30,03,2024

Me homazhe dhe Akademi solemne Ferizaj shënon 11 vjetorin e Pavarësisë

Must Read

Me homazhe tek varrezat e Dëshmorëve të Kombit dhe Akademi Solemne, Ferizaj shënoi 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

Lum i gjatë qytetarësh u dendën sot në 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, në varrezat e Dëshmorëve të Kombit të UÇK-së në Ferizaj në nderim të sakrificës së bijve e bijave më të dashur që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.

Kësaj turme të madhe qytetarësh i priu i pari i Ferizajt, kryetari Agim Aliu, bashkë me drejtorë të ekzekutivit të komunës, përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve dhe drejtues institucionesh e krerë politik lokal.

Ferizaj, me përkulje e nderim, gjakut, jetës, sakrificës dhe veprës së Dëshmorëve të Kombit dhe të rënëve për liri në të gjitha epokat, shënoi aktivitetin e parë në përvjetorin e 11-të të Ditës së Pavarësisë së Kosovës.

Tutje, agjenda e shënimit të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, vijoi me Akademi Solemne në Teatrin “Adriana”.

Këtu, i pari i Ferizajt, Agim Aliu tha se 11 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova po kalon nëpër një proces të definimit përfundimtar të shtetësisë së saj, krahas edhe me perspektivën për integrime të reja kombëtare.

“Rruga e ndjekur nga shteti ynë deri tani, ishte një rrugë me përqendrim te konsolidimi dhe faktorizimi, në përmasa ndërkombëtare. Rezultatet janë të prekshme dhe shumë të vërejtshme në këtë drejtim. Edhe me mbështetjen e aleatëve e miqve tanë, me në krye SHBA-në, shteti ynë ka arritur të rreshtohet në linjën e fuqishme të vendimarrjes, duke u pyetur për fatin e saj më tutje. Një rreshtim i tillë, ka nënkuptuar vazhdimisht sakrifica të mëdha të qytetarëve të Kosovës. Këto sakrifica, bënë që arritjet tona në planin politik, të jenë më të mëdha se sa në sferat tjera, si në:ekonomi, arsim, shëndetësi, politika sociale e të tjera.


Aktualisht, jemi të vetëdijshëm që shtetësinë tonë, të arritur me aq shumë mund e flijime, duhet ta bëjmë edhe më efektive se deri më tani, duke orientuar energjitë edhe drejt përmirësimit të mëtutjeshëm të situatës, në të gjitha sferat e lartpërmendura, si e vetmja mundësi që të bëhemi përfundimisht një shoqëri stabile, me bazën e fortë në një sistem vlerash demokratike e sociale, që secilit qytetar do t’i mundësonin një jetë dhe përfaqësim të dinjitetshëm të ambicieve individuale e kolektive.
Jemi të vendosur të gjithë të shkojmë tutje me guxim, por edhe me mençuri e urtësi.
Në përvjetorë të pavarësisë, gjejmë rastin që të kaluarën tonë të lavdishme, ta përjetojmë si një thirrje aktuale. Kujtojmë dëshmorët e të gjithë brezave, kujtojmë luftëtarët e veprimtarët dhe kujtojmë popullin tonë martir, që edhe në situata të pamundshme historike, diti të gjejë mënyrat më fisnike dhe më këmbëngulëse, për ruajtur e avancuar identitetin tonë dhe për të formësuar synimet tona.
Kemi sot kujtimin e gjallë, veçanërisht të dëshmorëve të luftës së fundit, nën drejtimin e UÇK-së, të bashkëluftetarëve të tyre që janë në mesin tonë, shumë prej të cilëve me plagë lufte. Jemi gjithnjë të kujdeshëm e të papërkulur ndaj testamentit të tyre, për vazhdimësi të përmbushjes së një betimi, ardhur prej shekujsh: për avancimin e identitetit onë kulturor e historik, deri në arritjen e kufijve të natyrshëm të integrimeve kombëtare. Do të jemi gjithnjë të përgjegjshëm ndaj kësaj thirrjeje!
11 vjetori i pavarësisë, Komunën e Ferizajt e gjen të motivuar drej përmbushjes së zotimeve tona, për një komunë elitare, evropiane dhe të gatshme për të qenë gjithnjë në shërbim të interesave të qytetarëve . Po ashtu, angazhimi ynë konsiston në detyrimin për krijimin e ambientit të përshtatshëm për pritje të resurseve të reja ekonomike, kulturore e sociale, të denja për një qytet e komunë që, pakthyeshëm po ecën drejt statusit të një qendreje të fuqishme rajonale, në ekonomi e kulturë. Ferizajn, guximshëm dhe mençurisht do ta bëjmë-kryeqytet të ambicieve të shëndosha të njerëzve kreativë e largpamës. Sigurisht që kemi edhe pengesa, të natyrave të ndryshme. Ato që janë të natyrës objektive, jemi të gatshëm t’i ndajmë sinqerisht me bashkëqytetarët tanë dhe me të gjithë të interesuarit. Ndërsa, prirjeve devijante të përpjekjeve për të krijuar një imazh të rrejshëm për situatën në komunën tonë, ne do t’u dalim para, do t’i demaskojmë dhe do t’i injorojmë, gjithnjë më qëllim të ruajtjes së motivimit dhe optimizmit të bashkëqytetarëve tanë, në rrugën drejt një të ardhmeje më të prosperuar. Kthim prapa nuk mund të ketë! Prandaj, çfarëdo përpjekje e demotivuar dhe me qëllim demotivimi, është e destinuar të dështojë. Qytetarët janë ata që duan progresin dhe ne do të jemi zëri i fuqishëm i synimeve të tyre dhe shtylla e parrëzueshme e mbajtjes gjallë të atyre synimeve. Krahas vetëdijes vetëflijuese të dëshmorëve, luftëtarëve, veprimtarëve dhe mbarë popullit tonë, ideja e shtetësisë sonë gjeti mbështetjen praktike edhe te miqtë tanë. Nuk harrojmë asnjëherë kontributin vendimtar të SHBA-së, vendeve tjera të NATO-s dhe BE-së, sikurse vlerësojmë mbështetjen e ardhur nga secili vend i botës. Do t’u jemi përherë mirënjohës! Në fund, sot në mënyrë të veçantë ndjejmë praninë e bashkëqytetarëve tanë dëshmorë, që duke flijuar më të shtrenjtën, na lanë trashëgim hapin e tyre, që në të ecim më shpejt dhe më guximshëm dhe më sigurtë përpara! Nderim popullit tonë martirë për sakrificën, mirënjohje për luftëtarët e veprimtarët, lavdi Dëshmorëve të Kombit!” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Në anën tjetër me një fjalë rasti, qytetarëve të mbledhur në Teatrin “Adriana”, iu drejtua edhe kryetari i OVL UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu. Ai tha se shteti i Kosovës është krijuar me shumë mund e sakrifica.

“Në këtë vit bëhen 20 vite nga përfundimi i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, luftë e cila definitivisht largoi robërinë e okupatorit serb, prandaj meritë e veçantë i takon Dëshmorëve të Kombit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si dhe të gjithë dëshmorëve e të rënëve në të gjitha etapat kohore për çlirimin e Kosovës, gjithashtu meritë për këtë ka Ushtria Çlirimtare e Kosovës si dhe aleatët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që bashkarisht shporën nga Kosova, forcat okupuese serbe. 17 shkurti i vitit 2008, është ditë epokale për Kosovën” tha Kryetari i OVL UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu.

Për ta shënuar këtë ditë feste e krenarie kombëtare, Komuna e Ferizajt, në këtë akademi solemne kishte përgatitur disa pika muzikore, të interpretuara nga artistë ferizajas, recitalin e përgatitur nga aktorët e Teatrit “Adriana” si dhe gjithë manifestimin e përcjellë nga Kori dhe Orkestra e Qytetit.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

KEDS-Vazhdojnë punimet në rrjet. Këto pjesë do të kenë ndërprerje të rrymës ditën e Shtunë

Punime në projekte investive 1. Nga TS 110/35/10 Ferizaj 1 do të ndërprehet: LP 10kV J09 Drejtimi i Komogllavës (kodi: 40000009) nga ora...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img