28,03,2024

Mbi kotësinë dhe domosdoshmërinë e një debati

Must Read

Shamia në institucionet publike’ në shumë raste me dashje e pa-dashje rikthehet si ‘mysafire e pa-ftuar’ në diskursin publik,  është Tema që fatkeqësisht nxitë debatin më të zjarrtë dhe që ndan shoqërinë, “eliten intelektuale” – supozojmë se kemi një të tillë – e politike dhe bashkësitë fetare në grupe pro et contra. Edhe njëherë tjetër, krejt papritmas në mesin e një debati mbi një vdekje tepër të dyshimtë për të qenë vetëvrasje të një aktivisti politik, u rikthye Debati mbi shaminë – mu sikurse një fantazmë që s’bëzanë për do kohë. Padyshim është tentim i pushtetit për shpërqendrimin e vëmendjes nga momentumi i krijuar në kërkim të drejtësisë për Astrit Deharin, do të thoshin disa. Jo! Kurrsesi nuk është tentim për shpërqendrim të vëmendjes por vullnet e dëshirë e qytetarëve të ndërgjegjshëm për ta mbrojtur laicitetin e shtetit do të kundërpërgjigjeshin kundërshtarët e shamisë. Islamofobi, shkelje e të drejtave të njeriut e përdhosje e identitetit të qytetares së barabartë të Republikës – do të artikulonin përkrahësit e shamisë. Ndërsa disa të tjerë – e me gjasë shumica – si çdo herë tjetër totalisht të pa-angazhuar në debat, krejtësisht të pa-interesuar rreth debatit e thellësisht indiferent ndaj debatit.

Veçoria më interesante e gjithë këtij debati ishte pjesëmarrja e njerëzve me bindje të ndryshme politike, ideologjike e religjioze, por që të gjithë qofshin ata liberal, majtist, enverist, nacionalist e qe besa edhe mysliman radikal e të moderuar, e ri-përsëris që të gjithë, pa dallim – kush më shumë e kush më pak – ishin në garë për ta interpretuar ashtu si ia ka qejfi e interesi konceptet si sekularizmi, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të qytetarit. Që të gjithë brenda natës dhe për një natë u shndërruan në ekspert, filozofë, politologë, jurist e intepretues të ligjeve, Kushtetutës së Republikës, Konventës së të Drejtave të Njeriut e akteve tjera ligjore. Interesant është fakti që pjesa dërrmuese e pjesëmarrësve në debat flisnin në kuadër të një korpusi ideologjik tërësisht Perëndimor, që kushtimisht mund t’a quajmë liberal, duke ma vërtetuar edhe njëherë tezën se shqiptarët e Kosovës në mendësi janë Perëndimor – natyrisht atëherë kur iu shkon për shtati. Por gjithsesi që nuk mungonin të tillë që flisnin në emër të Zotit, për Zotin e mbi Zotin, duke mallkuar prindërit që qanin e vajtonin sikurse në mes të tyre t’kishte rënë mortja, që ofendonin sekularistet, kundërshtarët e shamisë dhe myslimanët që në një formë apo tjetrën shpreheshin me anë të një diskursi të kulluar Perëndimor. Për hir të faktit dhe që të jemi të sinqertë, kishte edhe nga ata qe ‘’këshillonin’’ nga largësia mësuesen që të shkoj me gjithë mbulesën në Arabi! Për më shumë, hiç mbulesën, dhe vazhdo punën! Nuk ka vend mbulesa turko-arabe në shkolla shqipe! ishin disa nga ‘klithjet’ që trumbetoheshin si zgjidhje e ‘drejtë’, e përnjëhershme e përfundimtare e ‘problemit’ të shamive në ambientet publike –  respektivisht shkollave.Te tillët flisnin si mbrojtës të sekularizmit, si apostuj të civilizimit Perëndimor e si pishtar të shqiptarizmës jo-fetare.

Le t’i kthehemi gjenezës së problemit, le t’a shqyrtojmë konceptin mbi dhe rreth te cilit u zhvillua debati, i iniciuar nga kundërshtimi me lot i prindërve të një fshati tërësisht të harruar të Malishevës ndaj arsimtares me shami të zgjedhur me anë të KONKURS-it publik. Kundërshti e cila erdhi pothuajse në fund të gjysmë vjetorit të parë, është tejet e pakuptimtë për të qenë e sinqertë.

Ironia në këtë mes është se shamia në aspektin fetar pre supozohet të shmang vëmendjen e meshkujve nga femrat, por në këtë rast sikurse në vjershat e Çajupit ‘burrat nën hije’ të fshatit Drenocë, të mbledhur sikurse në odë kuvendojnë mbi femrën, se çka i lejohet të vishet e si duhet të duket në ambiente publike. Një pjesë e elitës intelektuale në Prishtinë, të mbyllur në Kullat e Fildishta të tyre – pak sarkazëm – e të shkëputur nga realiteti, m’u sikurse në kor iu bashkëngjitën fshatarëve me lot në sy në fushatën e tyre kundër mësimdhënëses së kualifikuar znj. Bujupi, qytetares së barabartë të Repulikës. E gjithë kjo në emër të mbrojtjes së sekularizmit, një pjesë e të cilëve – fshatarët – haber nuk kanë se ç’është, e pjesa tjetër – spin doktorët e Prishtinës – e interpretojnë ashtu siç duan, të bindur se janë autoriteti final interpretues i gjithçkaje.

Por ç’është në realitet sekularizmi?

Profesori i Filozofisë dhe autori i shumë librave Charles Taylor thotë se sekularizmi është një term i paqartë, dhe shume herë qorientues në kuptimin e tij. Por në çdo rrethanë e situatë sekularizmi nënkupton një farë ndarje të shtetit me kishën dhe se shteti nuk mund të ketë një fe zyrtare, përjashtimisht në sensin simbolik siç është e rregulluar në Angli apo ne Skandinavi. Për më shumë, shteti duhet t’i trajtojë të gjitha fetë njësoj, pa dallime e pa anime si atë të komunitetit shumicë apo të pakicave tjera fetare. Pra, shteti duhet të jetë neutral ndaj feve dhe të kete një distancë parimore ndaj të gjitha feve pa dallime. Shteti i Kosovës është i përkufizuar nga Kushtetuta e tij si shtet laik dhe neutral në çështje fetare, por gjithashtu pohon se garanton lirinë e besimit, të ndërgjegjes dhe të fesë, se siguron të drejtën per t’a manifestuar fenë dhe të drejtën për të shfaqur bindjet personale.

Kosova shtet laik por që lejon manifestimin e fesë privatisht e publikisht – deri këtu gjithçka është në rregull. Por problemi fillon atëherë kur mendjendriturit e mendjehollët e interpretojnë një term të pa qartë sikurse është sikularizmi –  për t’a përdorë diskursin e Taylor-it – në mënyre të ngurtë, të prerë,  literal pra të fjalë për fjalshëm,  thuajse jetojmë në Francën e vitit 1905 –  viti kur u institucionalizua ndarja e Kishës nga shteti Francez. Pra, shndërrimi i një termi të paqartë dhe që kërkon interpretim duke u bazuar në kontekstin kulturor, demografik e politikë të një shoqërie me shumicë myslimane, në dogmë të dhënë njëherë e përgjithmonë, që nuk mund të ri-interpretohet është problematik, hap i gabueshëm intelektual e qe besa edhe rrezik për radikalizim e konflikt shoqëror. Nje gjë duhet t’a kemi parasysh, sekularizmi siç është i definuar në Francë me kulturë Katolike – siç thoshte Sarkozy – nuk mund të implementohet në shoqërinë tonë ngase e para, jemi një shoqëri me shumicë myslimane dhe e dyta kemi një kontekst krejt tjetër kulturor e historik, rrjedhimisht një identitet tjetër nga ai i Francës. Por çfarë ne mund të bëjmë është të diskutojmë, debatojmë e të bashkëbisedojmë në mënyre që të gjendet një definicion – gjithsesi jo fiks – se çka është sekularizmi e çka është apo nuk është e lejuar të manifestohet nga korpusi i rregullave fetare publikisht në një shtet sekular.

Për dallim nga Franca dhe shumë vende të tjera Perëndimore, Kosova asnjëherë nuk ka përjetuar Gjykatat e Inkuzicionit, luftën civile ndërmjet sekteve dhe  luftën e përgjakshme në emër të feve. Pra, si shoqëri jemi një produkt i një konteksti krejt tjetër historik nga ai Perëndimor, me vet faktin se kemi qenë nën Perandorinë Osmane, që nominalisht ka qenë tolerante karshi feve e sekteve të ndryshme – së paku më tolerante krahasuar me Evropën e asaj kohe. Duhet t’a kemi parasysh se ne po flasim për vajza të moshës madhore, për veshjet e tyre – që supozohet t’a kenë zgjedhur në mënyrë autonome – se po flasim për orientime fetare e dovocion ndaj parimeve hyjnore, sado që neve mund të na duken të pa-arsyshme. Para së gjithash dhe mbi të gjitha, shteti demokratik nuk ka ç’të kërkoj në veshjet e njerëzve, dhe nuk e ka atë të drejtë që t’a përkufizoj veshjen apo dukjen e jashtme të njeriut – ky lloj i shtetit që synonte t’a rregullonte çdo pore të jetës së qytetarit të tij fatkeqe i takon historisë dhe mund të gjendet vetëm në librat e Orwell-it. Për më shumë, meqë Islami akuzohet se e shtyp femrën për arsye të obligimit të mbulesës – megjithëse mbulesa është çështje e zgjedhjes individuale –, a nuk është në një formë a po tjetrën formë edhe diskualifikimi i një kodi të veshjës nga jeta publike – qofte ai edhe fetar – një lloj i shtypjes në vetvete, së paku për atë pjesë që ka vendosë t’a mbaj atë veshje? Në këtë rast nëse shteti ia ofron vajzave me mbulesë vetëm dy lloje të zgjidhjeve: ose heqjen e mbulesës dhe pjesëmarrjen në jetën publike apo mbajtën e mbulesës me koston e përjashtimit nga publikja, çfarë të mire i sjell kjo res publiaca-s, shoqërisë dhe jetës komunitare? Nëse shteti i dënon me jetën brenda mureve të shtëpisë për shkak të mbulesës, dhe i ‘shpërblen’ me lejimin e pjesëmarrjes në jetën publike me aktin e heqjes së mbulesës, ateherë a nuk degradon shteti në një diktature që interpreton moralin publik e shoqëror dhe veshjen e qytetarëve të tij? A nuk shndërrohet shteti disi në një Kishë sekulare që tregon se çka lejohet e çka nuk lejohet të vishet në institucionet publike?

Një frikë e pa-arsyeshme po qarkullon tash e një kohë të gjatë në media – mjediset e salloneve borgjeze të elitës intelektuale të Prishtinës – ideja se me lejimin e shamive në institucionet publike është hapi i parë në strategjinë për islamizimin e vendit, që do të kulmonte me vendosjen e sheriatit, e që do të nënkuptonte regres shoqëror e kthim në shekullin e 7-të. Ky lloj mendimi është aq qesharak, i pa-kuptimtë e i pa-qëndrueshëm sa që nuk meriton të humbet kohë për t’a diskutuar.

Në fund fare, krejt çfarë vajzat me mbulesë duhet kërkuar është respektimi i ligjit për Mbrojtjen dhe Promovimin e të Drejtave të Komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre në Republikën e Kosovës, i cili tekstualisht thotë se garanton të drejtën për të manifestuar publikisht apo privatisht, fenë apo besimin, në adhurim, mësimdhënie, praktikë dhe vëzhgim (shih Ligji NR. 03/L – 047, Neni 7.2.). Është koha e fundit që ligjet e Republikës të cilat janë të dizajnuara në mendësi tejet liberale, që madje garantojnë edhe të drejtën për të mos pasur, mbajtur apo ndryshuar fenë të respektohen e të implementohen në mënyrë rigoroze. Pra, lejimi i vajzave me mbulesë në institucione publike, të bashkëqytetarëve tona nuk është asgjë tjetër pos respektim i Kushtetutës, ligjeve dhe bindjeve fetare, pra me një fjalë respektim i të drejtave të njeriut.

Mirlind Behluli,

Student ne nivel master ne Stamboll.

- Advertisement -spot_img
Të fundit

Prof. Asoc. Dr. Arbresha Meha sjell inovacion dhe praktika të mira të bashkëpunimit ndërmjet akademisë dhe industrisë nga Austria në Kosovë

Në një kohë kur bashkëpunimi ndërmjet akademisë dhe industrisë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për zhvillimin e...

More Articles Like This

- Advertisement -spot_img