Lajme

Ministri Bytyqi: Do të hapen 10 shkolla profesionale


Publikuar më:


Ministria e Arsimit është në fazën finale të ndërtimit të 15 standardeve të reja profesionale, që janë më të kërkuarat në tregun e punës në Kosovë. Në këtë mënyrë do të bëhet edhe profilizimi i shkollave profesionale. Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, ka bërë të ditur për Radio Kosovën se gjatë vitit 2019 do të krijohen dhjetë shkolla model profesionale, të cilat do të kenë një lidhshmëri me biznesin.

Gjatë vitit 2018, Ministria e Arsimit në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë ka bërë një analizë të shkollave profesionale në Kosovë, për të parë se sa janë në përputhshmëri me kërkesat e tregut të punës. Ministri Shyqiri Bytyqi ka thënë për Radio Kosovën se janë në fazën finale të ndërtimit të 15 standardeve të reja profesionale, që janë më të kërkuarat në treg dhe do të jenë të gatshme për vitin 2019.

“Mbi kërkesat e tregut të punës do të bëhen edhe profilizimet e shkollave profesionale në Kosovë. Kemi qenë të vetëdijshëm që shkollat profesionale kanë nevojë të ngritën në një nivel më të lartë se sa janë, veçanërisht kur flasim për praktikën, e cila ka munguar shumë. Në vitin 2019 do të jemi në një fazë të re”, tha Bytyqi.

Ministria e Arsimit për herë të parë ka ndarë një buxhet të veçantë prej 1 milion euro, që do të shërbejë për praktikën e nxënësve të shkollave profesionale. Ministri Bytyqi ka thënë se me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë, përkatësisht Luksemburgut, gjatë vitit 2019 do të krijohen dhjetë shkolla model për shkollat profesionale, të cilat do të zhvillohen në atë nivel, që do të jetë praktikë e mirë edhe për shkollat e tjera.

To Top