensifikuar veprimet  me synim që vija e saj e interesit, të mos zhvendoset assesi nga Kosova, përkatësisht trojet shqiptare!

Kjo linjë e pretenduar gjeopolitike, synon të luajë rolin e Bazës së Vlorës dikur, me pretendim të rizbritjes drejt Adriatikut, dhe jo vetëm…!

Goran Rakiq, po ndërton në Mitrovicë një mur të projektuar në Moskë!

Prandaj, përveç shqiptarëve, ky mur atakon pikërisht interesat e SHBA-së, NATO-s dhe shteteve të BE-së. Madje, në kontekst psikopolitik, gjeopolitik dhe ushtarak, muri i Mitrovicës poshtëron pikërisht NATO-n!

Reagime në drejtim të rolit të intensifikuar të Rusisë në Ballkan, këtyre ditëve pati edhe nga zyrtarë të lartë Evropianë. Por, duhet të ritheksohet se ishte pikërisht egoizmi nacionalist i disa shteteve evropiane, që Mitrovicën e la të arritshme për interesat ruse drejtpërdrejtë!

E pamë reagimin indolent  dhe qyqar të kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkitazi rreth ndërtimit të këtij muri.

Por, muri rus në Mitrovicë, duhet të trazojë parësisht SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.

Në kohën e ridefinimit të interesave gjeopolitike në plan global, muri i Mitrovicës, është një provokim rus ndaj fuqisë dhe homogjenitetit të Aleancës Veriatlantike!

Në një kontekst të tillë zhvillimesh, shqiptarët mund të japin sinjalet e zjarrta për një kërcënim të tillë, për të bashkërenditur aksionet me SHBA-në, NATO-n dhe BE-në!

Muri i Mitrovicës, është projekti aktual rus i pozicionimit gjeopolitik. Por, nuk është i fundit! Synimi i Rusisë është përçarja e mëtutjeshme e BE-së, rrjedhimisht edhe e NATO-s, si dhe minimizimi i ndikimit të SHBA-së në rajon e më gjerë. Mendoj se një politikë e tillë ruse, nuk ka qenë pa efekte alarmuese!

Rusia, veçanërisht duket e trimëruar nga konfuzioni pas fitores së Trump në SHBA si dhe pas euforisë në rritje të forcave politike radikale në Europë. Lindja e Mesme, po ashtu, duket se ideologjikisht, në masë të madhe komandohet nga Rusia, krejt në drejtim të komprometimit të SHBA-së dhe NATO-s.

SHBA, NATO dhe BE, kanë tani momentin vendimtar të reagimit. Pas ringritjes së mitit prorus në disa vende të Evropës Juglindore, nëpërmjet rezultateve zgjedhore si  në: Bullgari, Moldavi, Estoni dhe atyre të pritshme në Maqedoni, do të mbeten vetëm Shqipëria dhe Kosova, përkatësisht tërësia gjeopolitike shqiptare, si terrene të ardhshme të tentativë për shtrirje të ndikimit. Po ashtu, në këtë projeksion gjeopolitik, shqiptarët duken jo edhe aq të mbështetur nga fuqitë perëndimore aktualisht!

Pakti Veriatlantik, ka përgjegjësinë kryesore të reagimit në këto çaste dramatike. Shqiptarët duhet të jenë të gatshëm të marrin përgjegjësitë e tyre, për moslejim ideologjik të shtrirjes së ndikimit politik të Rusisë në Ballkan.

Mitrovica, mund të jetë një ndër pikat ku do të ridefinohen hartat gjeopolitike për 50-100 vitet e ardhshme!?

Në periudhën e një konfuzioni në marrëdhëniet e Evropës me Turqinë, kemi parë shenja paralajmëruese, por shumë të fuqishme, të kësaj të fundit, në drejtim të një riafrimi me Rusinë. Një situatë e tillë, po të ndodhte në përmasa më[ të mëdha, do të thoshte një barrikadim i ri gjeopolitik për botën.

Fuqitë euroatlantike, në vend se ta mbanin Vijën e Konstantinit në Turqi së paku, me kokëfortësinë nacionaliste të pakapërcyeshme, sikur kanë lejuar që kjo linjë të mos jetë e sigurt as dhe në vetë territorin e Evropës Perëndimore. Kujtojmë këtu invazionin e radikalëve religjiozë islamikë, drejt shteteve të Perëndimit, me qëllim të destabilizimit të tyre. Një marsh i tillë, e fuqizon Rusinë!

Shqiptarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në situatën e krijuar. Duhet të shtojnë agresivitetin diplomatik dhe shkallën e motivimit të brendshëm, në drejtim të bindjes së shteteve Europerëndimore dhe SHBA-së, se të vetëm, ose të pambështetur mjaftueshëm, nuk do të mund të rezistojnë  bindshëm në presionet e shtuara  nga Lindja. Një vendim i fundit i NATO-s për të mundësuar një ndërveprim me Kosovën, duket një shenjë e mirë, që duhet të përfundojë sa më shpejtë me rritjen e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, përkatësisht aftësimin e saj për reagime të mundshme edhe luftarake!

Në një situatë të tillë, duhet t’i bindim të gjithë, që pesha e gjeopolitikës shqiptare, në drejtim të ruajtjes së vlerave të qytetarisë perëndimore, nuk është me e vogël se gjeopolitika norvegjeze, finlandeze, lituaneze, suedeze, spanjolle, britanike, gjermane, franceze, apo italiane. Madje, pesha e gjeopolitikës shqiptare në ruajtjen e vlerave të lartpërmendura, mund të jetë edhe më e rëndësishme se e vendeve të lartpërmendura. Por, bota e fuqishme euroatlantike, po ashtu duhet ta ketë të qartë që, kësaj here, gjeopolitika shqiptare nuk mund të mbetet vetëm një beden që do të durojë me shekuj katapultimet nga Lindja, për ta mbajtur në rehati mospërfillëse kopshtin e quajtur, Oksidenti-Perëndimi Kulturor…!? Nëse nuk trajtohet si pjesë e barabartë dhe frymëzuesi e ati kopshti, e ardhmja mund të jetë shumë e rrezikshme…!?

 

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img