Ferizaj

MENTOR HAZIRI – SHPALLET ARTISTI I VITIT 2020


Publikuar më:


Në sallën e Galerisë së Arteve, u mbajt programi kulturo artistik për fundvit, si aktivitet tradicional që mbanë drejtori, me çrast u bë edhe shpallja e Vullnetarit të Vitit nga Sektori i Rinisë dhe shpallja e Artistit të Vitit nga Sektori i Kulturës.

Fillimisht në formë vizuele u shpalos një përmbledhje me aktivitetet e realizuara kulturore e rinore gjatë vitit 2020.

Megjithë këtë vit të çuditshëm, institucionet kulturore bashkë me komunitetin artistik, arritën që të realizojnë 140 aktivitete kulturore e rinore, të cilat u ilustruan me fotografi.

Komisioni për zgjedhjen e  Vullnetarit të Vitit, i përbërë prej: Agon Zhinipotoku, Lorita Rama, Bajram Ilazi, Vedat Ismajli e Yllka Mani, e shpërblyen si Vullnetare e Vitit: ALMA TOPALLI..

Ndërsa komisioni për zgjedhjen e Artistit të Vitit, i përbërë prej: Astrit Mustafa- kryetar i bordit AKV “Kastriotët”, Bardhyl Abazi- drejtor i Shkollës së Arteve “Çesk Zadeja”, Ilmi Sadiku- kryetar i SHAF “Zef Kolombi”, Lindita Isufi- dirigjente e Korit dhe Orkestrës së Qytetit, ”Sabri Pajaziti-DKRS, Shqipe Ademi, përfaqësuese e Klubit të Gazetarëve “Haki Braha” dhe Zyrafete Shala- kryetare e KL “De Rada”, pasi u shpalosën sukseset e secilit artist konkurrues, çmimi Artisti i Vitit 2020, u shpall MENTOR HAZIRI.

Drejtoria e Kulturës, do të nderoj me mirënjohje postmortum:

Silke Liria Blumbach- studiuese dhe dashamire e kulturës shqiptare,

Musli Berisha- shkrimtar e gazetar i kulturës,

Ibrahim Hyseni- njohës i trashëgimisë kulturore,

Zeqir Zeka- aktor dhe

Avni Shabani- gazetar i kulturës e sportit dhe udhëheqës kulture.

(Mirënjohjet do të ndahen në një takim tjetër që do të organizoj zyra e drejtorisë)

Drejtoria e Kulturës në fund falënderon të gjitha shoqatat, grupet kulturore e  artistët e pavarur që bashkëpunuan gjatë vitit 2020.

Viti 2020 u cilësua një vit i vështirë duke u spjeguar me thënien: “Na ishte një vit që kurrë mos kjoftë”!

To Top