20,04,2024

Miratohet projektbuxheti i Komunës së Ferizajt për vitin 2023

Must Read

Gjatë ditës së sotme Kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Ferizajt, ka mbajtur mbledhjen e radhës së kuvendit. Në këtë mbledhje ka marrë pjesë edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, bashkë më drejtorët e drejtorive komunale.

Pika më e rëndësishme e kësaj mbledhje ishte projektbuxheti i vitit 2023. Para anëtarëve të Kuvendit të Komunës, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka thënë se sot po shpalosjë një plani të ri, një kapitulli të ri investimor për Ferizajn, një game të gjerë të punëve publike që presin dritën e gjelbër të realizohen, për ta bërë Ferizajn, edhe më funksional, më të qasshëm për secilin qytetarë, me logjikën që karakterizon qeverisjen tonë, përmirësimin e vazhdueshëm të shërbimeve dhe kryerjen e investimeve në interes të qytetarëve.

“Është pra projektbuxheti 2023-2025, dokument ky që rrodhi nga kontributi i qindra pjesëmarrësve në diskutimet publike me qytetarë, grupet shoqërore, aktivistë komunitar e mbi të gjitha bashkëqytetarë të çdo profesioni, që sollën, nga nevojat e komunitetit, në projekte të përfshira në këtë listë punësh publike.
Rëndësinë e këtij dokumenti, e dijmë të gjithë. Është themeli mbi të cilën ndërtohet e shkrihen planet tona për qytetin, për fshatrat, për komunitetin, për bashkëqytetarët tanë, në vitet pasrendëse”, ka thënë Kryetari Aliu.

Gjatë fjalës së tij, Kryetari i Komunës Agim Aliu, ka thënë se edhe ky dokument, si çdo hap i qeverisjes së tij, pati konsultën qytetare, ekspertizën më të mirë profesionale, e vizionin e duhur për Ferizajn dhe ferizajasit.

“Projektbuxheti 2023-2025, që arrin lartësinë e 38,103,752.00 milionë eurove, ndarë në investime kapitale prej 12,114,664.00 është projeksioni më i qëndrueshëm, më efektiv, më i duhuri për të përparuar tutje në agjendën tonë qeverisëse, me projekte që kanë bazën tek qytetarët, ideohen dhe i shërbejnë pikërisht atyre.
E gjelbërta është ngjyra e qeverisjes sonë, e gjelbërta është prioriteti ynë i përditshëm, andaj në këtë kuptim, si pothuajse e vetmja komunë në gjithë vendin, kemi ideuar e përfshirë në buxhet, projekte inovative, të shtrira gjerë në gjithë territorin e Ferizajt, për të kthyer binarët e zhvillimit tonë, kah mjedisi.
Në këtë kuptim, kemi ideuar projektet madhore si rregullimi i Parkut “Liria”, pyllëzimi dhe rregullimi i Parkut në Kodrën e Sherretëve, parku tek objekti aktual i KRM “Pastërtia”, rregullimi i shëtitores rreth shtratit të lumit nga Ura e Dudit deri tek Ura e Islamit, për t’i dhënë shans të ri, edhe investimeve në infrastrukturën turistike dhe qendrat informuese turistike për gjithë territorin tonë.

Edhe në pikëpamje të infrastrukturës, edhe në këtë projektbuxhet, kemi ideuar vepra të shumta publike, të rëndësisë kapitale, që do ta vazhdojnë qasjen tonë të dëshmuar, për transformimin e Ferizajt në çdo anë.

Fjala vjen, kryeprojekti i infrastrukturës rrugore që do t’i jap frymëmarrje të re e në afatgjatë qendrës së qytetit, është pikërisht vazhdimi i ciklit infrastrukturor të projekteve të quajtura simbolikisht “Bashkimi i Qytetit” e që kësaj radhe, stacionohet në hapësirën pranë ndërtesës së Policisë në Ferizaj, për të shpërndarë degët e saj edhe në 5 rrugë të tjera kryesore të qytetit. Kësaj i shtojmë edhe punën që kemi nisur në njërën nga arteriet kryesore të qytetit, rikonstruktimin e rrugës “Ahmet Kaçiku” për të vijuar në plan afatshkurtër edhe me rikonstruktimin e rrugës “12 Qershori”, çka i gjithë trupi i qendrës së qytetit, transformohet plotësisht, përjeton ndërhyrjet afatgjata funksionale, për ta bërë më shërbyese e më të bukur për të gjithë ferizajasit.Projekt tjetër me rëndësi në fushën e infrastrukturës publike, është edhe ai për shetitoren e re që do t’i shtojmë Ferizajt, në rrugën “Agim Ramadani” për ta kthyer këtë rrip toke, në një nga pjesët më të bukura, çlodhëse, skaj zonës rekreative sportive afër Palestres së Sporteve “Bill Clinton” në Ferizaj.

Në këtë kuptim, rruga “Cen Dugolli” dhe rruga e Reçakut nga Policia deri tek rruga “Driton Islami” një trekëndësh rrugor me rëndësi e frekuentim të lartë, do të transformohet plotësisht sipas standardeve më të larta, duke e paraparë si një nga projektet e rëndësishme në këtë projektbuxhet.

Investime madhore në planin infrastrukturor do të bëjmë edhe me projektin e ndërtimit të Stacionit të Ri të Autobusëve në fazën vijuese, si dhe implementimin e fazave pasrendëse të projektit për Kompleksin e Varrezave të Reja të Qytetit,….. pa lënë anash edhe ato për trajtimin e ujërave të zeza, siç janë ndërtimi i Kolektorit Verior dhe Veri-Perëndimor të kanalizimit fekal, për të kaluar në investime të qëndrueshme për ujin e pijshëm për zona të caktuara siç është projekti i ujësjellësit në Dremjak- Greme.

Edhe ky projektbuxhet, do të ngërthej në vete, investime të shumta në infrastrukturën rrugore, në rikonstruktime, asfaltime të rrugëve të mbetura në fshatra e në qytet, në avancimin e agjendës sonë, për të përmbyllur ciklin e infrastrukturës nëntokësore si dhe rrugore në zonën urbane dhe rurale”, tha Aliu.

Gjatë një elaborati të projektbuxhetit, Kryetari Aliu është ndalur edhe tek fusha e shërbimeve publike dhe emergjencave.

“Fjala vjen, projekti për vendosjen e monitorëve dinamik në trafik, është një nga projektet e para të këtij lloji në gjithë vendin, pasuar edhe me vepra të tjera publike të rëndësisë kapitale siç është vazhdimi i investimeve në ndërtimin e objektit të ri të KRM “Pastërtia”, …..si dhe rregullimi modern i udhëkryqeve rrugore, pa lënë anash faktin se do të vijojnë riparimet, përmirësimet e duhura, në rrjetin e ujësjellësit, kanalizimit, në ndriçim publik, krijimin e infrastrukturës për qasjen e personave me nevoja të veçanta, hapjen e puseve, menaxhimin e mbeturinave, vendosjen e prioriteteve e një varg iniciativash të reja në këtë sferë”, ka potencuar Aliu.

Kryetari Aliu, është ndalur edhe për projektet në fushën e bujqësisë, në fushën e arsimit, shëndetësisë, në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.

Pas fjalës së Kryetarit, pati reagime pro e kontra ndaj këtij projektbuxheti, por me 25 vota për, dhe 12 kundër u votua ky buxhet.

Në këtë mbledhje drejtori i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit Sabri Murseli, ka bërë propozim-vendimin për këmbimin e pjesës së ngastrës kadastrale 3148-0 Z.K. Ferizaj pronë private me pjesën e ngastrës kadastrale 2769-0 Z.K. Ferizaj pronë e Komunës së Ferizajt, propozim – vendimi për shpalljen e interesit të përgjithshëm të pjesës së ngastrës kadastrale 3147-0, Z.K. Ferizaj, pronë private, me qëllim të këmbimit me pjesën e ngastrës kadastrale 2764-1 Z.K. Ferizaj, pronë e Komunës së Ferizajt.

Poashtu u bë edhe formimi i komisionit për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës.

Në këtë komision anëtarë i PDK-së do të jetë Valon Aliu, Amir Rexhepi nga VV, ndërsa nga ekzekutivi komunal do të jenë Sabri Murseli drejtor i Pronës, Gjeodezisë dhe Kadastrit dhe Balton Dërguti drejtor i Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Turizimit, kurse nga shoqëria civile do të jetë Kenan Gashi.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Vrasje e mbetur në tentativë në Ferizaj

Me datën 19.04.2024 në ora 17:47 policia rajonale e Ferizajt ka pranuar një informatë se në udhëkryqin e rrugëve...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img