24,04,2024

Mishi i prishur, Kazinot dhe hipokrizia e LDK-së

Must Read

Shkruan: Parim Olluri

Nuk është interes i qytetarëve mbyllja e lojërave të fatit. Është kontrollimi ligjor i tyre. Buxheti i shtetit përfiton qindra miliona euro nga kjo industri dhe mijëra njerëz janë të punësaur aty.Politikanët po aktrojnë kinse po mërziten për mirëqenien sociale të bastëvënësve. Po e bëjnë për interesa përsonale: politike e financiare.Por, deri më sot nuk e kanë mbyllur asnjë hipermarket që ka shitur mish të prishur dhe ka rrezikuar jetën e qytetarëve. 

Kjo që ndodhi sot është mendësi tipike ballkanike. Në prag zgjedhjesh subjektet politike targetojnë nisma populliste. Këtë e bënë sot të gjithë në Kuvendin e Kosovës. Miratuan një rezolutë koti për mbylljen e kazinove e bastoreve. “Obliguan” Qeverinë që ta përgatisë një ligj kundër kësaj veprimtarie biznesore.

Dita e sotme ishte e mbushur me akte komike nga deputetët dhe krerët e shtetit.

Kadri Veseli foli zëshëm për nevojën e mbylljës së bastoreve dhe kazinove. Ramush Haradinaj e bëri të njejtën. LDK e Vetëvendosje e përkrahën.

U betuan publikisht se këtë veprim po e bëjnë për të ruajtur qytetarët e Kosovës nga lojërat e fatit. Për të mos lejuar rrezikimin e mirëqenies sonë. Pohuan se ne iu dhimbsemi atyre kur ne i djegim 10 euro në bastore apo 1 mijë euro në kazino.

Pikën i vuri deputeti i LDK-së, Naser Osmani. “Lojërat e fatit janë shkaktar i divorceve”, tha ai.

Unë nuk besoj se Naseri mërzitet për këtë fakt. Dikush i partisë i ka shpjeguar se kërkesa për mbylljen e lojërave të fatit është një hambar votash.

LDK-ja, sponzoruesja e rezolutës për mbylljen e lojërave të fatit, sot u tregua tejet hipokrite.

Ka besuar se AAK-ja e Haradinajt e sulmuar gjithnjë për afërsi me bosa të kazinove do të deklarohet kundër mbylljës së tyre. U dogjën. AAK-ja e Haradinaj dolën pro.

Nëse Qeveria do të dilte kundër, atëherë hambari i votave për LDK-në do të ishte më i madh.

Nëse AAK-ja e Haradinajt ka pasur afërsi me bosa kazinosh, atëherë fajtor për këtë është edhe LDK-ja.

Kjo parti ka kontrolluar Administratën Tatimore e Doganat e Kosovës në qeverisjen e kaluar. Nëse do të mendonte shumë për mirëqenien e qytetarëve, kjo parti do të burgoste bosat problematik të lojërave të fatiti. Por, nuk është marrë me ta asnjëherë.

Vendosi që sot të merret me ta dhe të përfitojë edhe një grusht votash. Të njejtën e bënë edhe partitë tjera.

Duke e ditur secili rëndësinë e kësaj kërkese populiste, secili prej deputëteve ishte sot në gjendje gatishmërie për ta shfrytëzuar copën e tij nga hambari i madh.

Shumica prej tyre nuk janë të pamençur. Ata vendosën që ta shfrytëzojnë këtë hambar në kohën e vrasjeve. E dinë që në këtë kohë është më lehtë për të mashtruar qytetarët.

Një rreshter policie vendosi të grabiste një biznes lojërash të fatit në Suharekë. U zbulua nga roja i lokalit. Polici dyshohet se e vrau atë.

Njerëzit u tmerruan nga kjo vrasje. Por, në këtë rast një përfaqësues shteti e vrau një punonjës të një kompanie private. Cila është arsye që duhet të mbyllet biznesi privat për faktin që në Policinë e Kosovës ka të punësuar vrasës dhe vjedhës?

Në këtë rast, shteti duhet të dënojë policin që kreu krimin. E vetmja  punë që duhet të bëjë shteti është të kontrollojë ligjërisht bizneset e lojërave të fatit. Këtë punë nuk e ka bërë kurrë që nga paslufta.

Nëse politikanët tanë do t’ia donin të mirën qytetarëve të Kosovës, atëherë ata do të forconin kontrollin ligjor mbi bizneset e lojërave të fatit.

Por, nuk na e duan të mirën. Janë duke kalkuluar për interesat e tyre përsonale: politike e financiare.

Politikanëve nuk i dhimbsemi se pse ne qytetarët i djegim 10 euro në bastore apo 1 mijë euro në kazino. Ata vetëm qeshin me këtë fakt.

Në fakt, politikanët nuk mërziten për asnjë lloj humbjeje të qytetarëve. Kanë pasur mundësinë në dhjetëra raste për ta dëshmuar mërzitjen e tyre me fatin tonë të keq.

Kanë mundur ta bëjnë këtë në një rast specifik.

Ne hamë në baza ditore mish të prishur. Asnjë veprim deri më tash nuk e kanë ndërmarrë për të mbyllur hipermarketet e mëdha me arsyetimin: Po i mbrojmë qytetarët nga helmimi.

Edhe vitin e kaluar, edhe para dy javesh i është zënë mish i prishur të njëjtës kompani private, të quajtur “Super Viva”. Sasia totale: 1 ton.

Nëse politikanët nuk na mbrojnë nga helmimi, atëherë nuk kanë arsye që të na përzihen në vullnetin tonë individual për të humbur 10 euro në javë në bastore./Insjaderi

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Arrestohet ish-zyrtari i gjendjes civile në Ferizaj, regjistroi shtetasin turk pa i plotësuar kriteret

Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore për një periudhë kohore,...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img